24 vjet rrugëtim i mrekullueshëm

 

– U kremtua 24-vjetori i Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas –

 

Të martën 2 gusht, në ditën e 24-vjetorit të Fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Anastasit si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Liturgjia Hyjnore festive u krye në kishën e Analipsit në Librazhd. Ishte ky një kremtim krejt i veçantë, pasi përkonte me përurimin e hidrocentralit të Kishës sonë, vepër madhore e Kryepiskopit Anastas. Më 24 qershor të 24 viteve më parë, me zgjedhjen e tij dhe më 2 gusht me Fronëzimin, niste ringritja kanonike e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, pas shkatërrimit komunist, ndërsa më 2 gusht 2016, u hodh një hap vendimtar për “autoqefalinë” ekonomike të saj.

Në shërbesën e kryesuar nga Kryepiskopi Anastas ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe përfaqësuesi i Patriarkut Ekumenik, Tërëshenjtërisë së Tij Vartholomeut, Mitropoliti i Janinës Maksimi. Merrnin pjesë edhe klerikë e besimtarë nga të gjitha Mitropolitë dhe nga Kryepiskopata e Shenjtë etj. Në fund, duke përshëndetur me këtë rast, Kryepiskopi foli për rrugëtimin e Kishës sonë përpara që nga kjo dite, e deri tek ngjarja tepër e rëndësishme për pavarësinë ekonomike të saj, e përurimit të hidrocentralit. Pastaj Mitropoliti Maksim përshëndeti në emër të Patriarkut Ekumenik.

2 gushti është në të vërtet më shumë se Fronëzimi i Kryepiskopit të parë pas persekutimit të egër shumëvjeçar. Zgjedhja dhe Fronëzimi shënuan, siç thamë, ringritjen kanonike të Kishës sonë, duke i mbyllur rrugë si zërave që e quanin atë “të vdekur” ashtu edhe manipulimeve nën rrogoz me komunitetin orthodhoks. Janë 24 vjet të një rrugëtimi mes vështirësish, por edhe të shoqëruar nga suksese aq të jashtëzakonshme, që pa frikë mund t’i quajmë mrekulli të Perëndisë në këtë tokë të martirizuar.

Të gjitha këto etapa janë të shënuara qartë dhe fort nga personaliteti i jashtëzakonshëm i Kryepiskopit Anastas, i cili e ka mbajtur plot përkushtim dhe besim të patundur tek Perëndia kryqin e kësaj ngritjeje nga gërmadhat. Që nga koha e krijimit të saj Kisha jonë nuk ka njohur kurrë një organizim dhe zhvillim të tillë dhe nuk ka pasur dhe luajtur asnjëherë një rol kaq të spikatur në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë në botën e krishterë dhe në marrëdhëniet ndërfetare.

Këtë ditë do të donim ta kujtonim me një citim nga artikulli i të ndjerit Teodor Papapavli, në gazetën “Rilindja Demokratike” (16 shtator 1992), ku përshkruan shërbesën e Fronëzimit: “Në ceremoninë e Fronëzimit merrnin pjesë qindra besimtarë. Ajo u zhvillua në mes të thirrjeve, brohoritjeve dhe duartrokitjeve të pandërprera për Kryepeshkopin Anastas. Këtë atmosferë u përpoq ta prishë një grup i vogël njerëzish, ku bënin pjesë edhe disa myslimanë, përfshirë edhe një deputet të këtij besimi. Prandaj, protesta e këtij grupi të vogël, e cila mendoj se nuk qe spontane po ta gjykosh nga përbërja e tij, nuk mund të ketë prevalencë mbi vullnetin e shumicës dërmuese që aprovonte si një kor gjigant fronëzimin e Kryepeshkopit. “

 

Gjithashtu, më poshtë po japim edhe një fragment nga fjala e Fronëzimit:

 

Kisha Orthodhokse, bekim për vendin

Fragment nga fjala e Kryepiskopi Anastas në Shërbesën e Fronëzimit, 2 gusht 1992

 

Kisha Orthodhokse e Shqipërisë përbën para të gjithave bekim për vendin, në të cilin lëviz. Lulëzimi i saj dhe zhvillimi i përgjithshëm i veprimtarisë së saj, do të ndikojë në mënyrë vendimtare në punën mëkëmbëse të të gjithë vendit.

E para: Duke lëçitur me entuziazëm besën te Perëndia i Trinishëm, hirin dhe mëshirën e Tij të pakufishme, dashurinë e paanshme, i paraqet popullit pa ndërprerje mendime të reja, ideale të reja, shpresë dhe fuqi të qëndrueshme, për të vazhduar luftën në këtë periudhë të vështirë, në të cilën dekurajimi dhe humbja e shpresës po e kërcënojnë. Ndihma më e rëndësishme e Kishës në lëmin social është se ajo edukon njerëz të pjekur, me përgjegjësi, të ndershëm, që luftojnë me ndërgjegje edhe atëherë kur asnjë, dhe asgjë e jashtme, nuk i detyron që të jetojnë me dashuri dhe krijimtari, duke ngritur lart pa zhurmë mbarë tërësinë shoqërore.

E dyta: Kisha Orthodhokse ka qenë gjithnjë e do të jetë faktor bashkimi, paqeje dhe pajtimi në Shqipëri, duke lëçitur ndjesën dhe mirëkuptimin, dhe duke ofruar motive të brendshme dhe fuqi për to. Duke vazhduar traditën e vjetër të tolerancës fetare në Shqipëri, përkrah sinqerisht bashkekzistencën paqësore dhe respektimin reciprok të komuniteteve të ndryshme fetare. Po njëkohësisht kultivon ndjenja respekti dhe dashurie edhe për ata që akoma qëndrojnë indiferentë apo dhe negativë ndaj fesë. Respektimi i lirisë së çdo njeriu, pavarësisht nëse beson apo nuk beson ai, karakterizon moralin orthodhoks” çdo person është i shenjtë, sepse është krijuar sipas ikonës së Perëndisë.

E treta: Me veprimtaritë konkrete për të cilat folëm më sipër, shpresojmë se Kisha jonë do të ndihmojë në tërë përpjekjen për zhvillim të Shqipërisë, në mënyrë që ajo të zërë në një kohë sa më të shkurtër, vendin që i takon në Evropë. Dhe, si gjithnjë, anëtarët e saj do të mbrojnë me konsekuencë të drejtat e vendit….