– Dëshmor Sukia bashkë me shokët e tij –
Shën Sukia dhe shokët e tij vinin nga familje fisnike dhe ishin në shërbim të mbretit të Armenisë, Artaksarit. Kur shën Voskeanki, nxënës i apostull Tadeut (24 gusht), mbërriti në Armeni për të shpallur Ungjillin, ata e pranuan me dëshirë të madhe Lajmin e Mirë të Shpëtimit dhe u pagëzuan nga ai. Kur mësoi këtë lajm, mbretëresha Satenika ia ndaloi hyrjen në pallat Voskeankit. Ai u arratis dhe nxënësit e tij e ndoqën. Pas pak kohësh u kapën nga oborrtarët, të cilët u përpoqën më kot t’i bindnin të ktheheshin në pallat. Sukia dhe shokët e tij u thanë se do të qëndronin të bashkuar pranë atit të tyre shpirtëror, pavarësisht se çfarë do t’u ndodhte. Voskeanki u martirizua aty, por nuk guxuan t’i preknin princat, që gjetën strehë në malin Zrabash, i cili më pas mori emrin e shenjtorit: Sukavet. Ata bënë atje dyzet e katër vjet jetë asketike, të veshur nga Perëndia me një veshje të trashë leshi dhe duke ngrënë çka gjenin në natyrë. Nuk u sëmurën asnjëherë dhe, me anë të lutjeve të tyre të vazhdueshme, imitonin në mënyrë të përsosur engjëjt.
Pas vdekjes së mbretit (rreth vitit 130), pasuesi i fronit, kur mësoi që princat e mbretërisë së tij kishin braktisur gjithçka për të qenë të krishterë, dërgoi një trupë ushtarake për t’i kërkuar. Kur i gjetën në mal, të mbuluar nga veshjet e leshit, ushtarët fillimisht nuk besuan se kishin të bënin me qenie njerëzore. Sukia iu përgjigj pyetjeve të komandantit, duke i thënë se ata e kishin braktisur botën për të jetuar në paqe një jetë të pëlqyeshme për Perëndinë, duke e vënë tërë shpresën te përkujdesja e Tij, për sa u takon nevojave të trupit. Kur oficeri u premtoi një jetë plot kënaqësi po të ktheheshin në pallat, ata u përgjigjën: “Ne jemi shërbëtorë të Perëndisë dhe koha e shpërblimit tonë po afrohet. Nuk na lejohet të humbasim këtë rast dhe të bëhemi të huaj për Zotin!”. “Pra, ju e keni këmbyer lirinë dhe fisnikërinë tuaj për këtë fe skllevërish, që adhurojnë një të kryqëzuar?”- i pyeti oficeri. “Po, Ai është Krishti dhe Perëndia ynë. Edhe ti, po ta kishte njohur, do të kishe vepruar njësoj si ne, sepse shpërblimi që Ai ofron, është jeta e përjetshme”. Oficeri dha urdhër t’i torturonin dhe kur e pa se e kishte të pamundur t’i bënte të ndryshonin mendje, dha urdhër t’u pritej koka.
Shën Jakovi dhe Theodhosi shpëtuan. Ata i varrosën trupat e të drejtëve dhe vazhduan të qëndronin aty, duke bërë po të njëjtën jetë si më parë. Disa nga pelegrinët që vinin për të nderuar trupat e shenjtorëve qëndruan pranë tyre dhe kështu u krijua një komunitet murgëror. Në fund të shek. 3, shën Grigor Ndriçuesi (30 shtator), ndërtoi aty një kishë të madhe dhe një manastir. Nga varri i shenjtorëve doli një burim që shëronte lebrozët.