– Dëshmor Kaliopi –

Shën Kaliopi ishte nga një familje me origjinë senatorësh të Pergës, në Pamfili dhe u edukua me virtytet e krishtera nga ëma, Theoklia. Kur u shpall nga Diokleciani (304), edikti i persekutimit të përgjithshëm, i nxitur nga e ëma, shkoi të fshihej në Pompeipolis, në Kiliki. Dëshmitar i orgjive me anë të të cilave prefekti Maksimin nderonte perënditë pagane, i riu i krishterë nuk pranoi të merrte pjesë në to dhe tha: “Unë jam i krishterë dhe Krishti festohet duke kreshmuar!”. Menjëherë e kapën dhe e shpunë para guvernatorit, i cili i premtoi të bijën për nuse, nëse do të pranonte t’u bënte fli perëndive pagane. Kaliopi iu përgjigj: “Dijeni mirë, unë jam dhënë i gjithi te Jisu Krishti, Perëndia dhe dua ta paraqes trupin tim të panjollë dhe të virgjër para gjykatores së Tij”.

I tërbuar nga këto fjalë, Maksimini e kërcënoi se po të mos pranonte propozimin e tij do ta torturonte dhe pastaj do ta hidhte të gjallë në zjarr. Martiri i shenjtë iu përgjigj: “Këto tortura të gjata dhe të dhunshme nuk do të bëjnë gjë tjetër, veçse do ta pasurojnë më shumë kurorën time, sepse është shkruar: “Askush nuk kurorëzohet, pa e bërë ndeshjen e tij me trimëri” (2 Tim. 2:5). E rrahën me kamxhikë lëkure me plumbçe, pastaj me deje bualli dhe në fund e shtrinë mbi një skarë të vendosur mbi një zjarr të madh. Por një engjëll ndërhyri për ta shuar flakën dhe i bëri të kota përpjekjet e xhelatëve. Pas kësaj, magjistrati urdhëroi ta shpinin atletin trim të Krishtit në bodrumin më të errët të burgut.

Kur mësoi se çfarë po ndodhte me të birin, Theoklia e përshpirtshme i liroi të gjithë skllevërit, ua ndau pasuritë të varfërve dhe Kishës, pastaj shkoi te Kaliopi në burg. Ai nuk mundi të ngrihej dot për ta pritur, për shkak të zinxhirëve të rëndë, por e përshëndeti duke thënë: “Nënë, mirë se erdhe. Do të bëhesh dëshmitare e Pësimit të Krishtit tek unë!”. “Unë jam e lumtur, – u përgjigj ajo, – sepse u bëra e denjë të të përkushtoj te Zoti si një thesar shumë të vyer”. Tërë atë natë qëndruan bashkë, duke u lutur dhe duke lavdëruar Perëndinë.

Kur doli përsëri para gjyqit, Kaliopi deklaroi më zë të lartë: “Nxitoj të vdes në vuajtje për hir të Krishtit, Zotit tim!”. Të Enjten e Madhe, kur mësoi se i biri ishte dënuar me kryqëzim, Theoklia u dha xhelatëve pesë monedha argjendi, që atë ta varnin në kryq kokëposhtë, si apostulli Petro. Të nesërmen, të Premten e Madhe, në të njetën orë të vdekjes jetëprurëse të Shpëtimtarit tonë, martiri i shenjtë dha shpirtin e tij te Perëndia. Kur e zbritën nga kryqi, e ëma vrapoi për të përqafuar trupin e të birit, e puthi tri herë duke lavdëruar Perëndinë, pastaj edhe ajo ia dorëzoi Perëndisë shpirtin e saj. Të krishterët vendas i varrosën së bashku, nënë e bir, të bashkuar në përjetësi në dashurinë e Krishtit, që është më e fortë se lidhja e mishit.