Kremtimi i Ujit të Bekuar është një nga më tradicionalët dhe më të ndjerët ndër festat orthodhokse. Ndaj kisha “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” ishte e mbushur nga besimtarët që herët në mëngjes, për të marrë pjesë në shërbesat e shenjta. Ato u kryen nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, i ndihmuar nga Episkopi i Krujës Andoni dhe klerikë të tjerë.
Pas Liturgjisë Hyjnore u krye Bekimi i Madh i Ujit. Për shkak të motit të keq, ai u krye nga Kryepiskopi Anastas në brendësi të kishës, i shoqëruar nga psaljet e korit bizantin dhe leximet e profecive, që paralajmëronin këtë shfaqje (Theofani) të Zotit. Mbas këndimit të Apostullit (I Korinthianët 1:10-14) dhe Ungjillit (Marku 1:9-11), u krye litania e madhe e veçantë, duke e thirrur hirin e Shpirtit të Shenjtë të vijë mbi ujin dhe mbi të gjithë ata që marrin pjesë në shërbesë. Ajo mbaroi me lutjen e lavdërimit kozmik të Perëndisë, në të cilën Krishti thirret të shenjtërojë ujin, të gjithë njerëzit dhe të gjithë krijimin, nëpërmjet shfaqjes së pranisë së tij hyjnore dhe shenjtëruese, me anë të banimit të Shpirtit të Shenjtë, të Mirë e Jetëbërës.
Ndërsa psalej përlëshorja e festës “Në Jordan kur pagëzoheshe o Zot…”, Fortlumturia e Tij e zhyti tri herë kryqin në enën me ujë të bekuar dhe më pas spërkati me të, me anë të një tufe borziloku, besimtarët në të katër anët.
Më pas, Kryepiskopi dhe klerikët e tjerë, me enë të mbushura me ujin e bekuar, dolën jashtë kishës, për të bekuar ujin që do të merrnin besimtarët. Aty, në dy pika, ishin vendosur enë të mëdha të posaçme dhe depozita të mëdha, të lidhura me rreth dyzetë gjashtë rrubineta, për të lehtësuar marrjen e ujit.
Besimtarët, madje edhe qytetarë të besimeve të tjera, nuk reshtën së ardhuri në kishë deri në orët e vona të mbrëmjes, për të marrë dhe çuar në shtëpitë e tyre ujin që bekon gjithë krijesën.
Thoma Dhima