Kremtohet 70-vjetori i Patriarkut të Moskës, Kirillit
Merr pjesë një përfaqësi e Kishës sonë e kryesuar nga Kryepiskopi Anastas
Të dielën, 20 nëntor 2016, në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar në Moskë, u kremtua me një Liturgji Hyjnore madhështore 70-vjetori i Patriarkut të Rusisë, Kirillit. Ishin të pranishëm autoritetet më të larta shtetërore, qindra episkopë dhe klerikë, mijëra besimtarë, si dhe përfaqësues nga të gjitha Kishat Orthodhokse. Morën pjesë: Patriarku i Aleksandrisë, Theodhori, Patriarku i Jerusalemit, Theofili, Patriarku i Serbisë, Irineu, Patriarku i Gjeorgjisë, Ilia, Kryepiskopi i Qipros, Krisostomi, Kryepiskopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepiskopi i Polonisë, Sava, Kryepiskopi i Çekisë dhe Sllovakisë, Rastislavi etj.
Pas Liturgjisë Hyjnore, në një mjedis të Katedrales u bë një takim , ku të pranishmit në Liturgji uruan Patriakun Kirill me rastin e 70-vjetorit.
Më 21 nëntor, në rezidencën patriarkale, në manastirin stavropigjik të Shën Danielit, u zhvillua një takim i Patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusisë, Kirillit, me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasin, i cili ndodhej në Moskë për festimet me rastin e 70-vjetorit të Patriarkut. Kryepiskopi Anastas shoqërohej nga Mitropoliti i Amantias, Nathanaili dhe dhjakon Spiro Topanxha.
Përveç Patriarkut Kirill, Kisha e Rusisë përfaqësohej edhe nga përgjegjësi i departamentit për marrëdhëniet me jashtë, Episkopi Hilarion, Episkopi i Cherepovës dhe Belozerskit, Flaviani dhe disa klerikë të tjerë.
Tërëshenjtëria e Tij, Kirilli, duke iu drejtuar Kryepiskopit Anastas, tha ndër të tjera: “I dashur vëlla, ju pres këtu, në rezidencën e Patriarkut të Moskës, me një ndjesi të veçantë dhe ju shpreh mirënjohjen për pjesëmarrjen në këtë përvjetor. Ju thatë se ne kemi 48 vjet që jemi njohur. Të rinj, në vitin 1968, ne morëm pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Syndesmos, roli i së cilës në atë kohë ishte i rëndësishëm. Që nga ai takim në Rattvik, në Suedi, jemi takuar shpesh në konferenca të ndryshme ndërkombëtare. Shumë herë kur patëm mundësinë të bashkëpunonim, e përdorëm për të arritur kompromise të rëndësishme, veçanërisht gjatë hartimit së teksteve mjaft të vështira, që ndihmuan të gjetjen e pikave të përbashkëta pas diskutimeve të ndezura. Kështu, ne orthodhoksët, kemi dëshmuar unitetit tonë. I jam mirënjohës Perëndisë për bashkëpunimin tonë”. Gjithashtu, Patriarku Kirill vlerësoi lart rolin e Kryepiskopit Anastas në ringjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe shtoi se: “…Kam qenë i mikpritur nga ju kur plagët e persekutimit në Shqipëri nuk ishin shëruar në trupin e Kishës dhe pashë punën tuaj entuziazmuese. Koha nuk duket tek ju; energjia dhe zelli juaj janë pothuaj të njëjta me ato të 48 viteve më parë. Uroj të keni trup e shpirt të fortë, që të vazhdoni përqasjen tuaj aktive ndaj jetës dhe punës, për të mirën e Kishës së Shqipërisë dhe të gjithë Orthodhoksisë edhe për shumë vjet”.
Kryepiskopi Anastas shprehu mirënjohjen e tij për dhuratën e madhe të miqësisë që iu dhurua të dyve nga Perëndia. Kjo miqësi është si vera, që bëhet edhe më e mirë me kalimin e kohës. Ne po mbajmë këtë miqësi të veçantë, megjithëse jam shumë më i madh se ju. Jam ndjerë si në shtëpi në mbledhjet e Këshillit Botëror të Kishave dhe në takime të tjera në të cilat keni marrë pjesë.
Besoja dhe e dija se ne do të arrinim në vendime të përbashkëta. Ndaj e ndjeva mungesën tuaj në Sinodin e Kretës dhe shpreh keqardhje për këtë. “Perëndia na ka dhënë dhuratën më të madhe, atë të besimit, falë të cilit Kisha jonë u ruajt me gjithë persekutimin e ashpër. Ky besim jep fryte të mira”, tha Kryepiskopi, dhe shtoi: “Me të drejtë ju vutë në dukje punën e vështirë të bërë në Shqipëri. Në atë kohë ne planifikonim veprimtarinë tonë hierapostolike dhe unë shkrova shumë libra rreth hierapostujve rusë… Unë doja të shkruaja për ta dhe të ndiqja shembullin e tyre. E bëra në Shqipëri. Dashuria juaj ka qenë gjithnjë një mbështetje e madhe për mua, dhe besoj se prania e njerëzve në jetët tona është gjithnjë më e rëndësishme se çdo libër.”
Në përfundim të takimit, që u zhvillua në një frymë të ngrohtë dhe vëllazërore, Kryepiskopi Anastas i dhuroi Patriarkut një kryq argjendi të punuar me dorë posaçërisht për këtë rast; ndërsa Patriarku Kirill, i dhuroi Kryepiskopit Anastas veshje liturgjike, një shkop baritor, si edhe koleksionin prej 9 vëllimesh të librave të tij. Një shkop episkopal iu dhurua edhe Mitropolitit Nathanail.
Në përgjigje të kërkesës së Kryepiskopit Anastas, Patriarku Kirill dha pëlqimin për përkthimin e veprave të tij në gjuhën shqipe për studentët e Akademisë Teologjike.