KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Delir shpifjesh kundër Kishës Orthodhokse
Mes shumë paradokseve që ndodhin në vendin tonë, shikojmë edhe një banor të Tetovës me origjinë myslimane, z. Arben Llalla, i cili merr përsipër të japë leksione të së Drejtës Kanonike dhe orientime për Kishën Orthodhokse të Shqipërisë. Ai shtrembëron, me mani patologjike dhe gënjeshtra dinake, ngjarje dhe vendime të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke u përpjekur në këtë mënyrë të mashtrojë opinionin publik. Deri më tani nuk ka dalë ndonjë orthodhoks të bëjë diçka të ngjashme kundër ndonjë komuniteti tjetër fetar. Është më se e sigurt, se artikujt e mbushur me dashakeqësi dhe shpifje të pabaza të z. Llalla, që boton dhe riboton (në disa portale online: botasot.info, mapo.al, kosovarimedia.com, gazetanewborn.net, ina-online.net, shqiptari.eu, në datën 16.03.2016, si dhe në gazetën “Ballkan”, në datën 18.03.2016), helmojnë atmosferën e paqes dhe harmonisë midis komuniteteve fetare në Shqipëri.
Sa i takon romanit shpifës kundër Kishës sonë që bëri në lidhje me një prift orthodhoks nga Vlora, të atë Ilia Qirio, me qëllim të vetëm të akuzojë me retorika fyese Kryepiskopin Orthodhoks, të vërtetën e ka zbuluar vetë atë Ilia me një letër të tijën, që u botua në Illiriapress.com 18.03.2016. Në këtë letër del në pah nderimi i madh që Kryepiskopi Anastas ka treguar gjithmonë për atin e tij, të cilin e hirotonisi episkop, dhe përkujdesja për familjen e episkopit Kozma Qirio. Priftërinjtë orthodhoksë nuk kanë nevojë për “prokurorin” e vetëshpallur z. Llalla për të mbrojtur të drejtat e tyre. Problemet dhe plagët- midis të cilave edhe pagimi i 23 milionë lekëve të rinj te një qytetar jo orthodhoks i Vlorës, që rrëmbeu me forcë një pronë kishtare dhe ndërtoi një restorant të tijin,- është Kryepiskopi ai që përpiqet t’i shërojë pa bërë zhurmë.
Kryepiskopi ynë, Anastasi, është bërë shënjestra e përhershme e shkruesit të këtyre artikujve, i cili, bashkë me qarqet që e përdorin, përpiqet ta baltosë duke fabrikuar sajesa. Por, autoriteti i tij mbarorthodhoks, që nuk mund vihet aspak në dyshim, dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm në Kishë për më tepër se 60 vjet, njihen nga qindra mijëra besimtarë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
21 Mars 2016
Nga Kryepiskopata e Hirshme