Hierodëshmor Simeoni i Jerusalemit.
Është apostull ndër të Shtatëdhjetët (4 janar), një nga katër “vëllezërit” e Zotit, që kanë preokupuar nga fillimi Theologjinë. Ata përmenden thjesht si vëllezër të Tij, ashtu siç përmendej Josifi (E diela pas Krishtlindjes) si ati i Tij. Po ashtu edhe Hyjlindësja kishte quajtur Josifin atin e Jisuit (Luk. 2:48) megjithëse ajo e dinte shumë mirë se ai nuk ishte fare babai i Jisuit nga ana fizike. Me të njëjtën mënyrë kishte folur edhe engjëlli (Mat.1:20).
Hebrenjtë pyesnin veten: “A nuk është biri i mjeshtrit?” A nuk quhet e ëma Mariam dhe vëllezërit e tij Jakov (23 tetor), dhe Josi, dhe Simon dhe Juda (19 qershor). Dhe motrat e tij a nuk janë të gjitha ndër ne?” (Mat.13:55-56; Mark. 6:3). Pra, ose ishin kushërinj të parë të Tij qoftë nga e ëma, qoftë nga Josifi, ose ndoshta ishin fëmijë të Josifit nga martesë e mëparshme dhe, rrjedhimisht, ishin vëllezër të Tij, ligjërisht dhe jo të natyrshëm.
Prandaj, mbi Kryq, Ai ia ngarkoi të Tërëshenjtën apostullit Joan (26 shtator) dhe jo atyre (Joan. 19.26-27). Gjithashtu në Letrat e përgjithshme të tyre ata nuk e prezantojnë veten si vëllezër të Perëndisë, as Jakovi, as Juda. Juda e prezanton veten si vëllai i Jakovit të mbarërespektuar ngaqë donte t’i jepte reputacion Letrës së tij, por nuk guxon të prezantohet si vëlla i Krishtit. Veç kësaj, sipas oshënarit Jeronim (15 qershor), shën Justini (1 qershor) lindur në Palestinë në v. 110, shpallte virgjërinë e përhershme të Hyjlindëses. Kështu që vëllezërit mëse të njohur të Perëndinjeriut ishin prej prindërve të ndryshëm.
Ishin vëllezërit e Krishtit jo sipas natyrës, por sipas Ligjit (të Moisiut). Ne befasohemi nëse nuk dimë rrethanat dhe zakonet e atëhershme. P.sh. vejusha që nuk kishte fëmijë martohej me vëllanë e burrit të saj dhe fëmija i parë “ishte” fëmija i të vdekurit (shih Mat. 22:24). Për ne është marrëzi nëse pranojmë se një foshnjë e porsalindur e kishte babanë e saj të vdekur para disa vitesh!
Por le të kthehemi te Simeoni (ose Simoni, hebraisht: ç’dëgjimi). U bë episkop i dytë i Jerusalemit (70-107) pas Jakovit dhe hipi në fron pas shkatërrimit të qytetit (në v. 70) nga romakët. Në kohën e Trajanit (98-117), u denoncua nga heretikët te sovrani, për arsye të zellit të tij për të afruar pranë Perëndisë izraelitë e joizraelitë dhe për të rrëzuar tempujt paganë.
Kështu u arrestua, u torturua egërsisht dhe në vitin 107 u kryqëzua ashtu si vëllai i tij, në moshën 120-vjeçare. Pra, duhet të ishte 13 vjeç më i madh se Ai dhe natyrisht nuk ishte bir i Virgjëreshës, që në kohën kur u lind Simeoni, sipas traditës, ishte në moshë shumë të vogël.
Sipas një të dhëne, në vitin 82 e kishin detyruar të pinte helm, por ai nuk pësoi asgjë. Disa herë ai përkujtohet edhe më 18 shtator.