Është e mrekullueshme të udhëtosh çdo ditëme kalendarin kishtar dhe të mësosh të vërtetat hyjnore që i japin kuptim dhe drejtojnëjetën tonë. Gjithë Ekonomia Hyjnore e shpëtimit të njeriut shpaloset aty. Para 12 ditëve njerëzimi kremtoi ardhjen në botë të Shpëtimtarit Krisht, pra me Lindjen e Tij, e cila u lajmërua si shpallja e gëzimit të madh. Dhe në 6 janar Kisha jonë në fton në pagëzimin e Krishtit, në festën e Ujit të Bekuar, në Epifaninë e Zotit.
    Fjala “Epifani” do të thotë manifestim ose shfaqje. Ajo përdoret për pagëzimin e Krishtit,  sepse duke u pagëzuar prej Joan Pararendësit në Jordan, Jisui iu shfaq botës dhe e tregoi veten e Tij si Mesia, Biri i Perëndisë, një prej Trinisë së Shenjtë.
     Shfaqja e parë e Zotit në publik zë vend në pagëzimin e Tij për shumë arsye.
     Pagëzimi është simbol i vdekjes dhe ngjalljes; Krishti erdhi në tokë për të vdekur dhe për t’u ngjallur.
     Pagëzimi është simbol i pendimit ndaj mëkatit, simbol i faljes së mëkatit. Krishti erdhi si Qengji i Perëndisë që merr mbi vete mëkatin e botës që ta largojë. Pagëzimi është simbol i shenjtërimit; Krishti erdhi për të shenjtëruar tërë krijesën. Së fundi pagëzimi është simbol i rilindjes natyrore, i ripërtëritjes së plotë. Kur dikush pagëzohet, e vjetra përfundon dhe vjen e reja. Krishti u shfaq në tokë t’u japë fund gjithë gjërave të vjetra dhe të bëjë të gjithë gjërat të reja. Prandaj akti i pagëzimit përfshin në simbol gjithë misterin e Krishtit, gjithë qëllimin e ardhjes së Tij.
     Krishti nuk kishte nevojë të pagëzohej për veten e Tij. Kjo është mjaft e qartë në Shkrimin e Shenjtë. Ai duhej të pagëzohej për hatrin tonë, në mënyrë që “të përmbushë çdo drejtësi” (Mattheu 3:15).
     Pagëzimi i Joanit ishte “pagëzim pendimi për faljen e mëkateve”. Njerëzit shkonin te Joani për pagëzim “duke rrëfyer mëkatet e tyre” (Marku 1:4-5). Zoti Jisu nuk kishte nevojë për pendim. Si Biri i Perëndisë në trup njerëzor ai nuk kreu mëkat. Prandaj pagëzimi i Tij manifeston identifikimin e Tij të plotë me krijesat e tij mëkatare. Ai në të vërtetë u bë njëri prej nesh, jo vetëm në njerëzim, por dhe në mëkatshmërinë tonë. Jo vetëm në jetën tonë në tokë, por edhe në vdekjen tonë. Ashtu si apostull Pavli ka shkruar: “Sepse Perëndia atë që nuk njohu mëkat për ne e bëri mëkat, që të bëhemi ne drejtësi Perëndie me anë të Tij” (2 Korinthianëve 5:21).
    “Përse i ndalon ujrat e tua, o Jordan?  Përse e kthen prapa rrjedhjen dhe nuk shkon përpara në rrugën tënde të natyrshme? Se nuk mund të duroj, thotë, zjarrin që përvëlon, mahnitem dhe friksohem nga denjimi i përjetshëm, se nuk kam zakon të shpëlaj të pastrin, nuk mësova të fshij të pamëkatshmin, po të pastroj enët e ndotura.  Gjembat e mëkateve më mëson t’i ndjekë Krishti që pagëzohet tek unë. Joani dëshmon me mua, zëri i Fjalës thërret: Ja Qengji i Perëndisë që ngre mëkatin e botës, Atij o besnikë le t’i thërresim, o Perëndi që u shfaqe për shpëtimin tonë, lavdi më Ty”. (Nga Shërbesa e Orëve të Mëdha)
    Në përjetimin liturgjik të Kishës për Epifaninë e Zotit në Jordan, besimtarët binden që Ai është në të vërtetë Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, që erdhi për të shpëtuar botën.
     Pagëzimi i Jisut përmban tërë Misteret e shpëtimit tonë. Ai nuk është vetëm Epifania e Jisuit si Mesia, shërbëtori vuajtës i Zotit, por dhe manifestimi i parë në botë i Misterit më të madh, adhurimit të Trinisë së Shenjtë.
    “Trinia, Perëndia ynë, na e shfaqi veten e Tij sot të pandarë. Se Ati i dha të Birit dëshmim të qartë, Shpirti i fluturoi prej qiellit si pëllumb, Biri i uli kryet e pacenuar Pararendësit dhe si u pagëzua, shpëtoi gjindjen njerëzore prej robërisë si njeridashës”. (Nga Shërbesa e Orëve të Mëdha)
    Krishti u pagëzua në lumin Jordan i cili luan një rol shumë të rëndësishëm në Shkrimin e Shenjtë. Para pagëzimit të Jisuit, ai shfaqet si lumi që kufizon “tokën e premtuar”. Të kaloje Jordanin, për popullin e Izraelit, do të thoshte të hyje në përmbushjen e premtimeve të Zotit, në “tokën që rrjedh mjalt dhe qumësht”, vendi ku Perëndia do të banonte me popullin e Tij, duke iu siguruar atyre bekime pa fund në praninë e Tij.
    Në Dhiatën e Re, me përmbushjen e saj shpirtërore dhe mistike të së Vjetrës, të kalosh Jordanin do të thotë të hysh në mbretërinë e Perëndisë, të përjetosh plotësinë e jetës që vjen. Fakti që Moisiu nuk u bekua të kalojë Jordanin, u bë simboli i faktit që Ligji vetë nuk mund ta shpëtojë Izraelin ose botën. Duhej të ishte Jisui, që literalisht do të thotë Shpëtimtar, i cili i çon njerëzit nëpërmjet Jordanit te toka e premtuar, dhe kjo simbolizon veprimin shpëtues të Jisuit të ri, Mesisë Shpëtimtar, në besëlidhjen e hirit.
    A mund të lahemi në çdo lum dhe të pastrohemi? Përgjigja e Perëndisë është JO. Vetëm në Jordan, me pagëzimin e Krishtit pastrohemi nga gjithë mëkatet tona. Vetëm nëpërmjet Jordanit hyjmë në tokën e të gjallëve, në tokën e premtuar të mbretërisë së Perëndisë. Vetëm nëpërmjet ujërave të shenjtëruara të Jordanit Perëndia na shenjtëron përgjithmonë.
    “Kthehej prapa një herë lumi Jordan prej gunës së Eliseut, kur Elia u ngjit lart dhe ndaheshin ujërat këtej dhe andej dhe u bë sterrë (tokë) udha e ujshme si i vërtetë tip i pagëzimit në të cilën kalojmë rrjedhën e jetës. Krishti u shfaq në Jordan për të bekuar ujërat”. (Nga Shërbesa e Orëve të Mëdha)
    Tipar kryesor i festës së Epifanisë është Bekimi i Madh i Ujit. Ai kryhet 2 herë, në vigjiljen e Epifanisë, pas Liturgjisw (Meshës) së Shën Vasilit të Madh, dhe pas Liturgjisw në ditën e 6 janarit. Shërbesa fillon me këndimin e himneve të veçanta dhe me temjanisjen e ujit, që është vendosur në mes të Kishës. Në 6 janar në shumë vende është zakon që bekimi i Ujit të bëhet në det, në lumë, në liqen, ose në ndonjë pellg uji. Kur nuk është mundësia, bekimi bëhet në kishë. Ena që mban ujin është e rrethuar me lule dhe qirinj. Kjo tregon botën e mrekullueshme të krijimit fillestar të Perëndisë nëpërmjet Fjalës së Tij dhe Frymës – e njëjta botë e mrekullueshme që do të bëhet mbretëri e Perëndisë në fund të kohërave nëpërmjet shpengimit të saj prej Fjalës së Mishëruar, Jisu Krishtit dhe vetë Shpirtit të Shenjtë. Bekimi i Madh i Ujit mbaron me lutjen madhështore të lavdërimit kozmik të Perëndisë, ku i lutemi Krishtit të shenjtërojë ujin, të gjithë njerëzit dhe të gjithë krijimin, nëpërmjet shfaqjes së pranisë së Tij hyjnore dhe shenjtëruese, me anë të banimit të Shpirtit të Shenjtë, të Mirë dhe Jetëbërës.
    Kur psalet përlëshorja e festës, kleriku kremtues zhyt kryqin në ujë tri herë dhe pastaj vazhdon, duke spërkatur me ujin në katër drejtimet e horizontit. Pastaj ai bekon popullin dhe shtëpitë e tyre me ujin e shenjtëruar, që qëndron për shpëtimin e gjithë njerëzve dhe gjithë krijimit, të cilin Krishti e ka prekur nëpërmjet “Epifanisë” së tij në mish, për jetën e botës.
    Qysh kur Biri i Perëndisë mori trup njerëzor, erdhi në botë, manifestoi veten në pagëzimin e Tij në ujërat e Jordanit, çdo njeri dhe e tërë materia u shenjtërua. Çdo gjë u pastrua dhe u shenjtërua në Të. Çdo gjë që ishte e korruptuar dhe e ndotur nëpërmjet veprave mëkatare të njerëzve pastrohet nëpërmjet veprave të hirshme të Perëndisë. Të gjitha fuqitë e vdekshme të të ligut të cilat helmojnë botën e mirë të krijimit të Perëndisë shkatërrohen. Të gjitha gjërat bëhen sërish të reja.   
    Nëpërmjet “elementit primar të botës” i cili është uji, në festën e Epifanisë e tërë krijesa shenjtërohet nëpërmjet Fjalës së Perëndisë nga e njëjti Shpirt i Perëndisë i cili “në fillim… vërtitej mbi faqen e ujërave ” (Gjeneza 1:2).
    Uji është një nga elementët bazik të jetës. Çdo organizëm që jeton dhe merr frymë ka nevojë për ujë që të jetojë; pa ujë vdesim. Uji përdoret gjithashtu në disa Mistere dhe Shërbesa hyjnore të Kishës sonë. P.sh. uji përzihet me verë gjatë përgatitjes së dhuratave qw do t’i ofrohet Perwndisw, para celebrimit të Liturgjisë Hyjnore. Veç kësaj uji shërben si element kryesor në Misterin e Pagëzimit të Shenjtë. Uji përdoret gjithashtu gjatë Shërbesës së Ajazmës, më anë të të cilit spërkatim shtëpitë, ndërtesat e ndryshme, bimët, tokat, njerëzit etj.
    Përdorimi i gjërave materiale në shërbesat e Kishës Orthodhokse tregon një parim shumë të rëndësishëm të besimit të krishterë, që gjithçka e krijuar, si thuhet dhe në Shkrimin e Shenjtë, është e mirë dhe e dobishme për njeriun (Gjeneza 1:4, 12,18, 21, 24, 31).
     Përderisa Zoti është autori i krijimit, Vetë Ai punon nëpërmjet rendit natyror për të prekur jetën e njeriut dhe për të komunikuar me të. Prandaj nëpërmjet pirjes dhe spërkatjes me ujë, si elementi më kryesor, hiri i Perëndisë i jepet njeriut  në mënyrë të padukshme, por shumë të thellë.
     Ditën e Pagëzimit të Zoti, ne marrim ujë dhe spërkatim me të shtëpitë, gjërat, njerëzit. Kur spërkatemi ose marrim ujë të bekuar, nuk gjallërohen vetëm trupat tanë, por edhe shpirtrat. Në ujin e bekuar, krahu i fuqishëm i Perëndisë shtrihet drejt nesh dhe dora e Tij prek qenien tonë, duke na shëruar dhe pajtuar me veten e Tij.
    Sipas Etërve të Kishës Uji i Bekuar shërben si imazh  i botës së shpenguar. Me fjalë të tjera, uji që shenjtërohet nga hiri i Perëndisë, kthehet në atë gjendje të bekuar që Perëndia krijoi në fillim. Ky ujë përshkohet nga prania e Perëndisë. Në të njëjtën mënyrë, ne thirremi të shenjtërojmë jetën tonë në Krishtin, Zotin. Të marrim shenjtërimin nëpërmjet Mistereve që Vetë Biri i Perëndisë themeloi, që të transformohemi dhe të jemi anëtarë të Mbretërisë së Qiejve. Ashtu si uji i bekuar na shenjtëron dhe na bashkon me Perëndinë, i cili prek jetën tonë me anë të tij, kështu edhe ne si “enë të shenjta”, bashkojmë të tjerët me Perëndinë duke lejuar Perëndinë të punojë nëpërmjet nesh.
    Ja hiri i Perëndisë që shfaqet për shpëtimin e gjithë njerëzve. Hiri hyjnor shfaqet, kështu që diçka duhet të ndodhë në jetën e njerëzve që ende jetojnë në këtë botë. Ne duhet t’i përgjigjemi këtij hiri të Zotit me vepra konkrete të pendimit, duke hequr dorë nga dobësitë tona dhe nga pasionet mëkatare që na largojnë nga ky hir.
    Krishti, Shpëtimtari ynë u shfaq dhe na fali ndriçim. Le të gëzohen qiejt madhërisht dhe retë le të derdhin drejtësi mbi ata që thërrasin i bekuar je  Ti, o Perëndi  i Etërve tanë. Ejani, le të pastrojmë mendjen tonë dhe le të shikojmë plotësinë e lavdisë hyjnore në trup. Le të shohim Krishtin e Pagëzuar, duke vrarë mashtrimin e djallit. Le t’i këndojmë himne të  pamëkatshmit: I bekuar je,  o  Perëndi,  që u shfaqe, lavdi më Ty. (Nga Shërbesa e Orëve të Mëdha)
Ana Baba