I nderuar zotëri, përgënjeshtroj dhe hedh poshtë me përçmim dhe indinjatë të thellë dy shkrimet tuaja të datave 8 dhe 16 mars 2016 në lidhje me personin tim. Ju si zakonisht shpreheni me përbuzje dhe ofendoni pa të drejtë Kryepiskopin Anastas, por kësaj radhe përpiqeni të përdorni persona dhe rrethana të caktuara për të arritur qëllimin tuaj. Problemin që ngrini ju, unë e zgjidh brenda Kishës dhe nuk kam kërkuar ndihmë jashtë saj e aq më pak, nga ju. Në artikullin tuaj ju flisni me një gjuhë të ashpër dhe ofenduese për të ulur figurën e Kryepeshkopit Anastas, i cili punon me mish e me shpirt për ringritjen e Kishës Orthodhokse. Unë e dua dhe e respektoj Kryepiskopin tim dhe këtë e kam trashëguar nga babai im Izmot Kozma Qirjo, për të cilin ju shprehni një “admirim”, i cili shfaqet vetëm së fundmi, çka më bën të mendoj se nuk është i natyrshëm dhe as i ndjerë.
Askush nuk mund të mohojë se im atë ka qenë një nga mbështetësit më të flaktë të Kryepishkopit Anastas që në mbërritjen e tij në vend, fillimisht si Eksark Patriarkal dhe në vazhdim si Kryepiskop i Kishës sonë. Ai ka qenë një nga pritësit e Kryepiskopit në mbërritjen e tij në aeroportin e Rinasit dhe gjithashtu askush nuk mund të mohojë, e aq më pak ju, mbështetjen e ndërsjellët dhe bashkëpunimin midis tyre si në Seminarin Teologjik ashtu edhe në të gjithë sektorët e tjerë të aktivitetit të KOASH-it. Ishte iniciativa e Kryepiskopit Anastas dhe pranimi vullnetmirë i tim eti që bënë të mundur ngritjen e tij në gradën episkopale dhe më tej krijimin e Sinodit të parë të KOASH-it pas persekutimit në bashkëpunim me Kryepriftërinjtë e shenjtë anëtarë të tij.
Kryepiskopi Anastas ka ndjekur nga shumë pranë shëndetin dhe ecurinë e tim eti, deri në ditën e fundit të jetës së tij. Ka kryer për të, të gjitha nderimet dhe ceremonitë që i përkasin një kryeprifti orthodhoks dhe i ka qëndruar pranë familjes në momente të vështira. Ai kujdeset që prej ditës së largimit nga jeta të babait tim, për nënën time, e cila jeton në një banesë të vënë në dispozicion nga Kryepiskopi Anastas dhe një pension të lidhur prej Kishës në mënyrë që të ketë një jetë dinjitoze. Unë gjithashtu banoj në një banesë, e cila është prone e kishës e blerë me kontributin e Kryepiskopit tonë të dashur. Ku është pra “persekutimi” dhe “kryqëzimi” im zoti Llalla? Jeta dhe puna kanë probleme siç kanë patur edhe në të shkruarën dhe do të kenë patjetër edhe në të ardhmen, por siç jua përmenda edhe më sipër, ato do të zgjidhen përherë brenda Kishës, me urtësi dhe lutje. Me dashamirësi ju bëj thirrje që të mos përsërisni shpifje të tilla dhe njëkohësisht i lutem Zotit që t’ju falë gjithë marrëzitë tuaja.
Së fundmi, ju them dhe ju siguroj se unë dhe im atë kemi qenë gjithmonë përkrah Kryepiskopit tonë Anastas dhe unë në gjurmët e babait tim do të ngelem i tillë deri në fund të jetës sime.
At Ilia Qirjo
Famullitar i Kishës së Shën e Premtes
Skrofotinë, Vlorë. 18 mars 2016