KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

 

NJOFTIM

 

Krijohen dy mitropoli të reja: Mitropolia e Apollonisë dhe e Fierit dhe Mitropolia e Elbasanit, të cilat  plotësohen me mitropolitë të rinj.

 

Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në mbledhjen e tij të datës 7 prill 2016, nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, vendosi: 

Së pari, ratifikoi përmirësimet e Statutit, të cilat janë miratuar nga Këshilli Kleriko – Laik dhe Asambleja Kleriko – Laike më 11-12 mars 2016.

Së dyti, themeloi dy mitropoli të reja: a) Mitropolinë e Shenjtë të Apollonisë dhe të Fierit, ku bën pjesë rrethi i Fierit, zona e Patosit dhe e Libofshës, të shkëputura këto nga Mitropolia e Beratit, Kaninës dhe Vlorës; b) Mitropolinë e Shenjtë të Elbasanit, ku bëjnë pjesë zonat e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, të shkëputura nga Kryepiskopata e Tiranës dhe Durrësit.       

Së treti, në përputhje me Statutin, pas propozimit të Këshillit Kleriko-Laik, ndërmori plotësimin e vendeve vakante të Mitropolive të mësipërme të sapokrijuara me anë të votimit të rregullt. Për Mitropolinë e Apollonisë dhe të Fierit, u zgjodh Hirësia e Tij, Episkopi i Apollonisë Nikolla (Hyka), deri tani drejtor i komanduar i Akademisë Theologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” – Shën Vlash, Durrës. Për Mitropolinë e Elbasanit, u zgjodh Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës Andoni (Merdani), deri tani protosingjel i Kryepiskopatës së Shenjtë. Të dy Hirësitë e Tyre janë diplomuar në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe në Fakultetin Theologjik të Universitetit të Athinës, si dhe kanë marrë Diploma Master. 

Më pas Sinodi i Shenjtë ngriti Episkopatën e Amantias në rang Mitropolie në personin e Hirësisë së Tij, Episkopit Nathanail (Stergiu), i diplomuar në Fakultetin Thelogjik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, i cili kryen edhe detyrën e Kryesekretarit të Sinodit të Shenjtë. Në vazhdim, në paraklisin e Trinisë së Shenjtë në Qendrën Sinodike, u dhanë Mesazhet e Mëdha përkatëse. 

 

 Kryesekretaria e Sinodit të Shenjtë, 8 prill 2016.