Kampet verore me të rinjtë dhe të rejat orthodhokse që po zhvillohen çdo vit në Mitropolinë e Gjirokastrës janë kthyer në një traditë shumë të mirë. Një ndër përfitimet më të rëndësishme përsa i përket edukimit të brezit të ri është edhe mësimi i Fjalës së Zotit. Në shkollat e ndryshme, të rinjtë nuk kanë mundësi që të dëgjojnë për Perëndinë, kështu që me bekimin e Kryepiskopit Anastas atyre iu është dhënë një mbështetje e madhe për të ndjekur këto kampe.
    Këtë vit në manastirin e Shën Gjergjit, në Çukë të Sarandës u zhvilluan dy kampe me të rinjtë orthodhoksë të Mitropolisë së Gjirokastrës. Sivjet tema kryesore e kampit ishte marrë si pjesë e shërbesës së Pashkës: “Tani të gjitha u mbushën me dritë”, duke iu referuar edhe librit më të njëjtin titull që ka botuar Kryepiskopi Anastas. Tema fokusohej rreth Dritës, të cilën duhet ta kemi ne si besimtarë dhe këtë dritë nuk duhet ta mbajmë për vete, por duhet t’ia japim dhe të tjerëve.
    Kampet në Shën Gjergj u realizuan me bekimin e Mitropolitit të Gjirokastrës, Imzot Dhimitër, me ndihmën e disa të rinjve të Zyrës Rinore në Tiranë, por gjithashtu edhe në bashkëpunim më Zyrën e Katekizmit dhe disa drejtues të tjerë nga Mitropolia e Gjirokastrës.
    Kampi i parë përbëhej nga nxënës të shkollës së mesme profesionale “Frymë dashurie” në Mesopotam dhe të rinj nga Përmeti. Ndërsa në kampin e dytë morën pjesë nxënës të Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër. Ishte kënaqësi për të gjithë që manastiri i Shën Gjergjit po restaurohet dhe po bëhet shumë i dashur, sepse vendi aty është piktoresk. Ai duket sikur përqafon të gjithë Sarandën dhe në të ardhmen do të jetë një ndër manastiret më të bukur që do të zbukurojë zonën përreth dhe do të jetë vend pelegrinazhi për besimtarët.
    Dita e kampit niste me shërbesën e Mëngjesores dhe më pas të rinjtë zhvillonin një bisedë shpirtërore, duke folur secili grup për shenjtin e grupit të tyre. Kishte histori interesante në lidhje me 40 shenjtorët e Sarandës, gjithashtu edhe për jetë shenjtorësh si Shën Gjergji, Shën Harallambi, Shën Dhimitri, me qëllim që të njiheshin me veprimtarinë e tyre dhe pse jo më vonë t’i imitojnë në jetën e tyre shpirtërore. Programi ishte i pasur me aktivitete të ndryshme sportive, kohë argëtimi, plazh në ujërat e detit Jon dhe konkurse në fushat e ndryshme të dijes.

    Ky ishte viti i katërt i kampeve në Sarandë dhe vlen të theksohet se pjesëmarrja e të rinjve ishte edhe më e madhe se vitet e mëparshme. Në kampin e parë morën pjesë 50 të rinj, ndërsa në kampin e dytë 60 të tjerë, me të cilët ishte bërë katekizëm dhe disa prej tyre u pagëzuan.
    Pra është një përfundim i gjithë punës katekiste që ishte bërë në atë zonë. Edhe për sa i përket kushteve, ato sa vijnë e përmirësohen dhe ajo që është më e rëndësishme është se po krijohen kuadro të rinj, të cilët në të ardhmen do të bëhen drejtues dhe mund të shpërndahen edhe në vende të tjera. Kampi i Kishës sonë është një moment shumë i rëndësishëm në jetën e tyre, sepse ata edhe do të argëtohen, por edhe do të armatosen duke marrë mësime të vyera që do të shërbejnë shumë në jetën e tyre.
Jorgo Papadhopulli