UNGJILLI – Llukai 1:39-49, 56.

Edhe në ato ditë Mariama u ngrit e shkoi me nxitim në malësi, në një qytet të Judës. Edhe hyri në shtëpinë e Zaharisë, edhe përshëndeti Elisabetën. Edhe sapo dëgjoi Elisabeta përshëndetjen e Marisë, kërceu foshnja në barkun e saj; edhe Elisabeta u mbush me Frymë të Shenjtë.

Edhe thirri me zë të madh, e tha: E bekuar je ti në mes të grave, edhe i bekuar është fryti i barkut tënd. Edhe nga më ngjau kjo, të vijë e ëma e Zotit tim tek unë? Sepse ja, sapo erdhi zëri i përshëndetjes sate në veshët e mi, kërceu foshnja me gëzim në barkun tim. Edhe lum ajo që besoi, se do të përmbushen tek ajo ç’janë folur prej Zotit.

Edhe Mariama tha: Shpirti im madhëron Zotin, edhe fryma ime u gëzua në Perëndinë shpëtimtarin tim, sepse hodhi sytë mbi përuljen e shërbëtores së tij, sepse ja që tani e tutje gjithë brezat do të më lumurojnë, sepse i Fuqishmi bëri punë të mëdha tek unë, edhe i shenjtë është emri i tij. Edhe Mariama ndenji bashkë me të afro tre muaj; pastaj u kthye në shtëpinë e saj.