Νjë nga festat e mëdha të Kishës Orthodhokse, ajo e Teofanisë së Zotit, në qytetin e Beratit është kthyer në një nga festat më popullore dhe më të mëdha të vitit. Kjo është dita kur të gjitha ujërat bekohen, sepse Shpëtimtari i botës, Zoti Jisu Krisht, në këtë ditë u pagëzua, duke i shenjtëruar ato. |
|
|
Rreth orës 6.00, nisi Shërbesa e Mëngjesit, e cila u pasua nga Liturgjia Hyjnore e kryer nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Hirësia e Tij Ignati. Në fund të Liturgjisë u krye dhe shërbesa e “Bekimit të Madh të Ujit”, ujë i cili u mor nga besimtarët për të shërbyer përgjatë gjithë vitit si ilaç shpirtëror dhe trupor. |
Shërbesat e lartpërmendura përfunduan rreth orës 9.30. Tashmë kishte ardhur çasti i shumëpritur. Qindra besimtarët, të mbledhur në kishë, por edhe të vendosur për gjatë gjithë rrugës, të udhëhequr nga Mitropoliti dhe priftërinjtë u drejtuan për tek ura e vjetër e Goricës, ku u bashkuan me mijëra njerëz të tjerë edhe të besimeve të tjera, që tashmë ishin sistemuar përgjatë dy brigjeve të lumit. |
|
|
Këtë vit, për të sfiduar ujërat e ftohta të Osumit ishin përgatitur rreth 20 djem. Është për t’u theksuar, se ata futen në lumë jo si persona të veçantë, që do të mundohen të kapin kryqin për veten, por në grupe, ku çdo lagje ka grupin e saj. |
Për ta e rëndësishme është që ta kapë kryqin ose më mirë, ta nxjerrë nga lumi dikush nga lagjja e tyre dhe kjo do të ishte e njëjtë sikur ta kishte kapur çdonjëri nga ata. |
|
Atje nuk është e vlefshme kush e kap i pari kryqin, por kush e nxjerr i pari nga lumi dhe për këtë fakt në momentin kur Kryqi u hodh nga Imzot Ignati mes djemve nuk munguan pasimet e kryqit midis shokëve. |
|
E kremtja e Madhe e Theofanisë edhe këtë vit vuri në pah në qytetin tonë vlerat e mëdha dhe shumë të vyera që përmban brenda saj Orthodhoksia. |
|
Sevastiani Qako |