Lexuam me habi artikullin e botuar në gazetën tuaj, dt. 10 tetor 2010, ku rreshtoheshin për të disatën herë një seri numrash dhe datash vendime gjyqesh, të ndërthurura këto edhe me komente të njëanshme dhe larg së vërtetës, midis rreshtave të të cilit ndihej një dëshirë e vjetër e autorit për të goditur Komunitetin Orthodhoks të qytetit të Përmetit.
   Autori që shfaqet herë pas here në shtypin shqiptar, as këtë herë nuk thotë ndonjë gjë të re, vetëm se bën thirrje për rishtetëzim të Kishës Orthodhokse “Shën Maria e Pazarit” në Përmet dhe për rikthimin e saj në shtëpi kulture, veprim ky i ngjashëm me praktikat komuniste të shkatërrimit të tempujve të vitit famëkeq 1967. Do të mundohemi të radhisim shkurtimisht disa argumente që hedhin poshtë tezat e z. Bezati për të kuptuar qëllimin e vërtetë të fushatës së tij antiorthodhokse.
   1. Argumenti historik. Dihet botërisht në qytetin e Përmetit se brenda ndërtesës së ish shtëpisë së kulturës është e përfshirë edhe Kisha, pikërisht aty ku më vonë do të adoptohej skena e koncerteve. Të vjetrit e qytetit, librat historikë, madje dhe gurët e mbuluar nga suvaja komuniste flasin për kishën e vjetër, që u ndërtua në fund e shek. XIX me shpenzimet e besimtarëve orthodhoksë të qytetit. Edhe pse abuzohet nga autori për ngjyrën e gurëve me të cilat ndërtoheshin kishat (thua se ai paska interes të madh për arkeologjinë kristiane), nga ekspertizat që janë bërë nga ekspertë shqiptarë, arktitektë, bizantinologë, madje edhe ekspertiza ndërkombëtare, kanë vërtetuar se kisha është përfshirë brenda ndërtesës, ajo zë rreth 60% të ndërtesës aktuale, ku janë shtuar anekset e tjera të nevojshme. Kushdo që ka dëshirë ta verifikojë këtë fakt, le të bëjë një vizitë në kishën orthodhokse në qendër të qytetit.
   2. Argumenti ligjor. Autori akuzon në artikull komunitetin orthodhoks të Përmetit se paska uzurpuar pronën që prej shekujsh i takon atij dhe thotë se paska një vendim të Gjykatës së Lartë që i urdhëron besimtarët të braktisin kishën e tyre. Por harron të thotë se besimtarët u futën në kishë, pas një vendimi të po kësaj Gjykate të Lartë dhe të Kolegjeve Seleksionuese në vitin 2003, vendim, i cili detyroi z. Bezati dhe autoritetet e Bashkisë të bënin dorëzimet. Paradoksalisht e njëjta Gjykatë e Lartë mbas tre vjetësh ndryshon qëndrim duke vendosur tani të kundërtën. Po cila Gjykatë në botë merr dy vendime të kundërta, të cilat tallin një komunitet të tërë, duke i thënë praktikisht të shkulin ikonat dhe të heqin sendet e shenjta dhe të shkulin nga themelet altarin e shenjtë, aty ku për vite i janë drejtuar lutje Perëndisë? Kjo na bën të dyshojmë për efektivitetin e drejtësisë shqiptare, fakt që pranohet përditë edhe nga vetë zyrtarët më të lartë të KLD, por edhe nga raportet që vijnë nga organizmat ndërkombëtare.
   3. Argumenti i mosbindjes. Kisha nuk i përket vetëm Kryepiskopit Anastas, ajo i përket të gjithë besimtarëve orthodhoksë, kështu që thirrjet drejtuar Primatit tonë janë thjesht një diversion i ulët dhe dashakeq i z. Bezati, i cili i fryn zjarrit të urrejtjes. Të krishterët kanë qenë shembull në bindjen dhe përkushtimin ndaj detyrimeve të tyre shtetërore dhe ata i binden me dëshirë, vendimeve të drejta të drejtësisë shqiptare, por edhe asaj evropiane dhe ndërkombëtare, por nuk mund të bien dakord me vendime që synojnë që të shkelen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, si dhe të drejtës për të besuar në zot. Ne jemi gati që nëse nevojitet t´i drejtohemi edhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila kohët e fundit po kthen një sërë pronash tek pronarët ligjorë, të cilët nuk e kanë gjetur dot të drejtën e tyre në vend.
   4. Argumenti ekonomik. z. Bezati shqetësohet për fatin e kulturës në Përmet, por ai harron se nën drejtimin e tij, në qendër të Përmetit luheshin prej të rinjve bilardo, lojëra fati dhe aktivitete të tjera private, që ishin një burim i mirë fitimi dhe se prej përmetarëve ky aktivitet shihej me dyshim. Në qendër të Përmetit ndodhej një Shtëpi Antikulture, e cila prodhonte thjesht një rini pasive që humbte kohë të dobishme dhe harxhonte të holla të nevojshme duke humbur përqendrimin dhe drejtimin e saj. Ndërsa sot, Kisha përbën edhe një vatër kulture me kurset e saj të gjuhëve të huaja, sallën e informatikës, rrethet artistike, mjediset në dispozicion të të rinjve, kopshtin e fëmijëve etj.
   5. Argumenti kulturor. Vihet re një shqetësim i pabazuar në realitetin përmetar, kur thirret pambarimisht mërzitshëm për humbjen e vlerave kulturore të Përmetit, të cilat gjoja humbën kur ndërtesa u kthye tek pronarët e saj të ligjshëm. Por edhe sikur të ishte ky problemi, qëllimisht lihet mënjanë fakti që tashmë kjo gjë është zgjidhur nga autoritetet lokale të Bashkisë Përmet. Nuk besojmë se z. Bezati ka nevojë për orientim, por do t´i duhet vetëm ta kthejë kokën nga ana tjetër e trotuarit të pazarit të Përmetit për të parë se ndërtesa e ish Shtëpisë së Oficerëve, ka kaluar pas vendimeve të duhura të organeve kompetente në dispozicion të Bashkisë dhe është në fazën e fundit të rikonstruksionit për t´u përdorur si Qendër Kulturore. Atëherë nëse ky problem është zgjidhur tashmë përfundimisht, çfarë e shqetëson realisht z. Bezati? Ose dëshiron që Përmeti të ketë dy shtëpi kulture (!!!), ose i vret sytë, si pasojë e bindjeve të tij të vjetra, Katedralja Orthodhokse në qendër të Përmetit.
    Si konkluzion mund të themi se përpjekja e vazhdueshme e disa qarqeve të caktuara antiorthodhokse në Përmet, përfaqësues i të cilave është z. Bezati ka si synim vetëm një qëllim: Të mos shikojnë të realizuar ndërtimin e një Katedraleje në qendër të Përmetit. Argumentet false ligjore, arkitektonike, kulturore apo të tjera që ai paraqet dalin bllof dhe shkrihen si kështjella rëre përpara të vertetës që qëndron si shkëmb prej shekujsh dhe nuk mund të fshihet me artikuj të tipit copy-paste që shfaqen periodikisht. Tashmë z. Bezati nuk përfaqëson më asgjë. Edhe vetë në artikullin e tij, pa dashje ai na jep argumentin e argumenteve që rrëzojnë pretendimet e tij dhe dhimbjen e madhe që ai ndjen për kulturën e Përmetit. Në fund ai sqaron se është ish-drejtori i ish-Pallatit të Kulturës. Atëherë nëse deri dje ai kishte detyrë institucionale të mbronte institucionin që drejtonte, le të na shpjegojë se çfarë përfaqëson sot dhe cilave interesave mundohet t´u shërbejë?
    Rinia e Përmetit nuk jeton në të shkuarën, ajo jeton të tashmen me sytë drejt të ardhmes, mezi pret të lëvizë e lirë në Evropë dhe në të gjithë botën. Por ajo trishtohet kur shikon ish-nostalgjikë të ish-sistemit komunist, të cilit i kanë shërbyer me besnikëri si ish-drejtorë të ish-pallateve të kulturës, të cilët shërbenin dikur si ish-tempuj të komunizmit, faktorit kryesor historik të izolimit tonë. Këto copëza të së kaluarës edhe pse mundohen ta ndërpresin rininë në këtë marshim të pandalshëm nuk do t´ia arrijnë dot qëllimit sado që të harxhojnë energjitë dhe mundin e tyre.

Lidhja Rinore Orthodhokse
“Bijtë e Dritës”,
Përmet