Sot, 21 shkurt, në magazinat e emergjencave në Tiranë, u dorëzuan përsëri ndihma, ushqime dhe veshje, për banorët e zonave të përmbytura në Jug të vendit. Ato ishin mbledhur nga besimtarët e Tiranës dhe Durrësit, si dhe nga nxënësit e shkollës shqiptaro-amerikane “Protagonistët” të Kishës sonë. Këto ndihma konsistonin në rreth 80 pako me ushqime dhe veshje dhe u dorëzuan nga Episkopi i Krujës, Imzot Andoni.

    Që në ditët e para të emergjencës besimtarët orthodhoksë, pas thirrjeve që u bënë nëpër kisha, u mobilizuan për të ndihmuar. Ndihmat e para u mblodhën në Mitropolinë e Beratit (Berat, Lushnjë, Fier, Vlorë) dhe u dorëzuan në shtabet e emergjencës në Novoselë e Levan.

    Një kontigjent i dytë, me sasi ndihmash të tjera, u dorëzua më 11 shkurt. Për të përmbyturit, me dhuratat e besimtarëve orthodhoksë, ishin përgatitur 160 pako me ushqime ( me peshë mbi 2 tonë) dhe 330 bidonë (7 litërsh) me ujë.

    Po kështu, në Shtabin e Emergjencave të Fierit u dorëzuan ndihmat që u mblodhën në Mitropolinë e Korçës, pas thirrjes dhe sensibilizimit që u bë në të gjitha kishat dhe në televizionin lokal.

    Gjithashtu, një ndihmë nga Kisha jonë u dha në qytetin e Selenicës. Pas daljes së Vjosës nga shtrati, u prish stacioni i pompimit dhe qyteti mbeti pa ujë. Kështu, me kontributin e besimtarëve, u mblodhën 600 bidonë uji 8-litërsh, që u dorëzuan në shtabin e emergjencës.

 

    Mbledhja e ndihmave vazhdon.

 

Tiranë, 21 shkurt 2015

 

Zyra e Shtypit

e kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.