Edhe këtë vit Zyra Kombëtare e Fëmijëve kishte përgatitur një program shumë të larmishëm për festimin e festës së Krishtlindjes me fëmijët e Qendrave të fëmijëve, në Tiranë dhe në rrethe. Shfaqja teatrale “Qengji sakat” ishte shfaqja e radhës, në të cilën tregohej historia e Krishtlindjes në sytë e Joshuas (Joshua ishte një qengj sakat, i përbuzur nga gjithë qengjat e tjerë.

    Megjithëse Joshua kishte lindur sakat dhe nuk mund të bënte shumë gjëra si gjithë qengjat e tjerë ai nuk ishte më pak i rëndësishëm për Zotin, madje ai ishte zgjedhur të ishte qengji që ndodhej në stallë kur foshnja Jisu lindi, ai ishte zgjedhur të ishte qengji që do të mbante ngrohtë foshnjën Jisu atë natë të ftohtë dhjetori. Vetëm kur kjo gjë ndodhi e kuptoi Joshua përse kishte lindur sakat, pasi Perëndia kishte një vend të veçantë për të.

    Nëse ai do të kishte qenë si të gjithë qengjat e tjerë do të ndodhej në luginën tjetër ku të gjitha bagëtitë kishin shkuar të kullotnin).

    Historia e Joshuas ishte një mësim për 1050 fëmijët që e ndoqën këtë shfaqe teatrale. Ndonëse ai ndjehej i përbuzur nga të gjithë qengjat e tjerë sepse nuk ishte i shkathët e nuk mund të kërcente e lodronte si gjithë shokët e tij, Perëndia kishte ruajtur një vend të veçantë për të, ashtu si ka edhe një vend të veçantë për secilin nga ne, por ne duhet jemi të gatshëm të ofrojmë atë që kemi ashtu siç bëri dhe Joshua i vogël për të mbajtur foshnjën Jisu ngrohtë.

    Kjo shfaqe teatrale e përgatitur nga stafi i Zyrës Kombëtare të Fëmijëve, e realizuar prej studentëve të vitit të parë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” u dha në 16 zona të ndryshme të Shqipërisë si Tiranë, Elbasan, Berat, Lushnje, Shkodër, Fier, etj. Veprimtaria u realizua me ndihmën dhe bashkëpunimin e katekistëve të Zyrës së Katekizmit në Tiranë si dhe dioqezave të tjera.

    Kjo shfaqje teatrale gëzoi fëmijët që e ndoqën atë dhe i ndihmoi ata të mësojnë dhe kuptojnë më tepër se çdonjëri nga ne është i veçantë për Perëndinë, i Cili na do aq shumë sa dërgoi Birin e Tij të vetëmlindur për shpëtimin tonë.

    Fëmijët shprehën gëzimin e tyre pas kësaj shfaqjeje teatrale, duke kënduar këngët që mësuan, të tjerë duke përsëritur shprehje të ndryshme nga shfaqja teatrale dhe disa të tjerë, duke kërkuar të kishin shfaqje të tilla në të ardhmen.

    Për gëzimin që iu dha këtyre fëmijëve në këto ditë festash nëpërmjet shfaqjes teatrale “Qengji Sakat” duam të falënderojmë përzemërsisht Kryepiskopin Anastas për dashurinë dhe kujdesin që ai ka dhe tregon për fëmijët, stafin e Zyrës Kombëtare të Fëmijëve që punoi me përkushtim për realizimin e kësaj shfaqje teatrale, studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” për punën e tyre të palodhur si edhe katekistët, të cilët na ftuan ta japim këtë shfaqe në grupet e tyre të katekizmit.

    Urojmë që çdo zemër t’i japë një vend Zotit dhe Mbretit të botës, ashtu si na fton edhe kjo këngë:

“Zoti yt vjen, gëzohu botë
pranofsh ti Mbretin tënd
një vend t’i japë, çdo zemër sot,
edhe çdo zë një këngë…”

Gabriela Hoppe