Nga Teodor Papapavli †

Botuar më parë tek “Rilindja Demokratike”, 16 shtator 1992, faqe 4.
    Më 2 gusht 1992, në Kishën e Ungjillëzimit të Tiranës, u zhvillua ceremonia e fronëzimit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Por, më parë, pak retrospektivë.
    Rivendosja e besimeve fetare nga demokracia e gjeti Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të shkatërruar tërësisht, pa lokale kulti dhe pa kler. Për ringjalljen e besimeve fetare në vendin tonë, në kushtet e varfërisë së përgjithshme postkomuniste, u desh ndihma e qendrave botërore të Islamizmit, Katolicizmit dhe Ortodoksisë. Patriarkana Ekumenike e Kostandinopolit, e preokupuar për ringjalljen Kishës Ortodokse Shqiptare, caktoi për këtë qëllim, në fillim të vitit 1991, si përfaqësues të saj në Shqipëri (eksark) prof. dr. Hirësinë e Tij, Anastas Janullatos, i cili atë kohë ndodhej në Afrikën Lindore, i ngarkuar me detyrën e Kryepeshkopit aktiv, për rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse të Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë, me qendër në Nairobi. Caktimi i tij u miratua nga presidenti i mëparshëm i Republikës.
    Hirësia e Tij, kur erdhi në Shqipëri, u prit me interes të veçantë dhe u rrethua me dashuri e respekt nga besimtarët ortodoksë, jo vetëm në Tiranë, por të gjithë Shqipërisë. I frymëzuar nga idealet e larta të Ortodoksisë, që e kishin çuar aq larg vendit të tij me ndihmën e bashkëpunëtorëve shqiptarë dhe të aktivistëve të Kishës iu përvesh punës me përkushtim veprës së vështirë për ringjalljen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
    Në fillim eksarku thirri Konferencën Kombëtare të KOASH në Tiranë, në të cilën morën pjesë 15 klerikë dhe 30 laikë, përfaqësues të katër Mitropolive të Shqipërisë. Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm të Kishës të përbërë nga 9 vetë, që të gjithë shqiptarë, përveç eksarkut. Gjithashtu u krijuan këshillat kishtare në qytetet kryesore të vendit. Në vazhdim eksarku nisi punën për restaurimin e Kishës së Ungjillëzimit në Tiranë dhe më vonë hapi Seminarin Teologjik për përgatitjen e kuadrove të parë priftërinj, dhiakonë e psalltë. Porositi jashtë shtetit kisha të parafabrikuara, montimi i së cilave ka përfunduar si në Fier, Sarandë etj, mori masa për restaurimin e kishave dhe manastireve të dëmtuara, solli ndihma në medikamente, ushqime dhe veshmbathje. Dhe të gjitha këto u bënë dhe po bëhen falas, vetëm me subvencionet e Patriarkanës së Konstandinopolit, me donacionet e kishave të tjera Ortodokse dhe të miqve të eksarkut në botë. Si rezultat i këtyre masave të para, brenda vitit u ringjall shërbimi fetar ortodoks në tërë vendin, pas një nate të gjatë ateiste. Kjo është në radhë të parë, merita e eksarkut.
    Por, pas këtyre rezultateve të mira, procesi i ringjalljes së Kishës Ortodokse të Shqipërisë kishte nevojë të domosdoshme të plotësohej në planin organizativ, sepse asaj i mungonte hierarkia, kryepeshkopi, episkopët, dhe sinodi i shenjtë, që janë atributet (veti të pandara) të çdo kishe ortodokse autoqefale. Pa dyshim më e mira e të mirave, zgjidhja ideale do të ishte që në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare të ishte një kryepeshkop shqiptar. Për këtë qëllim Patriarkana e Konstandinopolit, me propozimin e kryesisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, bëri të gjitha përpjekjet për të gjetur në diasporën shqiptare në botë një kandidat të mundshëm. Nga kërkimet rezultoi se klerikët me origjinë shqiptare, ndonëse të pakët, që meshonin në gjuhën shqipe dhe ishin me arsim të lartë teologjik, të gjithë ishin të martuar. Në bazë të kanuneve të Ortodoksisë, të aprovuar nga sinodet ekumenikë episkopët dhe kryepeshkopët, zgjidhen vetëm nga radhët e klerit murg.
    Në këto kushte, në mungesë të ndonjë alternative tjetër, Sinodi Ekumenik i Konstandinopolit, në bazë të kanumeve të Kishës, zgjodhi eksarkun në postin e Kryepeshkopit të Shqipërisë. Për t’ua parashtruar zgjedhjen e tij autoriteteve të larta shqiptare erdhi në vendin tonë një delegacion i nivelit të lartë nga Patriarkana e Konstandinopolit. Pas bisedimeve paraprake në Sekretariatin e Fesë në Ministrinë e Kulturës, delegacioni u takua me Presidentin e Republikës. Në përfundim të bisedimeve u dha pëlqimi. Gjatë më tepër se një viti, eksarku kishte dhënë prova si organizator i zoti dhe me përvojë, kishte arritur rezultate konkrete në drejtimet kryesore dhe në plotësimin e kërkesave imediate, njihte zakonet, traditat, kishte nisur të mësonte dhe të meshonte shqip. Me një fjalë e kishte justifikuar plotësisht veten. Këtu është vendi të theksohet se për zgjidhjen e këtij problemi në të ardhmen e afërt, eksarku ka treguar një interesim të veçantë. Në mbarim të seminarit, së bashku me Atë Ilia Ketrin, drejtor i seminarit, seleksionoi nga elementët me arsim të mesëm e të lartë një grup të rinjsh që do të dërgoheshin jashtë shtetit për studime teologjike. Disa nga këta (tre vetë), fill pas mbylljes së seminarit, u nisën për në Manastiret e Malit të Shenjtë.
    Sipas Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të vitit 1929 Kryepeshkopi dhe episkopët duhet të jenë prej gjaku dhe gjuhe shqiptarë, të kenë shtetësinë shqiptare dhe aprovimin e mbretit. Ky statut, në vitin 1950, kur besimet fetare ishin akoma të lira dhe institucionet fetare bënin një jetë normale, u zëvendësua me një statut tjetër, të aprovuar nga Kongresi III i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe i miratuar me dekretin nr. 1065, datë 4 maj 1950. Statuti i ri ndryshe nga statuti i vitit 1929, parashikon si kusht për kryepeshkopin vetëm shtetësinë shqiptare. Në këtë kontekst duhet theksuar se me dekretin nr. 4337, dt. 13 nëntor 1967, janë shfuqizuar të gjithë statutet e komuniteteve fetare. Shteti i sotëm demokratik shqiptar nuk ka akoma Kushtetutë. Dispozitat Kryesore Kushtetuese, të miratuara nga Parlamenti pluralist nuk e trajtojnë këtë çështje. Në boshllëkun legjislativ ekzistues, për mendimin tonë, vlejnë kanunet e Sinodeve Ekumenikë dhe aktet ndërkombëtare që garantojnë lirinë e besimeve fetare dhe institucionalizimin e tyre. Shqipëria demokratike ka aderuar në këto akte ndërkombëtare.
    Më 2 gusht 1992, mbi bazën e marrëveshjes së arritur midis Presidentit të Republikës dhe delegacionit të Patriarkanës së Konstandinopolit, u bë fronëzimi i eksarkut në kryepeshkop i Shqipërisë nga hirësitë e tyre, mitropolitët e Pergit Evangjellos dhe Meliton i Filadelfias, në prani të episkopëve ortodoksë të vendeve të tjera të ftuar në këtë ceremoni, të klerikëve shqiptarë, përfaqësues të këshillave kishtare të rretheve dhe të një publiku që mbushte kishën e Ungjillëzimit plot e përplot, si kurrë ndonjëherë. Në këtë ceremoni isha vetë prezent.
Çështja e fronëzimit u shtrua padrejtësisht sikur u bë me nxitim dhe fshehtazi. Në fakt ajo u zvarrit. Nga data kur vendosi Sinodi Ekumenik, më 24 qershor 1992 (përfshirë dhe aktin e pranimit nga ana e eksarkut) dhe deri më 2 gusht 1992, kaluan pothuajse 6 javë dhe pra, nuk kishte nxitim. Përkundrazi kishte një vonesë të theksuar, krejt anormale për traditën e fronëzimeve, të cilat bëhen vetëm disa ditë pas dhënies së pëlqimit të kandidatit, siç u veprua p.sh. pak vjet më parë me fronëzimin e patriarkut të Rusisë, të Serbisë, etj. Gjithashtu nuk u bë fshehtazi, përderisa ishin në dijeni organet më të larta shtetërore, qeveria dhe Presidenti i Republikës, që kishin dhënë edhe miratimin dhe njëkohësisht ishin shpërndarë ftesat 10 ditë para ceremonisë së fronëzimit.
    Në ceremoninë e fronëzimit merrnin pjesë qindra besimtarë. Ajo u zhvillua në mes të thirrjeve, brohoritjeve dhe duartrokitjeve të pandërprera për Kryepeshkopin Anastas. Këtë atmosferë u përpoq ta prishë një grup i vogël njerëzish, ku bënin pjesë edhe disa myslimanë, përfshirë edhe një deputet të këtij besimi. Prandaj, protesta e këtij grupi të vogël, e cila mendoj se nuk qe spontane po ta gjykosh nga përbërja e tij, nuk mund të ketë prevalencë mbi vullnetin e shumicës dërmuese që aprovonte si një kor gjigant fronëzimin e Kryepeshkopit.
    Hirësia e Tij, nuk është një prift i thjeshtë, por një klerik i rangut të lartë, mitropolit i Dioqezës së Andrucës, profesor doktor në shkencat teologjike, pedagog i historisë universale të fesë në Universitetin e Athinës. Ai bën pjesë në plejadën e teologëve më të mëdhenj të Kishës Ortodokse greke dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave të Athinës. Është autor i shumë veprave dhe shkrimeve në fushën e teologjisë. Njëkohësisht është autor i një studimi voluminoz dhe interesant mbi islamizmin. Ka qenë president i Këshillit Botëror të Kishave për Ungjillëzimin dhe siç u theksua në fillim edhe Kryepeshkop aktiv i Kishës Ortodokse të Afrikës me qendër në Nairobi.
    Hirësia e Tij është figurë e ndritur e mbarë Ortodoksisë, i nderuar dhe i respektuar nga kleri i lartë mbarëkristian i gjithë botës. Në një nga numrat e Buletinit Britanik “Keston News Service”, i specializuar për lajmet e Evropës Lindore (Keston College, information Department, Kent, United Kingdom), thuhet tekstualisht për mitropolitin Anastas: “Është shumë i admiruar nga të gjithë udhëheqësit e kishave në mbarë botën”.
—————————-
z. Teodor Papapavli, teolog dhe jurist, nga të vetmit të mbijetuar pas regjimit komunist, pedagog në Seminarin Teologjik-Hieratik të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë 1992-2001, ndërroi jetë në 2001.