– Hierodëshmor Pafnuti i Jerusalemit –

 

Lindi në Egjipt në vitet e përndjekjeve të mëdha të perandorit Dioklecian. Pasi kishte dëgjuar shumë për famën dhe influencën e Pafnutit tek të krishterët, kryetari i krahinës në të cilën ndodhej shenjti urdhëroi që ky i fundit të arrestohej.

Shenjti, pas një vegimi të perëndishëm nëpërmjet të cilit mësoi se ishte vegël e zgjedhur e Perëndisë, për të turpëruar tiranin e kësaj krahine të quajtur Arian, mori guximin dhe u paraqit vetë përpara tiranit dhe pohoi besimin e tij tek Krishti. Gjithashtu shenjti pohoi i vendosur, se nuk ekzistonte kënaqësi më e madhe për të se sa të mundohej dhe të derdhte gjakun e tij për Perëndinë e vërtetë.

Sipas urdhërimit të tiranit, ndaj shenjtit filluan torturat çnjerëzore. Shën Pafnuti qëndronte i fortë dhe i lutej Perëndisë që ta bënte të denjë për beteja më të mëdha, duke patur parasysh faktin se shpirtrat e njerëzve kishin kaq shumë nevojë për ngushëllim dhe forcim të besimit të tyre në atë kohë.

Perëndia e dëgjoi lutjen e Pafnutit dhe mrekullitë pasuan njëra – tjetrën. Trupi i shenjtit u shërua nga plagët dhe shumë të burgosur pohuan Krishtin si Perëndi të vërtetë. Bashkë me ta besuan edhe dy ushtarë, Dionisi dhe Kalimaku. Për të gjithë këta Ariani urdhëroi të digjeshin në zjarr. Por Perëndia deshi që nëpërmjet shën Pafnutit të ktheheshin në besimin e krishterë edhe shumë të tjerë. Me ndihmën e Perëndisë u bë i padukshëm në sytë e Arianit, doli nga burgu dhe vazhdoi të predikonte kudo mbi Perëndinë e vërtetë.

Me qindra ishin ata që besuan dhe morën kurorën e martirit. Pas gjithë këtyre, tirani Arian, i egërsuar urdhëroi që shenjti të kryqëzohej. Kështu hierodëshmor Pafnuti mori kurorën e martirit dhe dorëzoi shpirtin e tij të shenjtë tek Perëndia të cilit i shërbeu deri në fund me devocion.

* * * * *

– Dëshmorët Theodhori, Filipa, e Ëma & Ushtarët Dioskori, Sokrati & Dionisi –

Shën Theodhori ishte një i krishterë i ri, 18-vjeçar, me origjinë nga Perga e Pamfilisë.

Nën mbretërimin e Andon Shpresëtarit (138-161), Theodhoti, prefekti i asaj krahine, mblodhi të rinjtë më të fortë fizikisht, për t’i dërguar ushtarë për Romën. Kur panë bukurinë fizike të Theodhorit, agjentët e rekrutimit u ngutën për ta nxjerrë përpara guvernatorit. Por në çastin kur donin ta shënonin me vulën e ushtarit, ai tha:

“Që i ri jam shkruar në ushtrinë e Mbretit të qiellit dhe të tokës, si dhe më kanë vulosur me vulën e Pagëzimit të shenjtë!”.

Meqë nuk pranoi t’u ofronte sakrificë idhujve, madje u tall me supersticionet idhujtare, e shtrinë përtokë dhe rrahën mizorisht. Ai nuk reshti së luturi edhe kur e torturonin dhe shpallte se preferonte më mirë të ofronte veten sakrificë te i vetmi Perëndi i vërtetë, sesa t’u bindej dokeve pagane.

Kur e shtrinë mbi një skarë të skuqur, papritur u hap dheu dhe doli një burim që e shoi zjarrin. Kjo mrekulli solli kthimin në të krishterë të një prifti idhujsh, Dioskorit, të cilin, si ndëshkim, e hodhën në zjarr.

Kur ra nata, episkopi i Pergës shkoi të takonte Theodhorin në burg dhe e inkurajoi të vazhdonte i palëkundur deri në fund luftën e tij, për të mbështetur në besim mbarë Kishën e Pergës. Ditën e pestë, shenjtorin e çuan përsëri para Theodhotit dhe tregoi të njëjtën vendosmëri. Për më shumë, detyroi të largohej prej andej demonin që banonte në statujën e Jupiterit, duke pohuar pafuqinë e tij para martirëve të shenjtë të Krishtit. Theodhorin e lidhën pas gomerëve të egër, që e tërhoqën zvarrë. Por u çlirua nga një ndërhyrje e re hyjnore dhe të dy ushtarët, Sokrati dhe Dionisi, u kthyen në besimin e krishterë falë lutjes së tij.

Pasi e nxorën për herë të tretë para prefektit, Theodhorin e hodhën në një furrë të ndezur, bashkë me të dy ushtarët. I rrethuar nga një vesë e freskët, ai qëndronte në mes të flakëve, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke i nxitur shokët të psalnin së bashku: Aliluia. Me lutjen e Theodhorit, e ëma, Filipa, e cila ndodhej në burg prej tre vjetësh, u soll atje nga një engjëll. Ai e ngushëlloi të ëmën dhe e këshilloi të mos trishtohej për shkak të sprovave, që në të vërtetë na bëjnë gati lavdinë e përjetshme. Shqetësimi i saj si nënë u kthye kështu në gëzim, njësoj sikur të merrte pjesë në martesën e të birit.

Prefekti e dënoi Theodhorin me kryqëzim, dy ushtarët të digjeshin në zjarr dhe nënën e tij me prerje koke. Theodhori, kur mbërriti para kryqit, e nderoi me gëzim, meqë është shenja e Shpëtimit dhe burimi i Ngjalljes. Ai u kërkoi xhelatëve të kryqëzohej kokëposhtë, por ata refuzuan dhe e kryqëzuan njësoj si Zotin tonë Jisu Krisht. Atëherë shenjtori thirri: “Tani të dërrmova, o djall. Nuk të kam më frikë, sepse mbaj në duar degët e Pemës së jetës!”. Ai qëndroi tri ditë në kryq dhe pastaj dha shpirt, duke thënë: “Atë, pranoje shpirtin tim!”. Më vonë, të krishterët e Pergës, që e nderonin Theodhorin si mbrojtës të qytetit, ndërtuan një kishë aty ku u varros.