Veshur kuqezi, me flamuj kombëtarë në dorë dhe me sytë plot gëzim fëmijët, të rinjtë dhe besimtarët orthodhoksë të qytetit të Durrësit sot, më datën 25 nëntor 2012, festuan sëbashku 100-vjetorin e shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë.
Programi artistik u krye në sallën e shfaqjeve poshtë kishës katedrale “Apostull Pavli & Shën Asti”, menjëherë pas Liturgjisë Hyjnore. Ashtu si Shqipëria e ka çarë rrjetën e historisë me shpatë në dorë, kështu edhe artistët e vegjël e çanë rrjetën e suksesit me talentin dhe buzëqeshjen e tyre. Duke filluar që nga skena e improvizuar bukur e deri tek kokteji i organizuar në fund të festës, vihej re një angazhim dhe seriozitet tërësor.
Të gjitha institucionet arsimore kishtare të Durrësit, të themeluara nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi, bënë të mundur realizimin e programit festiv. Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, e cila ishte edhe organizatorja e festës, u paraqit me tri këngë: “Vajta kalova gjithë Kalabrinë”, “Iliria” dhe “Krishtin falënderojmë”. Gjimnazi “Kryqi i Nderuar” solli në skenë një interpretim nga vargjet e Mitrush Kutelit e këngët patriotike “Për Mëmëdhenë” dhe “O Trima luftëtarë”. Shtëpia Orthodhokse e Shpresës e zbukuroi festën me valle arbëreshe, këngë patriotike dhe dy poezi atdhetare. Fëmijët e kopshtit të Kishës luajtën pjesën teatrale “Orët e Hënës” dhe recituan katër poezi. Skenën e mbushën nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Frymë Dashurie”, të cilët kënduan dhe interpretuan shumë poezi patriotike dhe atdhetare. “Flamuri”, “Shqiponja”, “Flamuri i Mëmëdheut” ishin disa prej poezive që recituan fëmijët e grupit të Katekizmit të Durrësit. Rinia Orthodhokse e qytetit u prezantua me dy poezi dhe një pjesë muzikore të interpretuar në piano. Nuk munguan në këtë program edhe psalmet bizantine “Sa u pagëzuat më Krishtin”, “Përlufteshës Gjenerale” dhe “O Zot, shpëto popullin tënd”.
Të gjitha grupet vodhën duartrokitjet dhe brohoritjet e të ftuarve, klerikëve, mësuesve, prindërve dhe besimtarëve të shumtë, që kishin mbushur sallën. Në fund Episkopi i Apollonisë dhe Episkopi ndihmës i Kryepiskopit, Hirësia e tij, Imzot Nikolla Hyka mbajti fjalën e rastit duke shprehur gëzimin dhe mirënjohjen për pjesëmarrësit në këtë aktivitet. Ai theksoi se shpallja e Pavarsisë për Shqipërinë ishte një mrekulli dhe dhuratë nga Zoti për vendin dhe popullin tonë. Të gjithë ne sot, jemi mbledhur për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjithë ata që kontribuan si edhe për klerikët e të katër komuniteteve fetare që luajtën një rol shumë të rëndësishëm në shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë dhe në mbarëvajtjen e shtetit Shqiptar. Duhet të kemi mirënjohje për të gjithë ata që dhanë gjakun e tyre për këtë pavarësi. Këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarsisë e kremtojmë për t’u thënë të gjithëve se ne shqiptarët e duam Shqipërinë dhe kemi përgjegjësi për vendin tonë. Të gjithë ne duhet ta ndjejmë se kemi një detyrë të madhe për kombin. Sami Frashëri thotë: “një popull i bashkuar përbën themelin e një kombi”. Pikërisht këtu mbetet detyra jonë dhe veçanërisht e klerikëve të të katër komuniteteve fetare që të jenë një faktor i rëndësishëm bashkimi dhe uniteti, por jashtë kësaj përgjegjësie nuk mbeten edhe udhëheqësit e këtij vendi që mbi çdo interes personal duhet të vendosin interesat e kombit. Ne të krishterët orthodhoksë në çdo shërbesë fetare lutemi për mbarëvajtjen e kombit, Presidentin e Republikës, qeverinë ushtrinë dhe gjithë popullin sepse kemi bindjen dhe besimin se ai që është një besimtar i mirë është edhe një atdhetar i mirë. Imzot Nikolla duke përfunduar fjalën e tij tha se: “Me lirinë që na ka dhënë Perëndia, mund të kuptojmë dhe shijojmë lirinë e Atdheut”.
Një aktivitet mbresëlënës që na bëri krenarë që jemi shqipëtarë; që na rikujtoi se duhet ta duam Shqipërinë, folenë e shqiponjave. Flamuri i kuq me shkabën dykrerëshe sot dukej më madhështor se kurrë. Me këtë flamur luftuan bijtë e Shqipes për Atdhe! Toskë e gegë nën një flamur! Të gjithë bashkë me flamurin në gji të punojmë, të lutemi dhe të besojmë se Shqipëria do të bëhet më e mirë, do të lulëzojë e do të shndrisë me plot fuqinë e saj.
Se Zoti vetë e tha me gojë,
Se kombet shuhen përmbi dhé,
Por Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne. (Himni i Flamurit)
Se kombet shuhen përmbi dhé,
Por Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne. (Himni i Flamurit)
Të duam nënë Shqipëri! Ne jemi e ardhmja, që duke pasur në mendje të shkuarën dhe duke jetuar të tashmen aspirojmë përparimin dhe integrimin e vendit tonë të dashur. Jemi krenarë që jemi shqipëtarë! Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Theano Kostoli