Pas pushimeve verore, bashkë me vitin e ri kishtar e me nisjen e vitit shkollor filloi edhe aktiviteti i përjavshëm në qendrat e fëmijëve të Kishës sonë. Rreth 300 fëmijë, të moshës 6 – 13 vjeç, morën pjesë në hapjen e aktivitetit në Tiranë në këto zona: në Kishën”Ungjillëzimi”, në Shkollën e Kuqe, në Shkozë, në Komunitetin Rom, në Bathore dhe në Qytetin Studenti.
    Ata erdhën pas një periudhe të mbushur me shumë aktivitete. Gjatë ditëve të nxehta të verës, si një fllad freskues, “dallëndyshet” e vogla  morën pjesë në aktivitetet ditore, duke dëgjuar për besimin, për Perëndinë, duke hyrë në rrugën e dritës. Për disa prej tyre ishte hera e parë që vinin nëpër qendra. Me lojëra të reja, me një punëdore shumë të bukur, me këngë dhe kryesorja, me ushqimin shpirtëror, fëmijët kaluan ditë të këndshme. Dita e parë kishte pasiguri, kureshtje nga fëmijët dhe nga prindërit e tyre.

    Dita e fundit kishte falënderime, përgëzime, pakënaqësi (pse qëndroni kaq pak?!) dhe shumë dashuri. Kampet verore u realizuan në shtatë ditë të mbushura me aktivitete, lojëra, këngë, me përgatitjen e një ikone nga vetë duart e tyre dhe me mësime mbi jetët e disa shenjtorëve të Kishës sonë, shembull frymëzimi dhe imitimi për ta.
    Me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe aktiviteteve të përjavshme, një prej koordinatoreve të kësaj veprimtarie, Parashqevia, tregon se: “ishte shumë bukur të shikoje fëmijët tek përqafoheshin e na përqafonin.
    -Më kishte marrë shumë malli për shokët dhe për ju! – tha Zani nga Bathorja, ndërsa sytë i shkëlqenin nga gëzimi.
    -Mezi pritëm sa të fillonte aktiviteti! – tha edhe Burbuqja nga Shkoza.
    Në fakt aktiviteti iu kishte munguar. I pari nisi me lojëra në stacione. Fëmijët kalonin nga një stacion në tjetrin. Nga “penalltia me sy mbyllur” iu duhej të vraponin për të bërë kosha; nga loja me litar nxitonin të lyheshin si klloun, si maçokë ose si indianë. Gëzimi pasqyrohej në sytë dhe në fytyrat e tyre. Çdo javë ata do të ishin bashkë.
     -Aq shumë sa vjet do të kënaqemi?-pyet Edona.
    -Do të mësojmë gjëra të reja këtë vit?-thotë Sara kureshtare.
    -Po lojra të reja do të kemi?-hidhet Berti.
    -Po punëdore, ngjyrosje ose enigma?
    -Do të bëjmë ekskursione sivjet?
    -Do të shohim teatër kukullash për Krishtlindje e për Pashkë?
    Këtyre pyetjeve, drejtuesit e kësaj veprimtarie i përgjigjen shkurt e thjesht: “Po, do të ketë nga të gjitha këto e plot surpriza të tjera, por ejani në qendrat tona dhe zbulojini vetë”. Ata janë të sigurt se fëmijët do të kënaqen.
Nga Zyra e Fëmijëve