15 gushti, e kremtja e Fjetjes së Hyjlindëses, u festua me solemnitet dhe përkushtim në të gjitha dioqezat e Kishës sonë. Festa nisi mbrëmjen e 14 gushtit, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve, mes të cilëve edhe të ardhur nga emigracioni për të festuar këtë ditë pranë Kishës dhe familjeve të tyre.
     

 
 
    Në manastirin e Shën Vlashit, në Durrës
    Bukuri shpirtërore në të kremten e Nënës së Zotit. Mes lutjeve drejtuar të Tërëshenjtës, besimtarë të shumtë të Mitropolisë së Tiranës u drejtuan në Manastirin e shën Vlashit, në Durrës. Ata përjetuan mbrëmjen panagjirike të 14 gushtit në një atmosferë të veçantë shpirtërore me shërbesat, të cilat nisën me Mbrëmësoren e Madhe dhe përfunduan të nesërmen me Liturgjinë Hyjnore. Shërbesat u kryesuan nga Episkopi i Apolloninë, Hirësi Nikolla, i cili foli për kuptimin e festës dhe rëndësinë e Hyjlindëses në jetën kishtare. Duke qenë se çdo vit në këtë festë vijnë me qindra pjesëtarë të komunitetit rom në ambientet e Manastirit, Hirësi Nikolla i ftoi ata të bëhen pjesë e Kishës “sepse Kisha është shtëpia e tyre”. Kjo e kremte mbetet e paharruar për mijëra e mijëra besimtarë që vijnë me shpresë e besim në këtë manastir të hirshëm për të fituar prehjen dhe ndriçimin shpirtëror.
   Isidor Koti
*  *  *
    
    Në Manastirin e Boboshticës, në Korçë
    Në datën 15 Gusht, në fshatin Boboshticë të qytetit të Korçës u kremtua me madhështi dhe shpresëtari dita e Fjetjes së Hyjlindëses Mari. Si çdo vit, në këtë të kremte të shënuar për çdo të krishter orthodhoks, me qindra besimtarë morën pjesë në shërbesën e Mëngjesores dhe të Liturgjisë Hyjnore. Në fakt kremtimet e kësaj feste kishin filluar një ditë më parë në mbrëmje, ku besimtarë të shumtë patën mundësi të merrnin pjesë në vigjiljet e festës. Shërbesat u kryesuan nga protopresviteri atë Jani Trebicka. Para bekimit të pesë bukëve, besimtarët patën bekimin e madh e të veçantë që të nderonin një pjesë nga lipsani i çmuar i Shën Joan Gojartit. Predikimin në kishë e mbajti atë Jani Trebicka, i cili u ndal në figurën e Hyjlindëses dhe të Krishtit, në historinë e largimit të Hyjlindëses nga kjo jetë.
    Në fund të Liturgjisë, përreth kishës u krye një procesion me ikonën e Fjetjes së Hyjlindëses si dhe litanitë për mbrojtjen e vendit dhe të popullit. Tashmë është bërë traditë që të gjithë njerëzit të mblidhen me familjet e tyre për të festuar dhe pushuar përreth kishës së manastirit kushtuar Fjetjes së Hyjlindëses. Godina e re disa katëshe, madhështore, e konakëve të murgjërve të ardhshëm, i ka dhënë pamje dhe ndjesinë e vërtetë manastiriale. Lusim Zotin që ky manastir duke u mbushur me murgjër të bëhet një ndriçues shpirtëror i zonës. Fshati i Boboshticës njihet për traditën e lashtë dhe të thellë orthodhokse. Kishat e vjetra, manastiri kushtuar nënës së Zotit dhe panairet madhështorë që zhvillohen në këto ditë të shenjta
dëshmojnë për këtë.
       Eleni Pani
*  *  *
   Në fshatin Aliko të Sarandës
     
    
Besimtarë të shumtë nga fshati dhe gjithë zona përreth, autoritete lokale dhe përfaqësues të politikës, që herët në mëngjes kishin mbushur sheshin e bukur para kishës në një pritje të përzemërt për Kryepiskopin.
    Fortlumturia e Tij bashkëmeshoi me Mitropolitin e Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrin. Atmosfera adhuruese ishte prekëse në një kishë të tejmbushur. Kryepiskopi predikoi për personin e Nënës së Perëndisë, duke i ftuar të gjithë ta imitojnë atë në përulësi dhe bindje. Duke përcjellë edhe një herë mesazhin e shpresës, këmbënguli se ne të krishterët edhe në periudha të tilla pasigurie, krizash ekonomike dhe tronditjesh shoqërore, guxojmë të shpresojmë dhe se shpresa jonë është e bazuar në besimin te Perëndia i gjithësisë. Kryepiskopi iu kujtoi të pranishmëve përpjekjet e mëdha të Kishës sonë për ta bërë konkrete këtë shpresë në të ardhmen me akte konkrete në vite të vështira për Shqipërinë, me veprimtarinë ndërtuese dhe shpirtërore, por edhe me zbatimin e shumë punimeve infrastrukturore në fshatrat dhe enoritë tona.
   Për të gjitha këto dhe në veçanti për kishën shumë të bukur të ngritur në fshatin e tyre, Kryepiskopin e falënderuan përfaqësues të pushtetit lokal, por edhe përfaqësues nga vëllazëria që banorët e Alikos kanë krijuar në Athinë, ku shumica e të rinjve jetojnë dhe punojnë.
   Orfea Beci
*  *  *
    Nderimi për Hyjlindësen Mari në ditën e Fjetjes së saj ndihmon për pastrimin e shpirtit dhe të trupit, prandaj edhe kjo e kremte paraprihet nga dy javë kreshmë. Hyjlindësja ishte një Virgjëreshë e kulluar, edhe ne le të jemi të kulluar nga çdo mëkat, me mendje të kthjellët dhe larg nga çdo fantazie satanike. Nëse duam vërtet të imitojmë Hyjlindësen duhet të luftojmë të gjitha pasionet. Le të bëhemi imitues të saj, që të fitojmë virtytin. Atëherë Hyjlindësja e Tërëshenjtë kur të na shikojë të stolisur me të gjitha virtytet do të bëhet nëna jonë, e cila do të ndërmjetojë për ne te Krishti Perëndi. Le të psalim me gjithë zemër: “Çdo shpresë më ty e var, o Zonjë Hyjlindëse, Nënë e Zotit Krisht, ti më ruaj përherë e ti më mbro”.