Çdo vit ne kremtojmë me shumë shpresëtari më 14 shtator Lartësimin e Kryqit. Kjo e kremte përkujton gjetjen e Kryqit të Krishtit nga Shën Elena, nëna e perandorit Konstandin, në shekullin IV dhe, pasi u mor nga persianët, rimarrjen e tij nga perandori Irakli, në shekullin VII, kur ai u “lartësua” në Kishën e Ngjalljes në Jerusalem. Nga kjo ngjarje e fundit lartësimi universal i Kryqit filloi të kremtohej çdo vit në të gjitha Kishat e perandorisë dhe sot kremtohet nga të gjitha Kishat Orthodhokse.

    Kjo ditë e shënuar u kremtua në të gjitha kishat kryesore të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive dhe në shumë kisha të enorive. Në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi Anastas, i ndihmuar edhe nga Hirësi Nathanaili dhe Hirësi Asti dhe klerikë të kryeqytetit.

    Në fund Kryepiskopi foli për rëndësinë e kësaj feste dhe kuptimin që ajo merr për secilin nga ne në ditët e sotme. Pastaj të gjithë besimtarët puthën kryqin dhe morën sipas traditës degë vasilikoje.