Më 7 nëntor 2015, në orën 17.30, u zhvillua ceremonia zyrtare e dorëzimit të Çmimeve Ndërkombëtare “Giuseppe Shacca”, në Aula Magna të Universitetit Pontifik Urbaniana, në qytetin e Vatikanit. Dorëzimi u bë në një sallë të mbushur plot e përplot, në prani të autoriteteve të larta kishtare, ku dalloheshin kardinalët Dario Kastrillon Hoyos, George Pell dhe Raffaele Farina, përfaqësuesve të lartë politikë, të magjistraturës, të Forcave të Armatosura, intelektualëve dhe artistëve të njohur etj. Kishte edhe një pjesëmarrje të gjerë të mediave vendase e ndërkombëtare.

    Një nga Çmimet kryesore iu dorëzua Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasit “Për Aktivitet hierapostolik, Solidaritet social dhe Humanizëm”, duke vlerësuar veprën e jashtëzakonshme dhe rrezatuese të Fortlumturisë së Tij gjatë gjithë jetës dhe kudo ku ka shërbyer, duke veçuar veprën e tij si teolog dhe historian i feve, veprën e madhe sociale në ndihmë të më të privuarve, 10 vitet e shërbimit në Afrikë dhe veprën e jashtëzakonshme për ringritjen nga gërmadhat të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

    Mes duartrokitjeve të ngrohta të të pranishmëve, Presidenti i Çmimit, Prof. Rev. Bruno Lima i dorëzoi Kryepsikopit Anastas statujën e kristaltë. Më pas, Kryepsikopi bëri një falënderim të shkurtër, duke theksuar se duhet të ofrojmë veten tonë, duke ndarë me përulësi atë që kemi marrë nga Perëndia – ky është principi që mbetet themelor për individë, familje apo kombe. Përshëndetja e Fortlumturisë së Tij u shoqëruan sërish më duartrokitje të gjata dhe të nxehta.

   Çmimi ndërkombëtar “Giuseppe Shacca” (www.premiosciacca.it), është nën përkujdesjen e Presidencës së Republikës Italiane, të ministrive italiane, të komiteteve olimpike kombëtare, të universiteteve etj. dhe është një prej institucioneve më të mëdha në shkallë botërore. Ka si qëllim vullnetarizmin kulturor, shkencor e social, miqësinë dhe përparimin e përbashkët të kombeve, vlerat njerëzore dhe të rinjtë. Gjithashtu, ky fondacion kryen edhe veprimtari bamirëse, duke mbledhur donacione për spitale fëmijësh etj.

    President Nderi i Çmimit është kardinali Dario Castrillon Hoyos dhe President prof. Rev. Bruno Lima, klerik dhe intelektual i njohur, që është edhe themeluesi i tij. Kryetar i Komisionit të Vlerësimit është gjykatësi dhe Presidenti i nderit i Këshillit të Shtetit, Giuseppe Santanielo dhe Sekretare e Përgjithshme, arkeologia dhe specialistja e çështjeve të komunikimit, prof. Bafataki. Është themeluar para 14 vjetësh, në kujtim të Giuseppe Shacca, studenti 26-vjeçar i arkitekturës, shembull i moralit dhe i kontributit në shoqëri.