Të shtunën, më 7 dhjetor 2013, në sallën e konferencave të Universitetit LOGOS, në Tiranë, u krye ceremonia e dorëzimit të diplomave për 50 studentët që mbaruan sistemin 3 vjeçar në degët: Ekonomik, Laborator dhe Informatikë.
   Salla e konferencave ishte e mbushur me shumë pjesëmarrës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin pedagogë, studentë, prindër dhe të ftuar të tjerë. Në këtë eveniment merrte pjesë gjithashtu edhe Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi.
    Studentët u përshëndetën nga Rektori i këtij Universiteti, Prof. Dr. Ilia Telo i cili i falënderoi studentët që zgjodhën Universitetin Logos për të vazhduar studimet e tyre. Ai vazhdoi duke thënë: “Unë besoj se jeni të kënaqur. Universiteti Logos ka një personel akademik të përkushtuar, kushtet e shkollës nga më bashkëkohoret dhe tarifat më të ulëta se të tjerët. Ju uroj suksese në jetë dhe në punë dhe të mos harroni se e gjithë jeta është shkollë.”
    Zv/rektori Prof.As.Dr Beatriçe Polo në fjalën e saj theksoi se Shkolla e Lartë Universitare Private “Logos” është një shkollë konkurruese dhe e standarteve evropiane. Kjo shkollë drejtohet dhe zbaton Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Ligjin për Arsimin e Lartë, Udhëzimet e Ministrisë së Arsimit e të Shkencës, Udhëzimet e Agjencisë Publike e të Akreditimit të Lartë, Statutin dhe Rregulloren e Shkollës. Znj. Polo theksoi gjithashtu ecurinë dhe sfidat e kësaj shkolle ndër vite. Ajo foli edhe për marrjen e miratimit dhe Liçensimit nga Ministria e Arsimit për programet e studimit të ciklit të dytë “Master Profesional”. Nuk mungoi në fjalimin e saj as edhe përgëzimi për punën e bërë nga ana e studentëve përgjatë studimeve të tyre dhe urimet e shumta për suksese të mëtejshme.
    Studentët u përshëndetën dhe u uruan për diplomimin e tyre edhe nga Prof.Dr. Robert Andoni.
    Presidenti i Universitetit LOGOS, Prof.Dr +Anastasi, njëherësh Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë i uroi dhe i këshilloi studentët duke thënë: “Përgëzime për diplomën  të dashur  ish studentë. Gjithmonë të jeni studentë. Ta gëzoni diplomën. Zoti i bekoftë përpjekjet tuaja. Ju uroj shëndet, dashuri, kurajo, besim dhe suksese gjithmonë. Zoti me ju.”
    Katër studentët më të mirë, Ina Prengaj, Xhulian Spahiu, Kristi Xhaferri, Adriana Qoshja sollën para të pranishmëve fjalimet e tyre duke falënderuar stafin pedagogjik për përkushtimin dhe për kushtet bashkëkohore të universitetit. Ata gjithashtu uruan kolegët e tyre për suksese të mëtejshme.

Luljeta Pjetri