Të premten, 27 maj, një grup pelegrinësh orthodhoksë, të enorisë së Shën Theodhorëve në Vlorë, u godit nga një aksident tragjik dhe fatal. Pasi kishin vizituar Manastirin e Shën Vlashit, në Durrës, iu drejtuan qytetit të Krujës. Në hyrje të tij autobusi u përfshi nga flakët si shkak i një shkëndije elektrike, duke vënë në rrezik jetën e gjithë personave që ndodheshin brenda. Duhen falënderuar me gjithë shpirt qytetarët e Krujës dhe veçanërisht njëri prej tyre, që u ndodh aty pranë, të cilët ndërhynë për të ndihmuar dhe thyen xhamat e mjetit për të dalë njerëzit, duke shpëtuar jetën e shumicës prej tyre. Por motra e dashur më Krishtin, zj. Violeta Gjika, nuk mundi tu mbijetoje flakëve. Perëndia ta prehë në tendat e të drejtëve dhe familjareve të saj t’u lehtësojë dhimbjen.
Një falënderim i veçantë i takon edhe zjarrfikësve, forcave të rendit, punonjësve të shëndetësisë të spitalit të Krujës dhe gjithë atyre që me impenjim maksimal ndihmuan të plagosurit.
Me impenjimin maksimal të Ministrisë së Shëndetësisë të plagosurit rëndë u transferuan në Spitalin e Djegieve, në QSUT “Nënë Tereza”, ku u pritën dhe u trajtuan me përkushtimin maksimal nga personeli.
Të plagosurit u vizituan nga Kryeministri Rama, i cili shoqërohej nga Ministri i Shëndetësisë Z. Beqja, duke shprehur interesimin dhe kujdesin maksimal për trajtimin e të plagosurve.
Të plagosurit i vizitoi një për një në mjediset e terapisë intensive dhe në dhomat ku ishin shtruar Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga Ministri Beqja. Ai u lut për ta, i bekoi dhe iu uroi për një shërim sa më të shpejtë.
Për ngjarjen u shpreh edhe Presidenti Nishani, i cili deklaroi: “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh keqardhjen e sinqertë dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike të autobusit të besimtarëve në Krujë, duke ngushëlluar njëkohësisht familjarët e viktimës që humbi jetën.
Kreu i Shtetit, krahas shqetësimit për ngjarjen e rëndë, shpreh urimet për një shërim sa më të shpejtë të të lënduarve të shumtë, duke i bërë njëkohësisht thirrje Qeverisë dhe institucioneve përkatëse e përgjegjëse që të ofrojnë ndihmë të specializuar jashtë vendit, nëse është e nevojshme. Presidenti Nishani kërkon gjithashtu nga Prokuroria dhe organet e ligjzbatuese të hetojnë ngjarjen e rëndë me pasoja fatale për pelegrinët e aksidentuar, në mënyrë që të dalë në dritë e vërteta dhe të zbulohen shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie.”
Nëpërmjet rrjeteve sociale dhimbjen dhe ngushëllime ka shprehur edhe Kryetari i partisë Demokratike Basha: “Dhimbje dhe pikëllim për aksidentin e rëndë në Krujë. Ngushëllimet e mia për familjarët e viktimave. Bashkohem ne lutjet dhe shpresën që pasojat e këtij aksidenti të mos rëndohen më tej dhe që të lënduarit të kenë një shërim sa më të shpejtë”.
Të plagosurit u vizituan edhe nga Kryetari i bashkisë Vlorë, z. Dritan Leli, deputetë të Qarkut etj.
Janë 11 besimtarë të shtruar në spital, nga të cilët 7 në reanimacion, disa prej tyre në rrezik jete. Ndaj, ju lutemi te mbetemi te bashkuar në lutje, për përmirësimin e shëndetit të tyre dhe shërimin sa më të shpejtë të secilit.