– Apostull Zakheu nga të 70-t –

 

Ngjarjen që vulosi jetën e tij na e përshkruan shën Llukai në kapitullin e 19 të Ungjillit të tij, nga vargu 1-10. Ishte izraelit kryekumerqar. Kumerqarët, nënpunësa të pushtuesve të urryer të idhujtarëve romakë, konsideroheshin tradhtarë të ndyrë (sipas ligjit të Moisiut, meqë kishin marrëdhënie me paganët). Blinin prej tyre të drejtën e grumbullimit të taksave dhe tatimeve, të cilat i kërkonin pastaj nga populli në përmasa shumë të fryra.

Arbitrariteti i tyre në vlerësimin e materialeve të taksueshme nëpër porte, ngushtica, pika ose nyje komunikimi, ku ishin doganat e tyre, u jepte pasuri kolosale. Ishin, domethënë, hajdutë të ligjëruar dhe shtypës, persona kaq të neveritshëm, saqë fjala kumerqar nënkuptonte të padrejtin dhe mëkatarin e skajshëm. Për më tepër nuk mbanin pushimin e së shtunës, pika kryesore së bashku me rrethprerjen, e fesë judaike.

Por, shumë besonin tek Krishti, prandaj Ai u bëri vërejtje kryepriftërinjve të papendueshëm: “Kumerqarët edhe të pamoralshmet venë më përpara se ju në Mbretërinë e Perëndisë” (Mat.21.31). Me të vërtetë Zakheu, që hebraisht do të thotë i pastër, i pafajshëm ndjeu diçka të zgjohej brenda vetes së tij dhe deshi të shikonte Shpëtimtarin që kalonte në Jeriko.

Por, masa e madhe e njerëzve e pengonte, ngaqë ishte shtatshkurtër. Atëherë nuk mori parasysh pozitën që kishte dhe u ngjit majë një peme. Shpëtimtari e thirri me emrin e tij edhe pse qe “i panjohur” për Të, të zbriste dhe ta priste në shtëpinë e tij. Dhe ashtu u bë, megjithë mërmëritjet e njerëzve, “se hyri të rrijë te një njeri fajtor” (Luk. 19.7).

Kryekumerqari u pendua dhe pendimin e tij e tregoi me vepra: Deklaroi se gjysmën e pasurisë së tij ua jepte të vobektëve dhe të gjithë atyre që mund t’iu kishte marrë para në mënyrë të padrejtë do t’ua kthente katërfish pra shumë më tepër nga çfarë kërkonte Ligji i Moisiut (Numrave 5.7). Eshtë më se e qartë; se do të mbetej i varfër! Jisui, në përgjigje të njerëzve që pak më përpara ankoheshin, tha se u shpëtua familja e kumerqarit dhe se pikërisht vetë “biri i njeriut erdhi të kërkojë e të shpëtojë të humburin” (Luk.19.10).

Sipas një dëshmie të hershme, Zakheu pasoi apostull Petron (29 qershor), i cili e hierotonisi episkop të Qesarisë së Palestinës.

 

* * * * *

– Shën Theodhor Trihini –

 

Oshënar Theodhori ishte fëmijë i një familjeje të pasur dhe besimtare të Konstandinopojës. I tërhequr qysh në fëmijëri nga jeta asketike, u qeth murg në një nga manastiret e kryeqytetit, i cili në vazhdim u quajt manastiri i Trihinës.

U përkushtua në asketizëm të ashpër dhe vishte gjithmonë një rrobë leshi, e nga kjo mori edhe emrin Trihin. Betejat e tij të forta për virtytin dhe këmbëngulja në lutje i lejuan të korrte fitore kundër sulmeve e grackave të demonëve dhe të shpërblehej me bollëk me hirin e Shpirtit të Shenjtë. Kjo u duk edhe pas vdekjes, kur nga varri i tij buroi një miro me aromë të mrekullueshme, e cila shëronte një numër të madh sëmundjesh të shpirtit dhe trupit.