Pavarësisht trendit të këtyre kohëve “moderne” ku personat me sjellje dhe veprime të devijuara seksuale, jashtë natyre të cilësuar LGBT, që po përkrahen, promovohen dhe mbrohen sot me ligj nga homofobia dhe aq më tepër kur kjo tërheqje, instikt seksual jo natyral kërkohet të ligjërohet si një “martesë” me të gjitha të drejtat që ka një çift heteroseksual siç është ai i lindjes, i mbrojtjes dhe edukimit të fëmijëve, krishtërimi në përgjithësi dhe Kisha Orthodhokse në veçanti nuk e pranon këtë përligjje, por përkundrazi i rri kundër për këto arsye:

    1. Kisha quhet trupi i Krishtit dhe Ai kreu i saj, ajo është shtylla e së vërtetës në këtë botë dhe vazhdon t’i mësojë të gjithë kombet sipas fjalës së Perëndisë (Biblës). Në çdo altar të Kishës Orthodhokse gjendet Shkrimi i Shenjtë i cili lexohet dhe interpretohet çdo ditë, jo vetëm për besimtarët po për të gjithë ata që kanë veshë për të dëgjuar, atë çfarë i thotë Zoti njerëzimit në çdo brez. Bibla e plotë e shkruar përgjatë1600 vjetëve, libri më i përkthyer në botë (531 gjuhë) thotë qartë dhe pa nënkuptim, për fenomenin homoseksual që është i vjetër dhe pasojë e natyrës së rënë mëkatare të njeriut: “Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.” (Zan. 1:27) “Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme. Në qoftë se dikush ka marrëdhënie seksuale me një burrë ashtu si ato që bëhen me një grua, që të dy kanë kryer një degjenerim të neveritshëm, do të dënohen pa tjetër me vdekje; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta.” (Lev. 20:13)

    a. Bibla nuk është vetëm një libër fetar ligjor por edhe historik, atje është treguar se si popujt që devijuan nga ligji natyral i marrëdhënieve seksuale u ndëshkuan nga drejtësia Hyjnore.

    Dhe Zoti tha: “Me qenë se britma që ngrihet nga Sodoma dhe Gomorra është e madhe dhe me qenë se mëkati i tyre është shumë i rëndë (Zanafilla.18: 20) … Atëherë Zoti bëri që nga qielli të binte squfur dhe zjarr mbi Sodomën dhe Gomorrën, nga ana e Zotit. Kështu Ai shkatërroi ato qytete, tërë fushën, tërë banorët e qytetit e gjithçka mbinte mbi tokën.” ( Zanafilla 19: 24-25) Qytetet Sodoma dhe Gomorra gjendeshin në luginën e gjelbëruar të Jordanit dhe ato u shkatërruan gati 2000 vjet pr.Kr. dhe rrënojat e këtyre qyteteve mëkatare gjenden poshtë detit të vdekur i cili quhet i tillë, sepse nuk ka asnjë lloj gjallese për shkak të dendësisë së kripës dhe të squfurit. Nga historia e Sodomës doli dhe termi (sodomit) me të cilën etiketohen ata që kryejnë mëkatin e homoseksualitetit.

    b. Por Bibla është dhe një libër eskatologjik (që tregon të ardhmen). Vetë Jisu Krishti, Fjala e mishëruar e Perëndisë tha: “Dhe njerëzit në kohën e fundit do të jenë si në kohën e Sodomës dhe Gomorrës” (Lk. 17:28).

    c. Dhe ajo çfarë mund të themi në fund në lidhje me Biblën është se aty na thuhet qartë për gjykimin e gjithë njerëzimit në ditën e fundit të botës nga Jisu Krishti që është Zoti dhe Njeriu: “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët … nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë” (I Kor.6:9).

    Të gjitha këto fakte biblike e bëjnë të pamundur negocimin dhe tolerimin e Kishës për këtë fenomen (mëkat) sepse i duhet të mohojë dhe tjetërsojë Fjalën e Zotit të shkruar në Bibël. Por kjo është e pamundur të ndodhë sepse Krishti tha: “Qielli dhe Toka do të shkojnë, fjalët e mia nuk do të kalojnë” (Math. 24:35)

    2. Kisha e kundërshton dhe nuk është dakord me ligjërimin e marrëdhënies seksuale jashtë natyre duke e quajtur atë “martesë” sepse për Kishën Orthodhokse martesa është shumë e rëndësishme dhe një nga shtatë misteret e saj. Martesa nuk u shpik dhe u themelua nga Kisha apo njerëzit që shërbejnë në të, por ajo u formua dhe u bekua nga vetë Zoti Perëndi, që në zanafillën e njeriut. Njerëzit të cilët mbasi u krijuan, mashkull dhe femër nga Perëndia, Ai u tha: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni” (bashkim heteroseksual) (Zan. 1:28). Kështu siç ndodh në çdo kohë sipas ligjit të Krijuesit në të gjitha gjallesat, bimët, kafshët dhe aq më shumë tek njeriu që nuk është vetëm një qenie shtazore instiktive, por me shpirt të arsyeshëm dhe ikona e Perëndisë në gjithë krijimin.

    Vetë Krishti e filloi veprimtarinë e Tij duke bërë mrekullinë e parë në një martesë në Kana të Galilesë. Atje shndërroi ujin në verë dhe kështu Ai tregoi se erdhi që ta lartësojë martesën njerëzore, jo vetëm si një bashkim trup-shpirt të burrit me gruan, (uji që jep jetë) por ta shenjtërojë atë si një mister dhe mjet për të përfituar çifti gëzimin (vera që gëzon zemrën e njeriut) e përjetshëm në Mbretërinë e Zotit. Vet Ai tha duke përmendur Shkrimin e Zanafillës: “Burri lë nënën dhe babanë, merr gruan e vet dhe bëhet një mish dhe atë që Perëndia bashkoi njeriu mos ta ndajë” (Math. 19:5-6). Këto fjalë i thuhen me bekim çdo çifti burrë-grua që vjen të shenjtërojë lidhjen e tyre në Kishë.

    Martesa është e pandashme dhe e përjetshme prandaj sipas mësimit orthodhoks vetëm një martesë mund të përmbajë kuptimin dhe rëndësinë e plotë që Krishti i ka dhënë këtij realiteti. Tradita e krishterë orthodhokse e nxit atë që ka mbetur e ve apo i ve të mbetet besnik i bashkëshortes apo i bashkëshortit i cili ka vdekur në këtë botë por jeton tek Perëndia. Por për shkak të mëkatit të kurvërisë, lejohet edhe një martesë e dytë deri tek e treta. Kisha orthodhokse e konsideron në kundërshtim me përsosmërinë njerëzore të zbuluar nga Perëndia në Krishtin bashkëjetesën e përkohshme, lidhjen seksuale jashtë martese, lidhjet seksuale ndërmjet anëtarëve të të njëjtit seks dhe çdo devijim tjetër të pasionit të pakontrolluar seksual, si dhe prishjen e martesës.

    3. Kisha Orthodhokse e shikon martesën si shkakun parësor të familjes, qeliza e shoqërisë njerëzore. Dashuria e vërtetë në martesë nënkupton lindjen e fëmijëve. Prandaj njeriu u krijua hetoroseksual dhe iu dha si dhuratë nga Krijuesi tërheqja seksuale, që në kënaqësinë e bashkimit ai të riprodhojë vetveten, ADN e tij. Ata që dashurohen me të vërtetë në martesë do të kenë natyrshëm fëmijë si fryti i dashurisë së tyre dhe si lidhja më e madhe e bashkimit të tyre. Ata që i përçmojnë fëmijët të linden natyrshëm dhe nuk pranojnë t’ju japin atyre kujdes dhe përkushtim nuk dashurojnë me të vërtetë. Pa dyshim që ka edhe nga ata, martesat e të cilëve do të jenë pa fëmijë, për shkak të ndonjë tragjedie të natyrës së sjellë nga “mëkati i botës”. Në martesa të tilla mund të ekzistojë dashuria e vërtetë, por përkushtimi i ndërsjelltë në shërbimin e Perëndisë dhe njeriut do të marrë forma të tjera, ose në adoptimin e fëmijëve ose në shërbime të tjera të mira për të tjerë, dhe këtu flasim vetëm për çifte burrë-grua. Martesa pa fëmijë, qoftë nga zgjedhja e vullnetshme ose nga tragjedia natyrale, që rezulton në rehatidashje, nuk është një bashkim shpirtëror por egoist dhe afatshkurtër.

    4. Kisha ka një përkujdesje të veçantë për fëmijët, sepse Krishti iu tha nxënësve: “Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek Unë” (Math. 19:14). Të ligjërosh një marrëdhënie jo natyrale dhe ta quash atë “martesë” që nuk ka produkt fëmijësh biologjik është sa absurde dhe e rrezikshme, sepse si mund të pretendojë dikush të bëjë rolin e babait, kur mohon proçesin natyral të të qenit baba, po ashtu edhe e kundërta me një grua që pretendon të quhet nënë kur mohon proçesin natyral për t’u bërë nënë.

    Fëmija nuk është një send apo një kafshë, qen ose mace që e mbajnë njerëzit për të mos qëndruar vetëm ose për largimin e stresit. Ai është një subjekt, një qenie njerëzore, që vjen në jetë jo thjesht nga një veprimi i rastësishëm i instiktit seksual, ose i një veprimi mekanik siç ka arritur shkenca sot,(shtatzani invitro), por është një bashkim psiko-somatik i burrit me gruan që fillojnë atësinë dhe amësinë që në ngjizjen e këtij embrioni. Fëmija është produkti i dashurisë reciproke, prandaj këshillohet nga mjekët, psikologët që akti seksual të jetë i vetëtijshëm, me dashuri reciproke, jo produkt i abuzimit fizik dhe psikologjik, ose i stimuluesve si alkoolit, drogës. Gjatë shtatzanisë së gruas, (nënës) duhet t’i krijohet një ambient sa më relaksues, sepse çdo shqetësim, brengë ose hidhërim automatikisht kalon tek embrioni dhe kjo ndikon në zhvillimin e tij normal. Përkujdesja për fëmijën nga na e prindërve bëhet më e madhe kur fëmija vjen në jetë dhe atij duhet t’i krijohen të gjitha kushtet dhe mundësitë që të rritet si një qenie njerëzore me të drejta të barabarta, siç e përcakton edhe Deklarat e Përgjithshme e të Drejtën Themelore të Lirisë së Njeriu 1948 OKB, KONVENTA MBI TË DREJTAT E FËMIJËS Miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989, Neni 16.1. “Asnjë fëmijë nuk u nënshtrohet ndërhyrjeve arbitrare ose të paligjshme në jetën e tij private, në familje, në shtëpi ose në korrespondencën e tij, as cënimeve të kundërligjshme të nderit dhe reputacionit të tij. 2. Fëmija ka të drejtën e mbrojtjes me ligj kundër ndërhyrjeve ose cënimeve të tilla.”

    Por në rastin e adoptimit të këtij fëmije nga një çift homoseksual, fëmijës i mohohet padrejtësisht rritja normale natyrale, jo thjesht fizike, por psikologjike morale, sepse ai do të ndikohet nga kombinimi jo natyral i atyre të ashtuquajtur “prindër”, duke krijuar një çoroditje në mendim dhe përjetim, sepse do të shikojë në shtëpinë e tij “një çift prindërish” krejt të ndryshëm nga ajo që e shikon në natyrë dhe në familjet natyrale njerëzore. Si do të ndajë ky fëmijë nënën nga babai kur prindërit do t’i shfaqen dy burra ose dy gra. Ky kolaps psikologjik do të ndikojë në orentimin e tij seksual dhe ai ka premisa për të devijuar nga marrëdhënia natyrale në atë jo natyrale homoseksuale, sepse njeriu është një qenie zakonore sidomos fëmijët, që janë si ajo kaseta që regjistron çdo tingull dhe pamje dhe mbeten aty përgjithmonë (në subkoshiencë). Homoseksualiteti nuk është gjenetik. Njeriu nuk lind me atë prirje gjenetike siç thotë edhe doktori i gjenetikës Dean Hamer 1994: “Nuk mund të thuhet se ka një gjen ‘gei”. Pra, njeriu nuk lind me këtë devijim gjenetik, por ai ndryshon sjelljen dhe përqasjen seksuale nga ajo natyrale, në atë jashtë natyre, e ndikuar nga ajo që sheh, përjeton dhe provon nga të afërmit, ambjenti dhe kultura ku rritet.

    Dikush ka thënë: “më jep një fëmijë ta rris deri në moshën 7 vjeç dhe ai është gjithmonë i imi.”

    Sipas statistikave shumica e njerëzve homoseksualë janë bërë të tillë për shkak të abuzimeve ose shembujve që kanë pasur në fëmijërinë e tyre. Prandaj të marrësh një fëmijë dhe ta rritësh në këto kushte ‘’prindërore’’ është një shkelje e të drejtave të njeriut aq më tepër kur kjo bëhet tek një fëmijë që nuk ka moshë, mundësi dhe aftësi për të zgjedhur, pra ky është një krim. Prandaj si shteti që është garantues i të drejtave civile dhe shoqatat që mbrojnë fëmijët, si UNICEF-i, CRCA (Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri), Avokati i Popullit, po dhe vetë shoqëria nuk duhet ta lejojë këtë padrejtësi që t’ju bëhet këtyre fëmijëve të vegjël. Duket që këtyre “të mëdhenjve” nuk ju intereson se ç’mendon dhe përjeton një fëmijë, atyre ju intereson vetëm të justifikojnë instiktin e tyre të devijuar dhe meqenëse i qorton ndërgjegjja dhe opinion i shëndoshë, kërkojnë të bëjnë reklamën e familjes normale dhe moderne duke përdorur fëmijën, një gjë e ndaluar në marketing. Në këtë situatë të paprincip parlajmërimi i Krishtit është shumë aktual: “Mjerë ai që skandalis një nga këta fëmijë të vegjël, është më mirë për atë të varë në qafë një gur dhe të hidhet në fund të detit” (Math. 18:6).

    5. N.q.s. do të tolerojmë në këtë pikë për të përmbushur dëshirën seksuale të këtyre njerëzve dhe aq më tepër duke e promovuar si vlerë dhe zhvillim evolucionist të racës njerëzore të “Kohës së Re” me simbol ylberin, me dashje pa dashje po hapim “kutinë e Pandorës” dhe mbas këtij ligjërimi, jo shumë vonë të tjera devijime seksuale do të kërkojnë të drejtat e tyre dhe një ligj për t’i mbrojtur nga diskriminimi. Këtu flas për pedofilët (marrëdhënie me fëmijët), zoofilët (marrëdhënie me kafshë), nekrofilët (marrëdhënie me të vdekurit) dhe në të ardhmen në zhvillimin e teknologjisë robofilët (marrëdhënie me robotët) dhe të tjerë filë.

    Patjetër vetëm një naiv mund të mendojë se këto janë produkte të evolucionit të njeriut që filluan nga majmuni dhe përfundojnë kushedi se ku…? Por mbrapa gjithë këtij deformimi dhe devijimi të natyrës njerëzore fshihet një mendje e ligë që kërkon ta denigrojë njeriun, ikonën e Perëndisë, ta bëjë pa indentitet dhe dinjitet, që burri të mos ndjehet burrë dhe gruaja të mos jetë grua. Fëmijët të mos kenë shembull për imitim as të babait, as të nënës, kështu që nuk ka më familje, nuk ka më ideal, nuk ka më për çfarë të luftosh, nuk ka më shoqëri personash, kështu që njeriu kthehet një send, një shifër, një kavie eskperimentale, kafshë insiktive e kollajtë për t’u shfytëzuar dhe sunduar. Kisha e njeh këtë mendje të errët dhe ky është djalli, armiku i Perëndisë dhe njeriut, së bashku me ata që i shërbejnë planit të tij ç’njerëzor, si mashtrues të mashtruar.

    6. Kisha Orthodhokse duke urryer mëkatin dhe dashur mëkatarin e shikon dhe ekzaminon homoseksualitetin dhe çdo devijim seksual si sëmundje, jo sëmundje mendore ose gjenetike, që ka nevojë për terapi mjekësore, por si sëmundje që vjen nga mëkati që do të thotë devijim nga qëllimi, ashtu siç janë edhe mëkatet e tjera që bën njeriu si: vjedhja, gënjeshtra, vrasja, kurvëria tradhëtia bashkëshortore, lakmia duke qenë simptomat e natyrës së rënë të njeriut që kontrollohet nga instiktiktet shtazore të frymëzuara nga djalli dhe demonët.

    Zoti Jisu Krisht në natyrën e tij njerëzore mori të gjithë devijimet dhe mëkatet e njeriut dhe i shpagoi ato me kryqëzimin, vdekjen dhe ngjalljen e Tij; kështu çdo njeri ka mundësi që n.q.s. kërkon me pendim rikthimin në gjendjen e tij natyrale, kjo është e mundur me anë të Krishtit “mikun e mëkatarëve dhe mjekun për të sëmurët”, së bashku me Kishën e Tij, që si një spital kuron çdo sëmundje të mëkatit me të gjithë pasojat që ai lë pas. Dhe kjo është vërtetuar në ndryshimin e jetëve të njerëzve gjatë gjithë shekujve, “sepse ajo që është e pamundur për njerëzit është e mundur për Perëndinë” (Lk. 18:27). Apostull Pavli iu thotë korintasve të shquar për degjenerimin e tyre pagan: “Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jisu me anë të Frymës së Perëndisë sonë.” (I Kor. 6:9-11)

    7. Dhe në fund jo çdo gjë që na serviret nga BE-ja mund ta quajmë të drejtë, të shenjtë, të pa negociueshme, sepse edhe vetë sistemi i saj politiko-ekonomik po krijon kriza dhe çarje duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e saj. Europa mundi të arrijë deri në ditët e sotme sepse në themel të qytetërimit të saj pati ligjin dhe moralin e krishterë, por devijimi i sotëm nga ky ligj dhe moral po i krijon vetë Europës një krizë identiteti dhe një vakum ku të tjerët po e shfrytëzojnë për të hyrë brenda saj me të tjera vlera morale dhe fetare. Europa nuk duhet të mburret me këtë ligj si produkt i zhvillimit ekonomik dhe kulturor, përkundrazi duhet të turpërohet dhe të ndërgjegjësohet se është duke bërë kthim mbrapa në paganizmin primitive, ku çdo instikt dhe devijim seksual ishte i mbrojtur me ligj dhe i shenjtëruar me rituale që bëheshin në tempuj dhe statuja idhujsh homoseksualë dhe transvestit, që krishtërimi i demoskoi si të turpshme dhe fyese për dinjitetin njerëzor. Europa duhet të ndërgjegjësohet për shkakun e krizave brenda saj dhe duhet t’i rikthehet moralit të krishterë dhe të kujtojë fjalët e apostullit të kombeve drejtuar romakëve, aktuale dhe për kohën e sotme: “Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi… Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan, as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasioneve të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës. Në të njëjtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre.” (Rom. 1:18;21;24;27)

    Shqipëria dhe shqiptarët pavarësisht se janë një popull i vogël i kanë dhënë shumë Europës, edhe sot vazhdojnë t’i japin gjëra që asaj dhe botës i mungojnë, siç është harmonia ose vëllazëria fetare. Një tjetër vlerë që ne mund t’i japim Europës është dhe familja jonë tradicionale sipas Zotit dhe natyrës ashtu siç deklarohet dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodi i familjes, Neni 7: “Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç”.

 

Botuar online në gazetën “Tirana Observer”, dt. 17.05.2016

 

Nga Miron Çako, Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, KOASH