“Aftësitë bazë në mësimdhënie: Klasa e mirëmenaxhuar” – ishte kjo tema e trajnimit të organizuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë për 60 arsimtarë nga Kosova dhe Shqipëria, që u zhvillua nga 4-6 mars 2016 në qytetin e Pogradecit. Në këtë trajnim morën pjesë arsimtarë dhe drejtorë nga 7 shkolla të ndryshme në komunën e Malishevës, si dhe zyrtarë nga Drejtoria Komunale për Arsim dhe Edukim. Në fjalën e tij falënderuese zyrtari i DKAE, Shefqet Kryeziu, tha: “Deri tani jemi shumë të kënaqur me çfarë iu keni përcjell arsimtarëve dhe drejtorëve tanë. Për mua kjo ishte përvoja e parë”. Ndërsa arsimtari Fetah Hoti u shpreh se: “Kam rreth 800 orë trajnime, por këto trajnime që kemi marrë këtu kanë qenë vërtet shumë të dobishme dhe praktike”.

    Gjatë trajnimit dhjakon Spiro Topanxha përshëndeti zyrtarët, drejtorët dhe arsimtarët e ardhur nga Kosova dhe u përcolli atyre mesazhin e Kryepiskopit Anastas: “Edukimi dhe arsimi për Kishën Orthodhokse është shumë i rëndësishëm, gjë që e tregojnë edhe 30 institucionet arsimore nga arsimi i ulët deri tek ai universitar që Kisha ka hapur për edukimin e brezit të ardhshëm… Vazhdoni misionin tuaj të rëndësishëm pa harruar se sa ndikim keni tek ata fëmijë të cilët nuk janë vetëm e ardhmja por edhe e tashmja e vendit”.

    Trajnuesja, Ann Bryant, foli për mirëmenaxhimin e klasës, nevojën për të qenë mësues i organizuar dhe përgatitur, nevojën për të krijuar dhe ndjekur procedura dhe nevojën për të disiplinuar me një plan. Ndër të tjera ajo tha se, sipas hulumtimit shkencor: “Mirëmenaxhimi i klasës është faktori më i rëndësishëm, që rregullon të mësuarit e nxënësve.” Kur flasim për mirëmenaxhim të klasës i referohemi të gjitha gjërave që një mësues bën për të organizuar nxënësit, hapësirën, kohën dhe materialet që të nxënit të ndodhë. Në një klasë të mirëmenaxhuar nxënësit ndjehen të sigurt, përfshihen në punë, dinë çfarë pritet prej tyre dhe zakonisht janë të suksesshëm dhe nuk kanë paqartësi, humbje kohe apo ndërprerje.

    Ajo gjithashtu theksoi se. hulumtimet shkencore tregojnë se çelësi i efektshmërisë është organizimi. Çdo shkollë duhet të ketë rregulla të qarta si dhe pasoja pozitive dhe negative në rast të respektimit ose mos respektimit të rregullave dhe se të gjithë nxënësit janë të barabartë para rregullave.

    Trajnimi u mbyll me dëshirën për t’i përsëritur këto përvoja të paharruara, që tashmë po kthehen në një traditë të bukur.

 

Gabriela Hope