Ditët e fundit, në pikat e shitjes pranë kishave tona në të gjithë vendin do të gjeni botimin më të fundit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë – “SINAKSARI, Jeta e shenjtorëve të Kishës Orthodhokse”, Vëllimi II, muajt nëntor-dhjetor. Ai është një botim voluminoz dhe mjaft cilësor, me 800 faqe, shtypur në shtypshkronjën “Ngjallja”, në Kompleksin e punishteve “Nazaret”. Eshtë përkthyer nga Atë Anastas Bendo dhe Eleni Pani dhe u përgatit për botim nga Donika Shuraja. Eshtë në proces përkthimi dhe redaktimi i vëllimeve të tjera në vazhdim.
Në parathënien e Vëllimit I, Kryepiskopi Anastas, me bekimin dhe kujdesin e të cilit u realizua ky botim, ndër të tjera thekson: “Ekzistojnë rrëfime të shumta për jetën dhe kryesisht për martirizimin e shenjtorëve të ndryshëm, të cilat janë ruajtur si thesare në librat e quajtur “Sinaksarë”. Në mjaft raste, për arsye të dobisë shpirtërore, tregimet në fjalë bëhen në mënyrë të lirë, me shtesa të elementëve që nuk janë saktësuar. Nga shumica e përmbledhjeve që qarkullojnë, parapëlqyem për përkthim në gjuhën shqipe botimin e Sinaksarit që ka hartuar Manastiri i hirshëm i Simonopetrës në Malin e Shenjtë Athos, sepse mbështetet në burimet më të mira dhe është hartuar me një përpunim kritik serioz.
Vepra do të plotësohet me botimin e vëllimeve të tjera, që do të përmbajnë shenjtorët që kremtohen gjatë muajve të tjerë.“