Librat e parë të shkrimeve të Dhiatës së Re janë katër ungjijtë e Shën Mattheut, Shën Markut, Shën Llukës dhe Shën Joanit. Fjala ungjill fjalë për fjalë do të thotë lajm i mirë ose sihariq i gëzuar. Ungjijtë tregojnë për jetën dhe mësimin e Jisuit, por asnjëri prej tyre nuk është një biografi në kuptimin klasik të fjalës. Ungjijtë nuk u shkruan thjesht për të treguar historinë e Jisuit. Ato u shkruajtën nga nxënësit e Krishtit, të cilët u mbushën me Shpirtin e Shenjtë mbas ngjalljes së Zotit, për të dhënë dëshmi për faktin se Jisui i Nazaretit është me të vërtetë Krishti-Mesia i premtuar i Izraelit dhe Shpëtimtari i botës. Në Kishën Orthodhokse, nuk është e gjithë Bibla, por vetëm libri i katër ungjijve ai që fronëzohet vazhdimisht në tryezën e altarin në ndërtesën e kishës. Kjo është një dëshmi e faktit se jeta e Kishës është e përqendruar në Krishtin, përmbushja e gjallë e ligjit dhe profetëve, që banon vazhdimisht në mes të Popullit të Tij, Kishës, me anë të pranisë së Shpirtit të Shenjtë. 
    Ungjijtë e Mattheut, Markut dhe Llukës quhen ungjijtë sinoptikë, që do të thotë se ata “duken të njëjtë”. Këta tre ungjij janë shumë të ngjashëm në përmbajtje dhe në formë dhe ka shumë mundësi, që në njëfarë mënyre të jenë të ndërlidhur tekstualisht, duke qenë një debat i vazhduar ndërmjet studiuesve të shkrimeve. Ata janë shkruar rreth fillimit të gjysmës së dytë të shekullit të parë, dhe tekstet e tyre, ashtu si ai i Shën Joanit, na kanë ardhur në greqisht, gjuha në të cilën ata u shkruan, me përjashtimin e mundshëm të Mattheut, i cili mund të jetë shkruar në origjinal në aramaisht, gjuha e Jisuit. Secili nga ungjijtë sinoptikë ndjek parimisht të njëjtin tregim. Secili fillon me pagëzimin e Jisuit nga Joani dhe me predikimin e Tij në Galile. Secili përqendrohet në pohimin e apostujve të Jisuit si Mesia i premtuar i Perëndisë, së bashku me ngjarjet korresponduese të shpërfytyrimit dhe të lajmërimit nga Krishti i nevojës së Tij për të pësuar dhe vdekur dhe për t’u ngjallur përsëri në ditën e tretë. Dhe secili prej tyre përfundon me tregimin e pësimit, vdekjes, ngjalljes dhe ngjitjes së Zotit.