KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
DEKLARATË
THIRRJA E SINODIT TË MADH DHE TË SHENJTË ËSHTË E DOMOSDOSHME
Në debatin që është intensifikuar ditët e fundit në lidhje me Sinodin e Madh e të Shenjtë të Orthodhoksisë, ndiejmë detyrimin të theksojmë përmbledhtazi se:
1. Thirrja e Sinodit në fjalë është vendosur në dy Mbledhjet e fundit të Primatëve të Kishave Orthodhokse Autoqefale, në Konstandinopojë, më 2014 dhe në Shambezi të Gjenevës, më 2016. Njëra nga Kishat nuk e nënshkroi vendimin në Konstandinopojë, megjithatë shumica e pranoi. E njëjta gjë ndodhi në Mbledhjen e vitit 2016 në Gjenevë.
Anulimi i thirrjes së Sinodit të Madh dhe të Shenjtë nuk mund të ndodhë pa një vendim të ri të trupës që mori vendimin e parë. Nuk është e mundur të anulohet në çastin e fundit me lajmërime dhe mesazhe të bëra nga palë të ndryshme.
2. Parimi i konsensusit ka vlerë kur organet kishtare mblidhen, studiojnë çështjet dhe marrin vendimet. Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu, në vitin 2016 në Shambezi, e sqaroi konceptin e konsensusit dhe për këtë nuk pati kundërshtime. Konsensus nuk do të thotë veto. Tradita kishtare e njëzet shekujve, veçanërisht në lidhje me procedurën e marrjes së vendimeve në sinod, nuk duhet të mënjahohet dhe të mos merret parasysh.
3. Problemet që kanë dalë, është më se e qartë, janë të shumta. Për këtë arsye realizimi i Sinodit të Madh dhe të Shenjtë është domosdoshmëri. Të gjitha çështjet nuk është e mundur që të zgjidhen, prandaj le të trajtohen qoftë edhe disa prej tyre. E pakta është më e pëlqyeshme sesa asgjëja. Le të lutemi që trajtimi i çështjeve të tjera të realizohet në një Sinod të ardhshëm. Shtyrja e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh do të plagosë ndjenjat e orthodhoksëve në mbarë botën dhe do të cenojë autoritetin e përgjithshëm të Orthodhoksisë.
4. Dhe një lutje e nxehtë për Sekretarinë Panorthodhokse të Sinodit (Rregullorja e Organizimit dhe e Funksionimit nr.6. par.7), e cila mblidhet nesër në Kretë, për të marrë vendimet e fundit: Le të ndërmerret çdo lloj përpjekjeje e mundshme për të siguruar pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Sinodit në Liturgjinë Hyjnore hapëse të Pentikostisë dhe në Mbrëmësoren e Shpirtit të Shenjtë. Ky veprim është një simbolikë thelbësore e unitetit. Transporti i një grupi të madh njerëzish, që lëviz me vështirësi në distanca të mëdha, shton shpenzimet, lodhjen, gjërat e paparashikuara, por edhe rreziqet e mundshme. Le të sakrifikohen dëshirat dhe synimet e ndryshme. Zhvillimi pa pengesa dhe i qetë i mbledhjeve të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh ka rëndësi mbi gjithçka tjetër.
“Atij që sipas fuqisë që veprohet te ne mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë apo mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Jisu Krishtit në gjithë brezat në jetë të jetëve. Amin” (Efes. 3:20-21).
Tiranë 8 qershor 2016,
Mbyllja e së kremtes së Pashkës
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë