– Në kishën “Metamorfoza e Shpëtimtarit” u vendos ikonostasi i ri i gdhendur me dorë nga mjeshtrat tanë –
Kisha e re e qytetit të Gramshit, pak para kremtimit të festës së saj, Metamorfozës së Shpëtimtarit, u kompletua edhe me ikonostas. Kjo kishë është një dhuratë e Kryepiskopit Anastas për besimtarët e kësaj enorie, sepse ka qenë Fortlumturia e tij që bëri të mundur mbledhjen e fondeve të nevojshme, realizimin e një projekti të bukur dhe që e ndoqi me shumë interesim e përkushtim ndërtimin dhe plotësimin e saj me të gjitha pajisjet kishtare, për të vazhduar kështu traditat e pasura orthodhokse të kësaj zone.
Ikonostasi është realizuar prej dru panje të përzgjedhur dhe është i gjithi i gdhendur me dorë, me ornamente kishtare me nivel të lartë artistik, siç ka qenë gjithnjë tradita jonë orthodhokse. Ndërtimi i këtij ikonostasi u realizua në punishten e posaçme të gdhendjes së drurit, në “Nazaret” – Kompleksi i punishteve të Kishës sonë Orthodhokse, dhe është vazhdim i realizimit të disa ikonostaseve të vendosura në kishat e reja të ndërtuara në zona të ndryshme të vendit.
Specialistët tanë të kualifikuar për punimin dhe gdhendjen e drurit, si: Albert Janku, Vladimir Golemi, Nikollaq Çala dhe Eduard Karaj, të ndihmuar dhe nga punonjësit e sektorëve të tjerë të “Nazaretit”, veçanërisht nga ikonografi Kristo Papanikollau, kanë arritur të japin një vepër të re funksionale me vlera artistike.
K. B.