Përkthimi nga Stefan Zhupa
1.Një rrugëtim i shkurtër historik
Qarkorja Patriakale dhe Sinodike e Patriarkut Ekumenik Joakimi III, e vitit 1902, përmes së cilës ftoheshin Primatët e Kishave Orthodhokse Autoqefale të bashkëpunonin për zgjidhjen e problemeve që haste Kisha Orthodhokse, ishte shkëndija e parë për parapërgatitjen e një Sinodi të Madh Panorthodhoks. Kjo ide frymëzoi edhe Këshillin Panorthodhoks të Patriarkanës (1923). Në vitin 1930, Patriarku Ekumenik, Foti II, mblodhi Komisionin Parapërgatitor Ndërorthodhoks në Manastirin e Hirshëm të Vatopedhit, në Malin e Shenjtë, në të cilin u hartua edhe lista e parë me shtatëmbëdhjetë çështje që duheshin diskutuar, ndër të cilat veçohen marrëdhëniet ndërorthodhokse, marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me Kishat dhe Bashkësitë (Konfesionet) e tjera të krishtera, çështja e Kalendarit dhe shumë pyetje rreth rregullit kishtar. Sinodi Panorthodhoks ishte i nevojshëm edhe për shkak të ndryshimeve të mëdha që pati Kisha Orthodhokse në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX me shfaqen e Kishave të reja Autoqefale, por edhe për shkak të sfidave me të cilat u përball Kisha në shek. XX, që erdhën për shkak të Luftës së I Botërore.
2. Kontributi i Patriarkut Ekumenik Athinagora.
Risjellja edhe një herë në vëmendje e idesë për të mbledhur një Sinod të Madh, i atribuohet Patriarkut Ekumenik Athinagora, më konkretisht dy Qarkoreve të tij Patriakale drejtuar Primatëve të Kisha Orthodhokse Autoqefale, përkatësisht në vitin 1951 dhe 1952. Por, fillimi përfundimtar dhe në mënyrë zyrtare i procedurave parapërgatitore të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse ndodhi në vitin 1961, me mbledhjen e Konferencës së parë Panorthodhokse në Rodos. Konferenca miratoi një listë të gjatë çështjesh që do të duhej të shqyrtoheshin prej Sinodit, të cilat ishin ndarë në këto kategori: 1) Besimi dhe dogma, 2) Adhurimi Hyjnor, 3) Administrimi i Kishës, 4) Marrëdhënia ndërmjet Kishave Orthodhokse, 5) Orthodhoksia dhe bota, 6) Çështje teologjike, si p.sh. ekonomia përballë saktësisë kanonike, marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me fetë e tjera, eutanazia dhe djegia e të vdekurve, 7) Çështje sociale, siç p.sh. familja, rinia, diskriminimi.
Konferenca e parë Panorthodhokse Parasinodike, mbajtur në Chambesy të Gjenevës, në vitin 1976, e kufizoi listën e mësipërme, duke e konsideruar atë disi ambicioze, dhe vendosi që të përqendroheshin në tre fusha kryesore: marrëdhëniet ndërorthodhokse, marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me pjesën tjetër të botës së krishterë dhe dëshmia e Kishës Orthodhokse në botën bashkëkohore. Që nga ajo kohë, në programin e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, bënin pjesë këto dhjetë çështje: 1) Çështja e Kalendarit, 2) pengesat e martesës, 3) përshtatja e rregullave të kreshmës me kërkesat e botës bashkëkohore, 4) marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me Kishat dhe Bashkësitë (Konfesionet) e tjera të krishtera, 5) Marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me Lëvizjen Ekumenike, 6) Marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me botën, 7) çështja e Diasporës Orthodhoske, 8) Autoqefalia dhe mënyra e shpalljes së saj, 9) Autonomia (kishtare) dhe mënyra e shpalljes së saj, 10) Diptikët e Hirshëm në Kishën Orthodhokse.
3. Procesi i gjatë i parapërgatitjes së Sinodit
Konferenca e parë Panorthodhokse Parasinodike, e mbajtur në Chambesy të Gjenevës, në vitin 1976, përcaktoi procedurën e parapërgatitjes së Sinodit të Shenjtë dhe të Madh. Sekretariati i parapërgatitjes së Sinodit të Shenjtë dhe të Madh u vendos në Qendrën Orthodhokse të Patriarkanës Ekumenike në Chambesy. Këtij Sekretariati iu ngarkua përgjegjësia e mbledhjes së propozimeve të Kishave Orthodhokse në lidhje me çdonjërën prej dhjetë çështjeve të përcaktuara dhe e hartimit të një raporti, i cili në vazhdim do të duhej të shqyrtohej nga një Komision Ndërorthodhoks Parapërgatitor, i thirrur prej Patriarkanës Ekumenike. Ky Komision ishte i detyruar të mblidhej sa herë të ishte e nevojshme, deri sa të arrihej një marrëveshje ndërmjet Kishave Orthodhokse Autoqefale.
Teksti i formuluar prej Konferencës së parë Panorthodhokse Parasinodike të Chambesy-së në lidhje me marrëveshjen e domosdoshme, në vazhdim, nëpërmjet Sekretariatit, iu dërgua Sinodit të çdo Kishe Orthodhokse vendore për ta miratuar apo mos kishte ndonjë gjë për t’u rishikuar. Nëse do të kishin ndonjë vërejtje, çdo Kishë duhej t’ia dërgonte atë Sekretariatit, i cili i merrte parasysh për hartimin e tekstit përfundimtar, që do të duhej të diskutohej nga një Konferencë tjetër Panorthodhokse Parasinodike, e thirrur sërish prej Patriarkanës Ekumenike. Dhe kjo ishte faza e fundit e shqyrtimit të teksteve rreth temave të ndryshme të Sinodit, të cilat duhej të diskutoheshin dhe të miratoheshin përfundimisht prej këtij të fundit. Pra, duket qartë që kemi pasur të bëjmë me një proces të gjatë dhe të ndërlikuar për të përgatitur Sinodin e Shenjtë dhe të Madh, i cili mbështetej mbi parimin e të qenit në një mendje.
Me këtë frymë, pra, Konferenca e dytë Panorthodhokse Parasinodike e vitit 1982, në Chambesy, miratoi tekstin përfundimtar për sa i përket pengesave të martesës, përshtatjes së rregullave të kreshmës me kërkesat e botës bashkëkohore dhe çështjes së Kalendarit, veçanërisht për përcaktimin e datës së përbashkët të kremtimit të Pashkës pas një konference të mbajtur në Chambesy, në të cilën morën pjesë astronomë dhe kanonologë orthodhoksë. Konferenca e tretë Panorthodhokse Parasinodike e vitit 1986 miratoi tekstin: “Kontributi i Kishës Orthodhokse në ruajtjen e paqes, të drejtësisë, të lirisë, të vëllazërisë dhe të dashurisë ndërmjet popujve, si edhe në zhdukjen e diskriminimeve racore, por edhe të çdolloj diskriminimi në përgjithësi”, si edhe tekstet: “Orthodhoksia dhe Lëvizja Ekumenike” dhe “Marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me pjesën tjetër të botës së krishterë”. Gjithashtu, u miratua edhe “Rregullorja e Funksionimit të Konferencës Panorthodhokse Parasinodike” dhe i Këshillave Ndërorthodhoksë Parapërgatitorë, të gjitha vendimet e të cilëve duhej të merreshin në një mendje, me përjashtim të çështjeve procedurale, vendimet e të cilave duhej të merreshin me votat e dy të tretave të kryetarëve përfaqësues që ishin të pranishëm.
Shembja e Bashkimit Sovjetik (1991), që solli pavarësinë e shumë vendeve dhe ripërtëritjen e nacionalizmit, e vonoi shumë procesin e parapërgatitjes së Sinodit të Shenjtë dhe të Madh në vitet 90. Ky proces filloi sërish në vitet 2000 me nxitjen e Takimit të Primatëve të Kishave Orthodhokse në vitin 1992, 1995 dhe 2000, me iniciativë të Patriarkut Ekumenik, imzot Bartolomeut.
Konferenca e katërt Panorthodhokse Parasinodike e vitit 2009 në Chambesy, pranoi tekstin përfundimtar të Diasporës Orthodhokse, i cili miratoi Asamblenë e Episkopëve Orthodhoksë në dymbëdhjetë zona: 1) në Amerikën veriore dhe qendrore, 2) në Amerikën jugore, 3) në Australi dhe Zelandën e Re, 4) në Britaninë e Madhe dhe Irlandë, 5) në Francë, 6) në Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg, 7) në Austri, 8) në Itali, 9) në Zvicër, 10) në Gjermani, 11) në Skandinavi, 12) në Spanjë dhe Portugali. Zona e Amerikës veriore dhe qendrore, gjatë Takimit të Primatëve të Kishave Orthodhokse të vitit 2014, u nda në dy zona, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Meksika iu bashkua zonës së Amerikës jugore, e cila u quajt “Amerika Latine”. Konferenca e katërt Panorthodhokse Parasinodike miratoi edhe Rregulloren e Funksionimit të këtyre asambleve të Episkopëve.
4.Hapat e fundit drejt Sinodit.
Në Takimin e Primatëve të Kishave Orthodhokse në Patriarkanën e Ekumenike, në Fanar, në mars të vitit 2014, u vendos të krijohej një Këshill i Veçantë Ndërorthodhoks për rishikimin, ripërpunimin ose rregullimin e disa teksteve të Konferencës së dytë dhe të tretë Panorthodhokse Parasinodike të viteve 1982 dhe 1986. Përveç kësaj, Takimi i Primatëve miratoi edhe parimin se të gjitha vendimet e Sinodit duhet të merren në një mendje. Gjithashtu, u vendos që Sinodi i Shenjtë dhe i Madh do të mblidhej në Konstandinopojë, në vitin 2016, përveç ndonjë rasti të paparashikuar, në të kremten e Perndikostisë, në Kishën e Shën Irinit, aty ku u mblodh edhe Sinodi II Ekumenik. Sinodi do të drejtohet nga Patriarku Ekumenik, siç është e përcaktuar, ndërsa Primatët e Kishave të tjera Orthodhokse do të ulen në të djathtë dhe në të majtë të tij dhe çdo Kishë Orthodhokse do të dërgonte një përfaqësi prej njëzet e katër episkopësh.
Këshilli i Vençantë Ndërorthodhoks u mblodh në Qendrën Orthodhokse të Patriarkanës Ekumenike, në Chambesy, në tetor të vitti 2014, në shkurt dhe në mars/prill të vitit 2015, dhe rishikoi tekstet që kishin të bënin me Marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me Lëvizjen Ekumenike dhe me pjesën tjetër të botës së krishterë, duke i ndërthur në një tekst të përbashkët me titull “Marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me pjesën e tjetër të botës së krishterë”. Teksti “Kontributi i Kishës Orthodhokse në ruajtjen e paqes, të drejtësisë, të lirisë, të vëllazërisë dhe të dashurisë ndërmjet popujve, si edhe në zhdukjen e diskriminimeve racore, por edhe të çdolloj diskriminimi në përgjithësi” u rishikua dhe u korrigjua. Teksti “Rëndësia e kreshmës dhe zbatimi i saj sot” pati thjesht disa korrigjime të vogla për sa i përket mënyrës së formulimit. Teksti i vitit 1982 rreth Kalendarit nuk qe e mundur të rishikohej nga Këshilli, sepse Konferenca e dytë Panorthodhokse Parasinodike (1982) kishte vendosur të bënte disa ndërhyrje në të ardhmen. Këshilli i Veçantë Ndërorthodhoks nuk ra në një mendje për sa i përket tekstit “Pengesat e martesës”, të vitit 1982, e cila u la të parashtrohej në Sinod siç ishte.
Konferenca e pestë Panorthodhokse Parasinodike e tetorit të vitit 2015 në Chambesy miratoi tekstin “Autonomia (kishtare) në Kishën Orthodhokse dhe mënyra e shpalljes së saj”, i cili ishte formuluar nga Këshilli Ndërorthodhoks Parapërgatitor, në vitin 2009. Gjithashtu, kjo Konferencë shqyrtoi tekstet që kishte rishikuar Këshilli i Veçantë Ndërorthodhoks në vitin 2014 dhe 2015. U miratuan njëzëri tekstet “Marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me pjesën tjetër të botës së krishterë” dhe “Rëndësia e kreshmës dha zbatimi i saj sot”. Teksti me titull “Kontributi i Kishës Orthodhokse në ruajtjen e paqes, të drejtësisë, të lirisë, të vëllazërisë dhe të dashurisë ndërmjet popujve, si edhe në zhdukjen e diskriminimeve racore, por edhe të çdolloj diskriminimi në përgjithësi” u quajt “Misioni i Kishës Orthodhokse në botën bashkëkohore”, por nuk qenë në një mendje me këtë tekst, sepse ai nuk u firmos nga kryetarët e përfaqësuese të Kishës së Rusisë dhe të Gjeorgjisë.
5.Takimi i Primatëve në janar të vitit 2016
Për dy nga dhjetë çështjet e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse që ishin në shqyrtim nuk u gjet gjuha e përbashkët nga Këshilli Nërorthodhoks Parapërgatitor. Bëhet fjalë për tekstet e “Autoqefalisë dhe mënyrës së shpalljes së saj” dhe të “Diptikëve të Hirshëm”. Mbledhja e Primatëve në janar të 2016 në Chambesy, përfundimisht, vendosi që këto dy çështje të mos shqyrtohen nga Sinodi i Shenjtë dhe i Madh dhe të lihen për diskutim në një Sinod të ardhshëm. Ky Takim vendosi që të hiqej nga programi i Sinodit të Shenjtë dhe të Madh edhe çështja e Kalendarit, përderisa disa Kisha Orthodhokse u shprehën se tani për tani nuk dëshironin dhe nuk ishin gati ta ndryshonin Kalendarin. Përveç këtyre, Takimi i Primatëve ripërpunoi rrënjësisht tekstin e pengesave të martesës, i cili u quajt “Misteri i martesës dhe pengesat e tij”.
Duke pasur parasysh që tekstet “Marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me Lëvizjen Ekumenike” dhe “me pjesën tjetër të botës së krishterë” ishin shkrirë në një tekst të përbashkët, atëherë çështjet që do të trajtohen nga Sinodi i Shenjtë dhe i Madh, të cilat u miratuan nga Takimi i Primatëve në janar të vitti 2016, bashkë me tekstet e tyre përkatëse, do të jenë:
- Misioni i Kishës Orthodhokse në botën bashkëkohore.
- Diaspora Orthodhokse.
- Autonomia në Kishën Orthodhokse dhe mënyra e shpalljes së saj.
- Misteri i martesës dhe pengesat e tij.
- Rëndësia e kreshmës dhe zbatimi i saj në ditët e sotme.
- Marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me pjesën tjetër të botës së krishterë.
Duke parë vështirësitë e situatës politike në Lindjen e Mesme dhe tensionin ndërmjet Turqisë dhe Rusisë, Takimi i Primatëve e përjashtoi mundësinë e mbledhjes së Sinodit të Shenjtë dhe të Madh në Konstandinopojë dhe vendosi që të mblidhet në Akademinë Orthodhokse të Kretës, në datat 18 deri në 27 qershor 2016. Të Dielën e Perndikostisë, më 19 qershor, do të kryhet bashkëmeshimi panegjirik në Kishën e Hirshme të Shën Minait, në Irakli të Kretës, me pjesëmarrjen e të gjithë Primatëve Orthodhoksë. Sinodi do t’i mbyllë punimet të Dielën e Gjithë Shenjtorëve, më 26 qershor.
Gjithashtu, Takimi i Primatëve miratoi edhe Rregulloren e Organizimit dhe të Funksionimit të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse. Sipas kësaj rregulloreje, përfaqësuesit e Kishave Orthodhokse vendore, të cilët janë 24 episkopë nga çdo Kishë, mund, siç ishte vendosur në Takimin e Primatëve në mars të 2014, të shoqërohen edhe nga një këshill i veçantë, i cili mund të përbëhet nga klerikë, murgj ose laikë, por numri i tyre nuk duhet të jetë më shumë se gjashtë veta. Gjithashtu, çdo Kishë Orthodhokse Autoqefale, duhet të dërgojë edhe tre veta si personel ndihmës (stewards). Gjuhët zyrtare të Sinodit do të jenë greqishtja, rusishtja, frëngjishtja dhe anglishtja, si edhe arabishtja si gjuhë pune (artikulli 9). Gjithashtu, u krijua një Sekretariat Panorthodhoks i Sinodit nga një kryeprift prej çdo delegacioni dhe nga Sekretari i Sekretariatit Parapërgatitor të Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, i cili do të ketë rolin e Sekretarit Panorthodhoks (Artikulli 6). Këta 15 kryepriftërinj do të ndihmohen nga këshilltarë të përshtatshëm, klerikë, murgj ose laikë, të cilët do të zgjidhën nga këshilli i delegatëve të çdo Kishe Orthodhokse vendore. Numri i këshilltarëve nuk duhet të jetë më shumë se dy për çdo përfaqësi (artikulli 6). Sekretariati Panorthodhoks, i cili do të fillojë punimet që në mars të 2016, do të ketë përgjegjësinë e përcaktimit të gazetarëve që do të jenë të pranishëm (artikulli 16). Këta gazetarë, si edhe vëzhguesit e ftuar nga Kishat dhe Bashkësitë (Konfesionet) e tjera të krishtera do të kenë mundësi të marrin pjesë në hapjen dhe në mbylljen e Sinodit, por pa të drejtë fjale dhe vote (artikujt 14 dhe 16).
Kësisoj, mbyllet procedura e gjatë e parapërgatitjes së Sinodit, e cila zgjati afërsisht 50 vjet. Vlera e metodologjisë së saj, parimi i të qenit në një mendje, domethënë parimi i marrjes së vendimeve njëzëri, që gjatë udhëtimit ishte vështirësia kryesore, duket se do të na sigurojë që Sinodi i Shenjtë dhe i Madh do të jenë një vërtetim i unitetit të Kishës Orthodhokse dhe jo faktor skizme apo përçarjeje. Besimtarët orthodhoksë luten që Ngushëllimtari të ndriçojë dhe të udhëheqë Etërit e Sinodit. Kjo është edhe arsyeja për të cilën Primatët, gjatë Takimit të janarit të 2016 në Chambesy, “kërkuan me përulësi hirin dhe bekimin e Perëndisë Triadik dhe kërkojnë lutjet e zjarrta të tërësisë së Kishës, të klerikëve dhe laikëve, gjatë periudhës deri ditën e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, si edhe gjatë punimeve të tij” (Shpallur më 27 janar 2016).