NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 11:10-12:2.

Atë ditë do të ndodhë që rrënja e Isaias do të ngrihet si një flamur për popujt; kombet do ta kërkojnë dhe vendi i prehjes së tij do të jetë i lavdishëm. Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shtrijë dorën e tij për herë të dytë për të shpenguar mbetjen e popullit të tij që shpëtoi nga Asiria dhe nga Egjipti, nga Pathrosi dhe Etiopia, nga Elami, nga Shinari, nga Hamathi dhe nga ishujt e detit. Ai do të ngrerë flamurin për kombet, do të mbledhë të dëbuarit e Izraelit dhe do të grumbullojë ata që u shpërndanë nga Juda në të katër anët e dheut.

Smira e Efraimit do të zhduket dhe kundërshtarët e Judës do të asgjesohen; Efraimi nuk do ta ketë më zili Judën dhe Juda nuk do të ketë më armiqësi me Efraimin. Ata do t’u sulen me turr Filistejve nga pas, në drejtim të perëndimit, bashkë do të plaçkitin bijtë e lindjes; do të vënë dorën e tyre mbi Edomin dhe mbi Moabin, dhe bijtë e Amonit do të jenë nënshtetas të tyre.

Zoti do të shkatërrojë plotësisht gjuhën e detit të Egjiptit dhe me fuqinë e frymës së tij do të lëvizë dorën e tij mbi lumin dhe do të godasë duke e ndarë në shtatë kanale, kështu që të ketë mundësi të kapërcehet me sandale. Do të ketë një rrugë për mbetjen e popullit të tij që ka mbetur në Asiri, ashtu si pati një rrugë për Izraelin ditën që doli nga vendi i Egjiptit.

Atë ditë do të thuash: “Unë të kremtoj, o Zot. Edhe pse ishe i zemëruar me mua, zemërimi yt me mua u qetësua dhe më ka ngushëlluar. Ja, Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë, sepse Zoti, po, Zoti është forca ime dhe kantiku im, dhe ka qenë shpëtimi im”.

* * * * *

NGA LIBRI I GJENEZËS 7:11-8:3.

Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në muajin e dytë dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit, në atë ditë tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe kataraktet e qiellit u hapën. Dhe ra shi mbi tokë për dyzet ditë dhe dyzet net.

Po atë ditë hynë në arkë Noeu dhe bijtë e tij Semi, Kami dhe Jafeti, gruaja e Noeut si dhe tri gratë e bijve të tij me ta; ata dhe të gjitha bishat simbas llojit, tërë bagëtia simbas llojit të saj, të gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokën simbas llojit të tyre, tërë zogjtë simbas llojit të tyre, tërë zogjtë e çfarëdo lloji. Ata erdhën te Noeu në arkë, dy nga dy, prej çdo mishi që ka frymë jete; hynë, mashkull e femër, nga çdo mish, ashtu si Perëndia e kishte porositur Noeun; pastaj Zoti i mbylli brenda.

Dhe përmbytja ra mbi tokë për dyzet ditë me radhë; dhe ujërat u rritën dhe e ngritën arkën lart mbi tokë. Ujërat u shtuan dhe u rritën shumë mbi tokë, arka pluskonte mbi sipërfaqen e ujërave. Dhe ujërat u shtuan me forcë të madhe mbi tokë; të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan. Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kubitë mbi to; dhe malet u mbuluan prej tyre.

Kështu u shuan të gjitha llojet e mishit që lëviznin mbi tokë: zogjtë, bagëtia, bishat, rrëshqanorët e çdo lloji që zvarriteshin mbi tokë dhe tërë njerëzit. Vdiq çdo gjë që ishte mbi tokën e thatë dhe që kishte frymë jete në vrimat e hundës. Dhe të gjitha gjallesat që ishin mbi faqen e dheut u shfarosën: duke filluar nga njeriu deri te bagëtia, te gjarpërinjtë dhe zogjtë e qiellit; ato u shfarosën nga toka dhe shpëtoi vetëm Noeu bashkë me ata që ishin me të në arkë. Dhe ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.

Pastaj Perëndisë iu kujtua Noeu, të gjitha gjallesat dhe tërë bagëtia që ishte me të në arkë; dhe Perëndia bëri që të fryjë një erë mbi tokë dhe ujërat e ulën lartësinë e tyre. Burimet e humnerës dhe kataraktet e qiellit u mbyllën dhe shiu nga qielli pushoi. Dhe ujërat vazhduan të tërhiqeshin nga toka; dhe mbas njëqind e pesëdhjetë ditësh ishin pakësuar.

* * * * *

NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 10:1-22.

Fjalët e urta të Salomonit. Një fëmijë i urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënës së vet. Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi, por drejtësia të çliron nga vdekja. Zoti nuk do të lejojë që i drejti të vuajë nga uria, por hedh poshtë dëshirën e të pabesëve.

Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh. Ai që mbledh gjatë verës është një bir i matur, por ai që fle në kohën e korrjeve është një bir që të mbulon me turp. Ka bekime mbi kokën e të drejtit, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve. Kujtimi i të drejtit është në bekim, por emri i të pabesit do të kalbet.

Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet. Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t’u zbuluar. Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet. Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve. Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet. Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.

Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë. Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfërit është varfëria e tyre. Puna e të drejtit i shërben jetës, fitimi i të pabesit mëkatit. Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb. Kush e maskon urrejtjen ka buzë gënjeshtare dhe ai që përhap shpifje është budalla. Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.

Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur, por zemra e të pabesëve vlen pak. Buzët e të drejtit ushqejnë mjaft njerëz, por budallenjtë vdesin sepse nuk kanë mend.
Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje.