Vizita e pelegrinazhit të Kryepiskopit Anastas në Agion Oros (Mali i Shenjtë), i mbiquajtur ndryshe Kopshti i të Tërëshenjtës Mari, nisi të hënën, 15 maj dhe vijoi sipas programit. Në këtë vizitë, e para që kur Kryepiskopi është zgjedhur primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri, ai shoqërohet nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, Mitropoliti i Fierit, Imzot Nikolla, Mitropoliti i Amantias, Imzot Nathanaili, atë Harallamb Gjoka, atë Grigor Pelushi, dhjakon Spiro Topanxha, nëndhjakon Jovan Rusku.

Ndalesa e parë, sipas traditës së vëllazërive të Manastireve të Malit Athos, u bë në Protato, qendra administrative e tij. Aty u psal Dhoksologjia në prani të Protoepistatit të radhës atë Varnavës, i cili i uroi dhe mirëseardhjen në emër të gjithë përfaqësuesve të 20 Manastireve të hirshme të pranishëm. Gjithashtu, në ceremoninë e pritjes dhe mirëseardhjes ishte edhe administratori civil i Malit të Shenjtë, z. Aristos Kasamiroglo.

Kryepiskopi u lut para ikonës të së Tërëshenjtës Mari “Aksion Esti”, ndër ikonat më të njohura të Malit të Shenjtë.

Vizita vijoi në Akademinë Athonike, një nga shkollat më të vjetra të themeluara në kohët e errëta të pushtimit otoman, me rol të veçantë në rilindjen e popullsive të Krishtera në të gjitha trevat e Ballkanit dhe më gjerë. Akademia vazhdon edhe sot të jetë fidanishte e kultivimit të kuadrove të Kishës Orthodhokse, klerikë dhe murgj, duke ruajtur karakterin e saj multietnik në përzgjedhjen e studentëve.

Kryepiskopi dhe grupi që e shoqëron u pritën në Manastirin e Hirshëm të Ksenofontit, ku ruhen Lipsane të Martirit të madh Shën Gjergji. Fjalët e Igumenit, atë Aleksit, ishin vërtet prekëse kur kujtoi veprën e Kryepiskopit për ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, rezultat i një pune titanike, zelli hierapostolik, vetësakrifice dhe në veçanti besimi e përkushtimi të thellë në Zotin Jisu Krisht. Ai e konsideroi vizitën nder dhe privilegj për vëllazërinë e Manastirit dhe njëherësh mësim, sepse Kryepiskopi Anastas përbën shembull për çdo njeri që do të ecë me barrën e Kryqit që Perëndia i ka caktuar. Në veçanti Igumeni iu referua rolit të veçantë që Kryepiskopi Anastas vijon të ketë në mbarë Kishën Orthodhokse dhe lëvizjen ndërkristiane për hierapostullimin e popujve.

Të enjten, Kryepiskopi Anastas vizitoi Manastirin e Simonopetrës, vëllazëria e së cilës në vitet e para të përpjekjes për ringritjen e Kishës sonë ishte e pranishme në Shqipëri jo vetëm me lutje, por edhe me murgj që kryenin punë shpirtërore, veçanërisht në Akademinë tonë Theologjike, por edhe sektorë të tjerë.

Kopshti i Tërëshenjtës Mari, Mali i Shenjtë dhe vëllazëritë e tij të shumta murgërore kanë rol të veçantë jo thjesht si ruajtës të kulluar të traditës, por janë të pranishëm me lutjet dhe kontributin e tyre kudo ku ndihet nevoja në Kishën Orthodhokse. Ky kontekst e bën edhe më të vyer vizitën e Kryebariut tonë për të gjithë grigjën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.