Me gjithë reshjet e shumta të shiut, më 6 Janar, të kremten e Ujit të Bekuar, kur Zoti Jisu Krisht u pagëzua nga Shën Joan Pagëzori në lumin Jordan, duke bekuar kështu gjithë ujërat dhe krijesën mbarë, në gjithë vendin besimtarët orthodhoksë u mblodhën në kisha, për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe më pas në Shërbesën e Bekimit të Ujit. Më pas ata e çuan ujin në familjet e tyre, si bekim për gjithë vitin.
Në Tiranë, shërbesat u kryen nga Kryepiskopi Anastas, i ndihmuar nga Episkopi i Amantias, Nathanaili dhe nga Episkopi i Bylisit, Asti, dhe klerikë të kryeqytetit. Rrebeshi i shiut nuk i ndali besimtarët që të mbushnin kishën, por bëri të pamundur litaninë jashtë saj, e cila do të shoqërohej nga banda frymore e qytetit dhe hedhja e kryqit në shatërvanin e kompleksit “Tajvan”.
Në Durrës, shërbesat u kryen nga Hirësi Nikolla dhe klerikët e qytetit në kishën “Apostull Pavli dhe Shën Asti”. Pastaj, të shoqëruar nga banda frymore e qytetit dhe nga qindra e qindra besimtarë, iu drejtuan kalatës nr.4 të portit, ku u bë hedhja e kryqit në Adriatik. Në ujërat e ftohta u hodhën katër djem të rinj dhe kryqi u kap nga Xhulio Arapi, student i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”.
Në Elbasan u kremtua në të dy kishat orthodhokse të qytetit. Në kishën e Shën Thanasit Liturgjinë Hyjnore e kreu Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni, i cili e hodhi kryqin në shatërvanin aty pranë, ndërsa në kishën e Shën Kollit shërbesat u kryen nga atë Stavri dhe atë Heliodori. Më pas kryqi u hodh në pishinën e kompleksit “Ajek”.
Si çdo vit kjo e kremte u festua me madhështi në qytetin me tradita të lashta orthodhokse të Beratit. Shërbesat u kryen nga Hirësia e Tij, Ignati, në Katedralen e Shën Dhimitrit dhe më pas u krye litania me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve dhe banorëve të qytetit të besimeve të tjera, që u ndal si mbi urën e Goricës. Aty Mitropoliti hodhi kryqin në ujë. Me gjithë rrymën e fuqishme për shkak të shirave të shumtë, 12 djem u futën në lumë dhe kryqin e kapi i riu Ilia Karabina, që sipas zakonit e çoi në shtëpitë e besimtarëve për t’i bekuar. Në kremtime morën pjesë edhe përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë etj.
Në Fier, kryqi u hodh në shatërvanin e qytetit në prani të qindra besimtarëve orthodhoksë. Ai u kap përsëri nga Athanas Davidhi.
Në Vlorë, Liturgjia Hyjnore dhe shërbesat u kryen në kishën e Shën Theodhorëve, nga atë Konstandin Prifti, e më pas besimtarët iu drejtuan detit, në zonën e Ujit të Ftohtë, ku u hodh kryqi, i cili u kap për të tretin vit radhazi nga Vasil Zako.
Në Selenicë, pas kryerjes së ceremonive në kishën e Shën Athanasit, besimtarët u drejtuan për në lumin Vjosë. Për shkak të motit të keq kryqi u hodh rreth pesë kilometra larg qytetit. Edhe sivjet të rinjtë e Selenicës sfiduan ujërat e ftohta dhe të rrëmbyeshme të Vjosës. Për të kapur kryqin u hodhën 5 të rinj dhe ishte Mateo Bombaj ai që e kapi.
Në Korçë, shërbesat u kryen në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, nga Mitropoliti, Hirësi Joani, i ndihmuar nga klerikët e qytetit. Më pas u krye litania, ku morën pjesë qindra e qindra besimtarë, që u drejtua për tek shatërvani para katedrales, ku Mitropoliti hodhi kryqin. Në shërbesa ishin të pranishëm edhe autoritete vendore, politikanë e personalitete etj.
Shërbesa dhe hedhja e kryqit u krye edhe në Pogradec, Ersekë, Boboshticë etj.
Në Sarandë, Liturgjia Hyjnore dhe Shërbesa e Bekimit të Ujit u kryen nga Mitropolit, Hirësi Dhimitri, së bashku me klerikë të zonës. Pastaj u krye litania që ndaloi buzë detit, ku është bërë tashmë traditë të hidhet kryqi. Përgjatë shëtitores ishin mbledhur qindra e qindra besimtarë e banorë. Hirësi Dhimitri e hodhi aty kryqin, që u kap për të tretin vit nga i riu Kristaq Qose.
Shërbesat dhe hedhja e kryqit mblodhën mijëra besimtarë edhe në Gjirokastër, ku kryqi u hodh nga ura e lumit Drino dhe u kap nga LlukanTodri, në Përmet, Mursi etj.
– Video –
Video – Besimtarët orthodhoksë festojnë ditën e Ujit të Bekuar, Balkanweb.com
Video – Tiranë, Qindra besimtarë orthodhoksë festojnë Ditën e Ujit të Bekuar, Ora News
Video – Theofania – Uji i Bekuar – Shenjtërimi i Ujrave në Korçë 06.01.2016
Video – Hedhja e Kryqit në fshatin Polenë të Korçës
Video – Dita e Ujit të Bekuar në Durrës, Portali durreslajm
Tiranë
Durrës
Manastiri i Hirshëm i Shën Vlashit – Skiti i Miroprurëseve të Shenjta
Kisha “Shën Koll”, Elbasan
Kisha “Shën Athanasit”, Elbasan
Berat
Fier
Vlorë
Selenicë
Korçë
Pogradec
Ersekë
Sarandë
Mursi, Sarandë