Sapo shfaqet mikrobusi, ata gumëzhijnë dhe i përshëndesin duke rendur për t’i takuar. Me buzëqeshjen dhe çiltërsinë fëmijërore, nisin të këndojnë dhe të kërcejnë sikur të jetë edhe piku i vapës, madje edhe në të ftohtin e pragvjeshtës. Ndonëse në klasat fillore i kanë bërë miq të vjetër dhe shumë të dashur. I quajnë mësues, edhe pse janë disa të rinj vullnetarë që vijnë nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe zhvillojnë me ta veprimtari edukative dhe lojëra argëtuese. Përtej kësaj, fëmijët kosovarë dhe të rinjtë shqiptarë kanë krijuar një lidhje të fortë vëllazërie, e cila reflektohet bindshëm edhe te arsimtarët e prindërit. Më shumë se një dekadë miqësi që përjetohet dhe përcillet brez pas brezi përmes këtyre aktiviteteve, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në kujtimet e tyre.

    Sivjet, pikërisht në komunën e Malishevës, gjatë periudhës 16-31 gusht u zhvilluan tri kampe në shkollat e fshatrave Begaj, Banjë dhe Carallukë. Tema qendrore ishte “Bukuria e natyrës”. Çdo ditë fëmijët ndiqnin një dramë në lidhje me aspekte të ndryshme të përkujdesjes së mjedisit në familje, në shkollë dhe në vend.

    Programi përmbante lojëra, këngë, diskutime në grupe, punëdore e kokteil. Fëmijët ishin në aktivitet për rreth katër orë në ditë. Paradite merrnin pjesë fëmijë nga parashkollorët deri te klasat e katërta dhe mbasdite nga klasat e pesta deri në klasat e nënta. Një ditë ishin programuar lojërat olimpike, dhe në fund festa e përgatitur nga vetë grupet e fëmijëve pjesëmarrës.

    “Ky aktivitet më pëlqen shumë dhe mezi ju pres të vini përsëri vitin tjetër” – thotë Erjona Krasniqi, nxënëse e shkollës “Imer Krasniqi” në Carallukë të Malishevës. Ajo iu ka treguar plot zell edhe familjarëve e miqve të saj për ditët e kampit, mësimet dhe lojërat e shumta që zhvillohen çdo ditë. Fëmijët, më shumë se kushdo tjetër kanë pasur nevojë për aktivitete të kësaj natyre, sepse edhe luajnë, edhe gëzohen, edhe mësojnë. Ky është një bashkëpunim i frytshëm, duke i bërë edhe mësuesit e prindërit të ndihen të kënaqur me lumturinë që ndjejnë fëmijët e tyre.

    Drejtuesi i kësaj veprimtarie, z. Nathan Hoppe tha para nxënësve kosovarë:

    “Kemi gëzimin t’ju përshëndesim nga Kryepiskopi Anastas dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Bukuria është një nga vlerat më të mëdha të jetës njerëzore. Kemi shumë gjëra të bukura rreth e rrotull që duhet t’i vlerësojmë dhe ky kamp shpresojmë të ndikojë në zhvillimin e tyre”.

    Në shenjë respekti për zhvillimin e kampeve me fëmijët, stafi pedagogjik i shkollës “Imer Krasniqi” kishte përgatitur një koktej dhe një program të veçantë, shoqëruar edhe me një dhuratë mirënjohjeje. Ndërsa drejtori i shkollës së fshatit Begaj, z. Izet Shala e konsideroi programin me shumë nivel. “Ne e vlerësojmë lart tematikën për mbrojtjen e natyrës shqiptare. Ishte një parapërgatitje e vlefshme e nxënësve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor” – tha ai.

    Fëmijët dhe stafi u ndanë të gëzuar sepse patën mundësi të ishin së bashku për disa ditë, por dhe me një ndjenjë trishtimi pasi nuk do ta shohin njëri-tjetrin deri vitin e ardhshëm.

Isidor Koti