Nga data 7 deri më 10 shtator 2016, u zhvillua Konferenca e 24-t Ndërkombëtare për Spiritualitetin Orthodhoks, me temë “Martirizim dhe komunion”, me mbështetjen e Kishave Orthodhokse. Veprimtaria u zhvillua në Manastirin e Bozesë, i cili organizon rregullisht veprimtari ekumenike.
Konferenca kishte për qëllim lidhjen e ngushtë midis dëshmisë ndaj Krishtit të martirëve dhe se, si paraqiten ato në shkrimet e Etërve dhe Traditën e Kishave Orthodhokse. Kjo temë ka një aktualitet dramatik në kohën tonë, kohë luftërash e persekutimesh, që prekin shumë komunitete të krishtera në botë. Përvoja e martirëve të shekullit të XXI-të është një trashëgimi evangjelike për kishat dhe botën mbarë.
Në veprimtari morën pjesë përfaqësues nga Kishat Orthodhokse, ajo Katolike, Armene, Anglikane, murgj e teologë etj. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua nga Episkopi i Bylisit Asti.
Ditën e parë, pas përshëndetjes së priorit të Manastrit të Bozesë, Enzo Bianchi, u lexua përshëndetja e Patriarkut Ekumenik Vartholomeut, Kishës orthodhokse Ruse, përfaqësuesit të Papës etj. (në seancat në vazhdim do të lexoheshin përshëndetjet e kishave të tjera orthodhokse). Përshëndetja e Kryepiskopit Anastas për veprimtarinë u lexua nga Hirësi Asti. Ndërsa tema kryesore, “Gjaku i martirëve, farë e bashkimit”, e shkruar nga Patriarku i Antiokisë Yohanna X, u lexua nga përfaqësuesi i tij. Punimet vijuan me fjalët e pjesëmarrësve e diskutime.
Në ditën e dytë, përveç përshëndetjeve, fjalimeve e diskutimeve mund të veçohet edhe celebrimi i Liturgjisë Hyjnore Orthodhokse, ku bashkëmeshuan klerikë të kishave të ndryshme në gjuhët e tyre.
Ditën e fundit të Konferencës, u bë mbyllja e diskutimeve dhe u nxorën konkluzionet e veprimtarisë, ku mund të veçohet vlerësimi i veçantë i fjalëve të përshëndetjes së Kryepiskopit Anastas.