NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 42:5-16.

 

Kështu thotë Perëndia, Zoti, që ka krijuar qiejtë dhe i ka shpalosur, që ka shtruar tokën dhe gjërat që ajo prodhon, që i jep frymëmarrje popullit dhe jetë atyre që ecin në të: Unë, Zoti, të kam thirrur sipas drejtësisë dhe do të të zë për dore, do të të ruaj dhe do të bëj aleancën e popullit dhe dritën e kombeve, për t’u hapur sytë të verbërve, për të nxjerrë nga burgu të burgosurit dhe ata që dergjen në terr.

Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura. Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë”.

I këndoni Zotit një kantik të ri, lëvdimin e tij nga skajet e tokës, o ju që zbrisni në det, dhe atë që ai përmban, ishujt dhe banorët e tyre. Shkretëtira dhe qytetet e tij të lartojnë zërin e tyre, bashkë me fshatrat në të cilat banojnë ata të Kedarit. Le të ngazëllojnë banorët e Selas, le të lëshojnë britma nga maja e maleve. Le t’i japin lavdi Zotit, le ta shpallin lëvdimin e tij në ishuj. Zoti do të shkojë përpara si një hero, do të nxisë dëshirën e tij të zjarrtë si një luftëtar, do të lëshojë një klithmë, po një klithmë therëse; do të triumfojë mbi armiqtë e tij.

Për një kohë të gjatë kam qëndruar në heshtje, nuk kam folur, e kam përmbajtur veten; por tani do të bërtas si një grua që heq të prerat e lindjes, do të marr frymë me vështirësi dhe njëkohësisht do të shfryj. Do të shkretoj malet dhe kodrat dhe do të t’i thaj tërë bimët e blerta; do t’i katandis lumenjtë në ishuj dhe do të thaj pellgjet. Do t’i bëj të verbërit të ecin nëpër një rrugë që ata nuk e njihnin dhe do t’i çoj nëpër shtigje të panjohura; do të ndryshoj para tyre terrin në dritë dhe vendet dredha dredha në fushë. Këto gjëra do të bëj për ta dhe nuk do t’i braktis.

 

* * * * *

NGA LIBRI I GJENEZËS 18:20-33.

 

Dhe Zoti tha: “Me qenë se britma që ngrihet nga Sodoma dhe Gomora është e madhe dhe me qenë se mëkati i tyre është shumë i rëndë, unë do të zbres për të parë nëse kanë bërë me të vërtetë simbas britmës që ka arritur tek unë, në rast të kundërt, do ta mësoj”.

Pastaj këta njerëz u larguan së andejmi dhe shkuan në drejtim të Sodomës, por Abrahami mbeti ende para Zotit. Atëherë Abrahami iu afrua dhe i tha: “Do të zhdukësh të drejtin së bashku me të paudhin? Le ta zëmë se ka pesëdhjetë të drejtë në qytet, ti do ta shkatërroje vendin dhe nuk do t’i falje për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë në mes të saj? Mos e bëj këtë gjë, të shkaktosh vdekjen e të drejtit bashkë me atë të të paudhit, kështu që i drejti të trajtohet si i paudhi. Larg teje një mendim i tillë! Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?”. Zoti tha: “Në rast se gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, unë do ta fal tërë vendin për hir të tyre”.

Atëherë Abrahami rifilloi dhe tha: “Ja, marr guximin t’i flas Zotit, megjithëse unë nuk jam veçse pluhur dhe hi. Ta zëmë se atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë, a do ta shkatërroje tërë qytetin për pesë veta më pak?”. Zoti u përgjigj: “Po të gjej dyzet e pesë, nuk do ta shkatërroj”. Abrahami vazhdoi t’i flasë dhe tha: “Ta zëmë se në qytet ndodhen dyzet?”. Zoti u përgjigj: “Nuk do ta bëj për hir të dyzetëve”. Atëherë Abrahami i tha: “Oh, të mos zemërohet Zoti, dhe unë do të flas. Po sikur në qytet të ketë tridhjetë prej tyre?”. Zoti u përgjigj: “Nuk do ta bëj, po të gjej tridhjetë”. Dhe Abrahami i tha: “Ja, marr guximin t’i flas Zotit. Ta zëmë se në qytet gjenden njëzet?”. Zoti iu përgjigj: “Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve”. Dhe Abrahami i tha: “Oh, të mos zemërohet Zoti dhe unë do të flas edhe vetëm këtë herë. Sikur në qytet të ketë dhjetë prej tyre?”. Zoti u përgjegj: “Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëve”.
Sa mbaroi së foluri me Abrahamin, Zoti u largua. Dhe Abrahami u kthye në banesën e tij.

 

* * * * *

NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 16:17-17:17.

 

Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij. Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare. Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët.

Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur. I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë. Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve.

Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij. Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat. Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes. Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit. Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur. Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë. Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë.

Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen. Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë. Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet. Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.

Është më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje. Shërbëtori që vepron me urtësi ka për të sunduar mbi të birin që e turpëron dhe do të marrë një pjesë të trashëgimisë bashkë me vëllezërit. Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti. Njeriu i keq dëgjon buzët e liga, gënjeshtari dëgjon gjuhën e çoroditur. Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

Bijtë e bijve janë kurora e pleqve, dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre. Budallait nuk i shkon një e folur e bukur, aq më pak princit nuk i shkojnë buzë gënjeshtare, Një dhuratë është një gur i çmuar në sytë e atij që e ka; ngado që kthehet, ai ia del. Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë. Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai. Njeriu i keq nuk kërkon gjë tjetër veç të ngrerë krye, prandaj do të dërgohet kundër tij një lajmëtar mizor.

Është më mirë të takosh një arushë se cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij. E keqja nuk do të largohet nga shtëpia e atij që së mirës i përgjigjet me të keqen. Të fillosh një grindje është sikur t’u çelësh rrugë ujërave; prandaj ndërprite grindjen përpara se të acarohet. Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin.

Ç’duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare?
Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.