Botuar në gazetën “Sot”, dt. 02.05.2015

     Detyrohem të shkruaj për herë të dytë në lidhje me një replikë të z. Arben Llalla ndaj meje me titull “Përgjigje Peshkopit të Bylysit (sic), Astit”, botuar në disa media nga dt.21-24.4.2015. Aty artikullshkruesi vazhdon të këmbëngulë në pasaktësitë e tij dhe keqinterpreton fakte dhe ngjarje nga jeta e Kryepiskopit (apo Kryepeshkopit) Anastas të njohura gjerësisht, të cilat nuk përbëjnë asnjë lloj “lajmi” ose “zbulimi”, siç përpiqet t’i paraqesë ai. 

    Për ta bërë më të qartë qëndrimin jo korrekt të tij në “argumentet” që përdor, po risjell dy prej tyre.

    E para: Emrat e anëtarëve të Vëllazërisë së Krishterë ZOI (JETA) ia atribuon një vëllazërie tjetër, Vëllazërisë SOTIR (SHPËTIMTARI). Kështu z. Llalla duke dashur të provojë këtë argument na ofron “burimin zbulues” nga linku  i një blogu (http://paraekklhsiastikes-organwseis.blogspot.com/2009/10/blog-post_23.html). Por, e keqkupton tekstin në greqisht, ku flitet për Vëllazërinë ZOI, dhe, me dashje apo pa dashje ia atribuon emrat e anëtarëve të Vëllazërisë së Krishterë “ZOI” (JETA) një vëllazërie tjetër, Vëllazërisë “SOTIR” (SHPËTIMTARI). Siç e kisha thënë më parë në shkrimin tim, Kryepiskopi Anastas nuk ka qenë asnjëherë anëtar i Vëllazërisë “SOTIR”, në të cilën ka qenë Mitropoliti Sebastianos, në atë kohë arkimandrit.

    Gjithashtu, fakti që Mitropoliti Sebastianos në fillim ka qenë në fillim tek Vëllazëria ZOI, duke u larguar më pas prej saj, si dhjetëra të tjerë, nuk i bën automatikisht miq të afërt me Kryepiskopin Anastas (atëherë dhjak), dhe për më tepër, të dy janë larguar herët në drejtime të ndryshme. Dhe nuk përbëjnë argument për të vërtetuar hamendësitë e z. LLalla për lidhje të ngushta midis tyre.

    E dyta: Referimin ndaj solidarizimit të Kryepiskopit Anastas me vuajtjet e komuniteteve fetare të Shqipërisë, në kohën e errësirës së përndjekjes ateiste (referim që u përfshi në mesazhin e Këshillit Botëror të Apostullimit dhe Ungjillëzimit, në San Antonio, Teksas, SHBA, 1989), z. Llalla e keqinterpreton duke thënë, se Kryepiskopi Anastas “ka futur hundët në punët e brendshme të një shteti tjetër, pra në ato vite Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ka bërë shkelje të Kushtetutës së një vendi, shtetas i cili jam unë që në lindje, ndërsa Prof. Anastas Janullatos nuk ishte dhe nuk është shtetas. Nga kjo i privohet e drejta e kritikës për zbatimin e Kushtetutës së atyre viteve. Kritikën ndaj Shqipërisë komuniste për mohimin e besimeve fetare, prof. Peshkop, Anastasi e paska bërë me prapavijë karrieriste, me qëllim që ai të propozohej Kryepeshkop i Shqipërisë.” (!)

    Duke deklaruar kështu, jo vetëm që, pa dashje i dëshmon profetike fjalën dhe interesimin vëllazëror të krishterë të Episkopit Anastas (që në atë kohë ishte episkop në Afrikë), por edhe afirmon se, nuk është e drejtë të kritikohej regjimi ateisto-komunist për zhdukjen e lirisë fetare. Kështu, kritika dhe akuza i drejtohet çdo kujt që në atë kohë është lutur dhe është solidarizuar me dhimbjet e përndjekjeve fetare në Shqipëri. Siç duket këtu përfshin edhe Papa Gjon Palin II, i cili në vitin 1980 iu referua në të njëjtën mënyrë persekutimit fetar në Shqipëri, gjatë vizitës së tij në Arqidioqezën e Pulias së Italisë. Kështu z. Llalla me argumentimin e tij mbështet qëndrimin antifetar të regjimit ateist-komunist në mohimin e lirisë fetare, sa edhe Enver Hoxha do ta kishte zili zellin e tij antifetar.

    Çdo lexues, duke krahasuar faktet me shkrimet e z. Arben Llalla do të kuptojë shpejt “seriozitetin dhe vërtetësinë” e shkrimeve të tij, në të cilat, për ta paraqitur Kryepiskopin si antishqiptar, përdoret gjerësisht e sistematikisht metoda e shtrembërimit dhe e manipulimit. Fantazia konspirative e artikullshkruesit të kujton metodat e njohura propagandistike, të cilat shtrembëronin qëllimisht faktet dhe sajonin histori të paqena, për t’i përdorur si akuza agjenturore, agresioni etj.

    Primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me punën, përkushtimin dhe kontributin e tij ka treguar pikërisht të kundërtën, gjë për të cilën edhe është dekoruar në vitin 2010 me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

    Se kush është Kryepiskopi Anastas tregon qartë figura e tij poliedrike me përmasa botërore, si: ish-President i Këshillit Botëror të Kishave, ish Zëvendëspresident i Këshillit Evropian të Kishave, President nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen, anëtar nderi i Akademisë së Athinës, doktor nderi (PH.D., D.D.) i 17 universiteteve të ndryshme në botë dhe i laureuar me më shumë se 26 çmime e dekorata të ndryshme ndërkombëtare. Kryepiskopi Anastas është Primat i Kishës Orthodhokse Autoqefalë të Shqipërisë dhe njihet si i tillë nga Shteti Shqiptar për 23 vjetësh nga të gjitha Kishat Orthodhokse e më gjerë nga Shteti Shqiptar, i cili me këtë status ka nënshkruar dhe Marrëveshjen me Shtetin Shqiptar, aprovuar nga Parlamenti Shqiptar dhe Presidenti i Republikës.

    Biografia e tij e njohur botërisht, nuk ka qenë e fshehtë, siç përpiqet ta paraqesë z. Llalla, por ka qenë publike madje në shumë gjuhë, patjetër edhe në shqip gjendet në mediat e Kishës, në botime të ndryshme, on line etj. E “pazbuluar” është vetëm në sytë e z. Llalla. Po kështu ndodh edhe me prejardhjen e tij.

    Gjithashtu Llalla abuzon dhe keqinterpreton foto të ndryshme. Kështu bën me një foto të kohës kur Kryepiskopi ka bërë shërbimin ushtarak të detyruar. Kujtojmë se edhe në vendin tonë të gjithë ata që kanë mbaruar shkollën e lartë para vitit 1991 kanë bërë zbor për oficer rezervist.

    Është e qartë se sulmet ndaj Kryepiskopit Anastas synojnë dobësimin e vetë Kishës Orthodhokse në Shqipëri, por me hirin e Zotit nuk do lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë. Si klerikë të kësaj Kishe kemi detyrimin dhe përgjegjësinë ta mbrojmë atë nga çdo lloj sulmi të padrejtë dhe keqdashës. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë me Kryepiskopin Anastas në krye vazhdon misionin e saj të shenjtë në ndërgjegjësimin dhe lartësimin e dinjitetit njerëzor, duke dhënë në të njëjtën kohë një kontribut të vlefshëm për gjithë shoqërinë shqiptare.

 

     Krishti u ngjall!

 

Episkopi i Bylisit, Asti

28.4.2015

 

    Publikuar në gazetat elektronike “Dielli”, “Dita” dhe gazeta “Sot”, ndërkohë ende nuk është publikuar te “Iliria News Agency”.