KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

 

      Drejtorit të “Gazeta Shqiptare”

 

Përgjigje për një shpifje të paturpshme

 

    Çdo deklaratë e re e z. Nikolla Marku dhe e grupit që e drejton atë, konkurron për nga përçartja me deklarata të mëparshme të bëra nga ai. Deklarata e fundit e tij, që u botua në gazetën tuaj (“Gazeta Shqiptare”, 23.2.2016) dhe u transmetua nga disa kanale televizive, arrin deri aty, sa kërkon rishikimin e Kushtetutës, shfuqizimin e një ligji dhe shpall se do të bëjë një ankim në gjykatat e Hagës etj. dhe shpif pa pasur turp, pa pasur provën më të vogël, për Kryepiskopin Orthodhoks, se është “ përfaqësues i shovinizmit të Vorio-Epirit” dhe madje se bashkëpunon me një parti nacionaliste ekstremiste greke. Por, në të gjithë Greqinë dhe në shumicën e njerëzve në Shqipëri, si dhe në mbarë botën e krishterë, e dinë se Kryepiskopi Anastas bën pjesë në ata njerëz që punojnë në vijën e parë për paqen dhe respektin e ndërsjellë midis njerëzve dhe popujve”. Për këtë arsye është zgjedhur në poste të larta të organizmave mbarëbotërore të krishterë dhe President Nderi i Konferencës Ndërfetare për paqen: “Fetë për Paqen”.

    Çdo lexues i mençur e kupton menjëherë nivelin e ulët të deklaratës së Nikolla Markut dhe të akuzave që bën. Por hartuesit e tij, duke ndjekur metodën “shpif-shpif (po të njëjtat gjëra), se diçka do të ngelet”, synojnë qoftë edhe sikur të mos bëhet asgjë fare, të krijohet zhurma që ata dëshirojnë në dëm të Kishës sonë. (Ka vlerë të shënohet fakti se sulme të tilla nuk bëhen ndaj asnjë komuniteti tjetër fetar në Shqipëri).

    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e vetmja që njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar, është njëra nga 14 Kishat Autoqefale Orthodhokse të botës, që ka marrëdhënie të shkëlqyera me Kishën Katolike dhe me të gjitha kishat anëtare të Këshillit Botëror të Kishave.

    Por cilët janë hartuesit e tekstit që u botua më 22 shkurt 2016, nga një farë komiteti i Elbasanit. Kemi demaskuar në mënyrë të përsëritur fytyrën e vërtetë të këtyre shpifësve të paskrupuj. Por qarqe të dyshimta vazhdojnë ta mbështesin, pavarësisht fakteve demaskuese, që nuk mund të vihen në dyshim. Përmbledhtazi theksojmë se:

    1. Nikolla Marku, i cili nuk ka asnjë lidhje me Kishën Orthodhokse të Shqipërisë të njohur nga Shteti dhe me asnjë lloj Kishe tjetër Orthodhokse. Marrëdhëniet midis Kishës Orthodhokse dhe Shtetit janë rregulluar në mënyrë përfundimtare me Ligjin 10057/22.1.2009, “Marrëveshja midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë…”, hartuar në bazë të prerogativës të diktuar nga Kushtetuta e Shqipërisë. Asnjë Kishë në botë (Katolike, Anglikane, Evangjeliste, Pentikostiane etj.) nuk e njeh si klerik orthodhoks.

    2. “Komiteti për mbrojtjen e pavarësisë së Kishës Ortodokse të pavarur kombëtare shqiptare”, kryetar i të cilit vetëdeklarohet, nuk është “Kishë” dhe as komunitet fetar me kuptimin që ka Kushtetuta. Është vetëm komiteti i një lagjeje të një qyteti dhe nuk njihet fare si “komunitet fetar”. Si vulë të tijën përdor në mënyrë tinëzare, për të mashtruar opinionin publik, titullin: “Kisha Orthodhokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare, Kala, Elbasan”. Kemi të bëjmë me një falsifikim fare të dukshëm dhe një mashtrim të madh. Fatmirësisht, në ligjin e lartpërmendur, 10057/22.1.2009, neni 5, par. 1, parashikohet në mënyrë të qartë se: “Shteti respekton Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i kësaj Kishe dhe garanton mbrojtjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo person ose grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, simbolet ose vulën e saj”.

    Ky mashtrim i vazhdueshëm i opinionit publik nga njerëz dhe grupime të parëndësishme, i faktuar në mënyrë të përsëritur, përbën një formë të çuditshme të korrupsionit shpirtëror, që për vite me radhë përpiqet të helmojë harmoninë fetare, gjë për të cilën mburret Shqipëria.

 

Nga Kryepiskopata e Hirshme, 25 shkurt 2016

 

    Botuar në “Gazeta Shqiptare” & “Balkanweb” online, dt. 27.02.2016