Pas propozimit të Këshillit Kleriko-Laik, siç e përcakton Statuti i ri i Kishës sonë, të enjte, 19 janar 2012, në mbledhjen e tij Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, zgjodhi dy episkopë të rinj titullarë.
    Me këto dy dorëzime Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhet për herë të parë në historinë tij nga 8 anëtarë.
   Në bazë të Statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (nenet 17, 18), Sinodi i Shenjtë vendosi me vota unanime si Episkop të Episkopatës dikur të ndritshme të Amantias, arkimandritin Nathanail dhe si Episkop të Episkopatës dikur të ndritshme të Bylisit, arkimandritin Asti. Ata janë anëtarë titullarë me të drejta të plota të Sinodit të Shenjtë (Neni 18 i statutit: Sipas nevojave të Kishës është e mundur të zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë Episkopë titullarë aktivë me detyra të caktuara. Këta quhen kryepriftërinj në shërbim aktiv dhe marrin pjesë në Sinodin e Shenjtë.). Kështu, episkopët e rinj do të mbulojnë sektorë të caktuar të jetës kishtare, Hirësi Nathanaili “Mbikqyrjen e pasurisë së Manastireve” dhe Hirësi Asti “Diakoninë Apostolike” (Shërbimin Apostullor).
    Në datën 21 janar, e shtunë, u krye nga Kryepiskopi Anastas, me pjesëmarrjen e gjithë Sinodit të Shenjtë, shërbesa e dorëzimit në episkop e Arkimandrit Nathanailit, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë.
    Gjithashtu në datën 22 janar, e diel, u krye nga Kryepiskopi Anastas, me pjesëmarrjen e gjithë Sinodit të Shenjtë, shërbesa e dorëzimit në episkop e Arkimandrit Astit, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë.
    Në të dy këto dorëzime morën pjesë edhe shumë klerikë nga Kryepiskopata e Tiranës, nga Mitropolia e Gjirokastrës dhe nga Mitropolitë e tjera, familjarë, miq, bashkëpunëtorë e besimtarë të shumtë, nxënës e mësues të shkollave kishtare etj., të cilët uruan nga zemra “Aksios – I denjë!”.
    Biografi  
    Për 20 vjet, Episkopi i Amantias, Hirësi Nathanail Agjioriti, ka punuar dhe ndihmuar në Kishën tonë Orthodhokse, në Mitropolinë e Gjirokastrës. Ai u lind në Trikalla, Greqi, në vitin 1957. Shumë herët jetën e tij ia kushtoi Perëndisë, duke u qethur murg në Manastirin e famshëm të Lavrës së Madhe, në Malin e Shenjtë. Mbaroi aty Akademinë Athonite dhe më pas fakultetin teologjik në Universitetin Aristoteli, të Selanikut.  Erdhi në Shqipëri për të ndihmuar, sapo u rrëzua sistemi ateist, duke shërbyer me përkushtim e vetëmohim pavarësisht vështirësive. Duke e folur shumë mirë gjuhën shqipe ai ka predikuar fjalën e Perëndisë, duke pagëzuar e kryer Misteret e Shenjta deri në fshatrat më të thella, duke fituar respektin e thellë të besimtarëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.
    Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti Bakallbashi, u lind në Durrës, në vitin 1974, në një familje shpresëtare orthodhokse, që e ruajti besimin edhe në kohët më të vështira. Që në çastet e para të ringritjes së Kishës u pagëzua dhe filloi të kontribuonte në rininë orthodhokse. Për 10 vjet studioi me bursë të akorduar nga Kryepiskopata në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash dhe fakultetin teologjik në Universitetin Aristoteli, të Selanikut, ku po përfundon edhe studime pasuniversitare. Pas kësaj zgjodhi t’i kushtohej plotësisht Kishës dhe u dorëzua klerik i pamartuar nga Kryepiskopi Anastas (si dhjakon 2003, kryedhjakon 2006, prift dhe arkimandrit më 2009). Ai ka ofruar me përkushtim për 19 vjet shërbimin e tij kudo ku i është kërkuar si katekist, si pedagog i Akademisë Teologjike në Shën Vlash dhe bashkëpunëtor në Qendrën Studentore në Tiranë, në administratën dhe në median kishtare etj.

Tiranë, 23 janar, 2012