Përshëndetje e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit,
me rastin e përvjetorit të shtatëdhjetë të ditëlindjes së Fortlumturisë së Tij,
Fort të Shenjtit Patriark të Moskës dhe të Gjithë Rusisë, Kirilit

 

   Rreth 48 vite më parë, pata bekimin të njihem me shumë të shtrenjtin, Fortlumturinë dhe Fortshenjtërinë e Tij, Patriarkun e Moskës, që feston sot, z. Kiril. Të dy shërbyem si zëvendëspresidentë të Vëllazërisë Botërore të Rinisë Orthodhokse “Sindesmos”, duke pasur shumë ëndrra, në një kohë të errët, kur të gjitha dukeshin shumë të vështira për Kishën Orthodhokse. Që nga ajo kohë u lidh një miqësi vëllazërore në Krishtin dhe u krijua një besim i ndërsjellë, që u forcuan me kalimin e viteve. U takuam shumë herë në mjaft komisione kishtare, në shumë konferenca e këshilla ndërorthodhokse, ndër të krishtera dhe ndërfetare – në disa raste na u desh të punonim së bashku deri në mesnatë për përgatitjen e teksteve të vështira, siç ndodhi në Mbledhjet e Primatëve.

    Më vjen gjithnjë në mendje prania e tij dinamike, fisnikëria, pastërtia e mendimit, kontributi i tij i rëndësishëm. Që nga ato vite mbizotëronte në mendjen time fjala e Filokalisë, e shën Nil Sinaitit, që thotë: “I lumur është murgu që e shikon përparimin dhe shpëtimin e çdo vëllai si të tijin, plot gëzim”. Një e vërtetë kjo, që më ka nxitur deri më sot të marr pjesë në gëzimin e arritjeve të ecurisë së Tij të bekuar.

    Ashtu siç është shfaqur në mjaft raste, dëshira jonë e madhe për unitetin e Orthodhoksisë forcohet gjithnjë e më shumë dhe siguria jonë, siç u theksua në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh, i mbledhur së fundmi, thekson faktin se Orthodhoksia nuk është një Konfederatë Kishash lokale, por Kisha – Një, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, e cila vazhdon të japë dëshminë e shpresës dhe të dashurisë në mbarë botën. Është Kisha e cila çdo gjë që ka, bën, ofron, ia përkushton mbarë njerëzimit.

    Në përvjetorin e shtatëdhjetë të ditëlindjes së Vëllait të Shtrenjtë, të një jete veçanërisht të bekuar nga Perëndia dhe të një pranie të bekuar pasurisht në botën orthodhokse e më gjerë në atë të krishterë, lavdërojmë Perëndinë dhe shprehim urimet tona me ndjenja ngazëllimi. Në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila, që nga viti 1967 deri më 1990, nuk është përmendur më në diptikë, sepse ishte shpërbërë krejtësisht dhe që në 25 vitet e fundit rijeton brenda gëzimit të Ngjalljes, lutemi:

    Perëndia në Trini, duke vlerësuar dhuratat e shumta me të cilat ju ka pajisur, o vëlla fort i dashur e fort i shenjtë, t’ju falë vite të shumta me shëndet të plotë, besim të zjarrtë, urtësi tejpamëse, dashuri të shumtë, mentalitet kryqngjallësor – ashtu siç dhe e përmendët dje, duke kujtuar fjalët e apostull Pavlit: “Por për mua qoftë larg të mburrem për tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të të cilit bota është kryqëzuar tek unë, dhe unë tek bota” (Gal. 6:14). Që, i frymëzuar vazhdimisht nga Shpirti i Shenjtë, të baritoni me urtësi shpirtërore popullin shpresëtar të Rusisë e të rrezatoni dritën e së vërtetës, të dashurisë dhe bukurisë së Orthodhoksisë. Bota sot ka nevojë për një Orthodhoksi të gjallë e dinamike. Përpjekja për forcimin e unitetit të Orthodhoksisë dhe dëshira për një dëshmi orthodhokse të përbashkët në botën e sotme, le të mbeten boshtet e palëkundura të jetës e të shërbesës së ne të gjithëve. “Edhe atij që sipas fuqisë që veprohet tek ne mund të bëjë shumë më tepër nga të gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Jisu Krishtit në gjithë brezat e jetës së jetëve. Amin.” (Efes. 3:20-21).