Mirënjohje dhe falënderimin më të ngrohtë edhe të sinqertë
– 21 vjet më parë Kryepiskopi Anastas zgjidhej në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe 1 vit më parë u përuarua Katedralja madhështore “Ngjallja e Krishtit –
24 qershori është tashmë festë tradicionale për Kishën tonë. 21 vjet me parë Patriarkana Ekumenike zgjodhi në krye të saj, me kërkesën e klerikëve dhe besimtarëve orthodoksë të Shqipërisë, Kryepiskopin e parë pas ndalimit të besimit, i cili do udhëhiqte mrekullinë e rilindjes së saj nga hiri i persekutimit të egër ateist.
Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastas Janullatos, i cili ishte dalluar botërisht për veprën e tij hierapostolike dhe studimore, arriti, përtej edhe parashikimit më optimist, jo vetëm ta ringjallte Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, jo vetëm të riformonte klerin gati të zhdukur orthodhoks, por edhe ta pajiste me të gjitha strukturat që nuk i kishte pasur kurrë më parë, gjatë historisë sonë 1-shekullore. Në 20 vite arriti të tërhiqte mbështetje ndërkombëtare për të ngritur më shumë kisha e godina se sa ishin ngritur në disa shekuj. Ngriti një arsim fetar të kompletuar, ku guri i çmuar është Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Ngriti një sistem të plotë arsimor, nga ai parashkollor e deri tek Universiteti “Logos”. Ngriti shërbime sociale e vuri Kishën në krye të veprës bamirëse në momentet më të vështira që kaloi vendi. Restauroi me dhjetëra kisha monument, duke mbështetur kështu edhe kulturën kombëtare. Financoi botime, studime në fusha të ndryshme, konferenca e simpoziume. E anëtarësoi Kishën tonë në organizmat kishtarë fetarë e ndërfetarë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha e bëri të ulej përsëri si e barabartë në tryezën e Kishave Ortodokse.
Si një kulmim i gjithë kësaj vepre, 1 vit më parë në Tiranë do të përurohej Kopleksi i Katedrales Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, e cila është një vepër e jashtëzakonshme për vendin tonë, pikë e re referimi dhe zbukurim për kryeqytetin, e cila ço ditë pasurohet me vepra të reja.
Një aspekt tepër i rëndësishëm, që nuk duhet lënë asnjëherë pa përmendur, është se e gjithë kjo vepër e Kryepiskopit Anastas, me përpjekje e sakrifica të pandërprera, ka dhënë një kontribut të qenësishëm në zhvillimin e vendit, madje edhe në kohë krize dhe ka krijuar punësim dhe mundësi për jetesë dinjitoze pa u larguar nga vendi, për mijëra familje.
Ndaj, bashkë me urimin për jetë të gjatë dhe të frytshme në shërbim të Kishës edhe për shumë vite akoma, i shprehim Fortlumturisë së Tij edhe mirënjohjen dhe falënderimin më të ngrohtë edhe të sinqertë për të gjitha këto dhe i shprehim mbështetjen maksimale për vazhdimin e kësaj mrekullie të Perëndisë në Shqipëri!
Për shumë vjet o Kryezot i shumëdashur!