– Hierodëshmorët Simeoni i Persisë, Fusik, me 1150 dëshmorët –
Gjatë mbretërimit të Saporit II (309-378), të krishterët nisën të shtoheshin dhe kishin ndikim në Persi. Magët e fesë mazdeane, duke pasur frikë për privilegjet dhe xhelozë për suksesin e të krishterëve, i akuzuan te mbreti, se gjoja kishin komplotuar kundër tij me perandorin e romakëve. Në vitin 340, mbreti Sapor pati nevojë për shuma të mëdha parash, që të kryente një fushatë ushtarake kundër romakëve. Me këtë rast, ai u vuri të krishterëve një taksë të dyfishtë, që u pa si një presion për të mohuar besimin e tyre, sepse ata nuk mundnin të përmbushnin detyrimet. I lumuri Simeon Bar Sabba, episkop i Seleucisë dhe i Ktesifonit kryeqyteti i perandorisë dhe mitropolit i mbarë Kishës së Persisë, nuk pranoi t’i bindej këtij vendimi. Ai i shkroi sovranit këto fjalë: “Jisui është Mbreti i mbretërve. Nuk mund të na bëni skllevërit tuaj. Ne jemi njerëz të lirë dhe nuk jemi skllevër të njerëzve. Perëndia ynë është edhe Zoti juaj; Ai është krijuesi i perëndive tuaja. Prandaj dhe ne nuk mund të adhurojmë si perëndi krijesat e Tij. Ai na ka porositur: Mos mbani ar, as argjend në brezat tuaj (Matth. 10:9). Nuk kemi ar për t’ju dhënë, as argjend për të paguar taksat tuaja”. Mbreti u irritua kur mori këtë letër dhe i shtyrë nga oborrtarët, urdhëroi të vriteshin të gjithë priftërinjtë dhe shërbëtorët e Perëndisë. Kishat duhet të shkatërroheshin dhe objektet e shenjta të përdoreshin për gjëra të tjera. Simeonin duhej ta dorëzonin për t’u gjykuar si tradhtar i perandorisë perse, ngaqë mbante marrëdhënie me romakët.
Gjatë kohës që magët, me ndihmën e judenjve, shkatërronin kishat, shën Simeoni u arrestua bashkë me dy priftërinjtë e tij, Abdhaiklan dhe Annanian. Të lidhur me zinxhirë, i çuan para mbretit Sapor, në rezidencën mbretërore në Karka-de-Ledan. Episkopi nuk bëri veprimin e zakonshëm të adhurimit të perandorit. Sapori u irritua dhe i kërkoi arsyen, meqë e kishte nderuar më parë. “Kjo ndodhi, meqenëse deri tani ndiqja zakonet që i kanë hije madhërisë suaj mbretërore, pa qenë i detyruar si tani, që të mohoj Perëndinë tim, i Cili është i Vërteti”, u përgjigj episkopi.
Për një çast mbreti i la mënjanë akuzat që magët po i bënin plot urrejtje dhe i propozoi episkopit se do të gëzonte të gjithë favorin e tij nëse adhuronte diellin. “Unë nuk të kam adhuruar ty, – u përgjigj Simeoni, – megjithëse je edhe më i shndritshëm se dielli, sepse zotëron shpirt dhe mendje; si mund të adhuroj diellin, që është pa shpirt? Ka vetëm një Zot: Jisu Krishti, që vdiq në Kryq për ne! Ai është Zoti i diellit dhe Krijuesi i njerëzve. Ndërsa vuante në duart e armiqve të Tij, dielli mbajti zi, ashtu siç bën shërbëtori kur zotëria i vdes. Por, të tretën ditë, u ngjall në lavdinë e qiellit”. Mbreti e kërcënoi se do të vriste mijëra të krishterë për shkak të këmbënguljes së tij. Simeoni u përgjigj: “Nëse derdh gjak të pafajshëm, siç më thua, do të japësh llogari për këtë ditën e gjykimit. Unë di se viktimat do të mbretërojnë falë vdekjes së tyre, por dënimi i tyre do të jetë vdekja jote. Për sa i takon jetës sime, merre menjëherë, duke më dhënë vdekjen që dëshiron vullneti yt i mbrapshtë!”. Sapori dha urdhër ta linin në burg deri të nesërmen, me shpresë se do të ndryshonte mendje.
Në derën e pallatit qëndronte një eunuk i moshuar, Ustazadi, që kishte qenë mësuesi i mbretit dhe gëzonte dinjitetin e mjeshtrit të pallatit. Ai ishte i krishterë, por, gjatë persekutimit, u ishte nënshtruar urdhrave të mbretit dhe kishte adhuruar diellin. Kur e pa episkopin, e nderoi me respekt, por Simeoni ktheu fytyrën me përçmim dhe vazhdoi rrugën. Kjo sjellje e solli Ustazadin në vete; ai u kthye në dhomat e tij duke qarë, hoqi rrobat e oborrtarit dhe veshi rroba zie. Sapori, kur mësoi këtë, e thirri eunukun dhe i kërkoi arsyen e sjelljes së tij. “Unë mbaj zi, – i tha ai, – sepse nuk kam qenë aq besnik ndaj Perëndisë dhe ndaj teje, madhëri. Bëra sikur adhuroja diellin, vetëm për të të pëlqyer. Prandaj është dyfish e drejtë që unë të vdes, meqë tradhtova Krishtin dhe të mashtrova edhe ty. Unë jam i krishterë, nuk do ta mohoj më Perëndinë e vërtetë!”. Shumë i irrituar, monarku dha urdhër t’i prisnin menjëherë kokën. Rrugës drejt vendit të ekzekutimit, Ustazadi kërkoi një nder të fundit, në emër të shërbimit besnik që i kishte bërë mbretit gjatë gjithë atyre viteve: Një tellall bëri të ditur me zë të lartë se ai ishte dënuar me vdekje jo sepse kishte kryer ndonjë krim, por vetëm se ishte i krishterë. Ai vdiq nga shpata të Enjten e Madhe (341).
Kur mësoi këtë lajm në burg, Simeoni u lumturua dhe lavdëroi Krishtin që ngjall të vdekurit, kthen mëkatarët e u jep shpresë të dëshpëruarve, dhe e luti Perëndinë që ta denjësonte të largohej sa më shpejt nga kjo botë. Gjatë natës të së Enjtes së Madhe, ai lutej me duar të drejtuara nga qielli dhe me fytyrën e njomur nga lotët: “Të lutem, o Zot Jisu, në këtë ditë të vdekjes Sate, të gjykohem i denjë për të pirë Potirin Tënd! Ti, Rruga e së vërtetës, korrigjo gabimet e mia. Ti, Vaji i vajosjes, qetësoji gjymtyrët e mia të lodhura. Me Ty trishtimi i shpirtit tim do të shpërbëhet. Ti je shpëtimi im. Ti do t’i fshish lotët e mi, o ngushëllimi dhe gëzimi ynë!”.
Ditën e nesërme, të Premten e Madhe, në orën e tretë, shenjtorin e nxorën nga qelia dhe e çuan përsëri para mbretit, i cili e urdhëroi për herë të fundit t’i falej diellit. Por përpjekja i shkoi kot. “Nxito të më dënosh, – i tha Simeoni, – është koha që të marr pjesë në banket. Tryeza është gati dhe vendin e kam të caktuar”. Kur shqiptoi këto fjalë, kishte një qëndrim fisnik, madhështor dhe fytyra i shkëlqente aq shumë, saqë sovrani nuk e mposhti dot admirimin që ndjeu në ato çaste. Por, i nxitur nga magët dhe zyrtarët e lartë, e dënoi me vdekje po atë ditë.
Rreth njëqind episkopë, priftërinj, dhjakonë, mbaheshin në burgjet e qytetit. Me urdhër të mbretit, kreu i magëve u propozoi lirimin dhe sigurimin e jetës, po t’i faleshin diellit. Ata iu përgjigjën me një zë të vetëm dhe të fortë: “Vdekja nuk ka rëndësi për ne kur e krahasojmë me besimin tonë. Dhënia e jetës nuk është asgjë para dashurisë për Krishtin!”. U dha urdhri që t’i ekzekutonin të gjithë në sytë e Simeonit. Por i lumuri hierark nuk u shqetësua dhe nuk ndryshoi mendje nga ajo pamje, madje i nxiste si nëna e vëllezërve Makabej (shih II Makab. 7), duke u thënë: “Guxim, vëllezër, kini besim te Perëndia dhe mos u frikësoni. Zotin e vranë në Kryq dhe Ai jetoi. Kur të vdisni edhe ju njësoj si Ai, do të jetoni pranë Tij. Tani vdekja ka punën e vet, por dijeni, o të shtrenjtët e mi, vdekja jonë ka për t’u shndërruar në gëzim dhe në jetë të përjetshme, ndërkohë që kjo jetë ndryshon formë duke u kthyer në vdekje të përjetshme për atë që tradhton Perëndinë. Ne japim gjakun tonë dhe Ai na fal Mbretërinë e Tij, në të cilën ka ngazëllim dhe prehje”.
Kishin mbetur gjallë vetëm Simeoni dhe dy priftërinjtë që e shoqëronin. Ndërsa po e zhvishnin dhe lidhnin Ananinë, ai nisi të dridhej kur pa shpatën. Atëherë Fusiku, intendenti i të gjithë artizanëve të mbretërisë, njeri i pushtetshëm dhe i respektuar, i cili po qëndronte aty afër, i thirri: “Mos u dridh, Anania, mos u dridh! Ngriji pak sytë lart dhe do të shikosh dritën e Krishtit!”. E kapën edhe atë dhe e çuan sakaq para mbretit, që ishte errësuar në fytyrë kur pa njërin nga favoritët e tij të merrte anën e të krishterëve. Pyetjeve të Saporit, Fusiku iu përgjigj: “Po, unë jam i krishterë dhe preferoj më mirë vdekjen si ata, sesa nderet e tua, që tani i flak tutje me përçmim. Kjo vdekje është shenjë gëzimi”. Sapori, i tërbuar, dha urdhër ta ekzekutonin në mënyrën më barbare: i prenë gurmazin dhe ia nxorën gjuhën nga qafa, pastaj i vranë edhe të bijën, që ishte gjithashtu e krishterë.
Kur mbërriti ora e ekzekutimit të tij, shën Simeoni u lut për kthimin në besimin e vërtetë të xhelatëve të tij dhe i kërkoi Zotit të bekonte qytetet e Lindjes, që Ai ia kishte besuar, deri në fund të persekutimit. Të Premten e Madhe, në orën e nëntë, i prenë kokën me shpatë, sipas dëshirës së tij. Rrëfehet se atë çast errësira pushtoi tokën perse dhe të pranishmit u pushtuan nga një frikë e madhe. Të krishterët i varrosën gjatë natës trupat e martirëve të lumtur. Shën Maruthai transferoi lipsanet e tyre në selinë e mitropolisë së tij, e cila mori emrin Martiropolis (16 shkurt).
Martirizimi i katholikosit të Persisë shënoi fillimin e një persekutimi të përgjithshëm. Përgjatë dhjetë ditëve, magët paganë, duke përfituar nga zemërata e mbretit, për të nginjur urrejtjen e tyre dhe për të kënaqur inatet personale, masakruan çdo të krishterë që gjenin, madje edhe brenda në pallat. Kur mësoi se kishin vrarë edhe eunukun e tij të preferuar, Azatin, Sapori u mërzit aq shumë, sa dha urdhër të ndalohej masakra publike ndaj të krishterëve dhe të vriteshin vetëm episkopët dhe priftërinjtë. Kështu, persekutimi kundër klerikëve e murgjve vazhdoi për dyzet vjet, deri në vdekjen e Saporit II (379), por zbukuroi me gurë të çmuar e të paprishshëm rrobën martesore të Kishës së Persisë.