“Informim real dhe kompetent të opinionit dhe jo shpifje dhe gënjeshtra”
DEKLARATË PËR SHTYP E PBDNJ
Në lidhje me disa ndërhyrje personash publik, por edhe të politikës në çështje të Kishës Ordhodhokse dhe të jetës se saj si edhe disa artikujve nervozë që vijuan në disa media, por edhe në rrjetet sociale, shprehim edhe njëherë qëndrimin tonë konstant se këto çështje janë të një natyre shumë serioze, të ndjeshme dhe delikate dhe të gjithë e kemi për detyrë ti trajtojmë si të tilla.
Në mënyrë të veçantë për sa i përket gjuhës adhuruese në jetën liturgjike të kishës Orthodhokse, të drejtat dhe detyrimet janë përcaktuar qartë në statutin e KOASH, i cili është i njohur edhe nga shteti. Në këtë statut sikurse edhe në kushtetutë dhe legjislacionin e vendit, minoriteteve që përfshihen në grigjën Orthodhokse, në veçanti besimtarëve nga radhët e minoritetit etnik grek, u njihet e drejta e përdorimit publik të gjuhës së tyre amtare, përfshirë edhe jetën kishtare, e drejtë kjo e sanksionuar që nga krijimi i shtetit modern shqiptar.
Theksojmë sërish se të drejtat që u takojnë bashkëqytetarëve tanë, pjesëtarë të minoriteteve që burojnë nga fryma dhe gërma e dokumentave përkatëse dhe praktikave ndërkombëtare, në veçanti europiane, nuk mund ti nënshtrohen mentaliteteve të kufizimit gjeografik.
Logjikat që pretendojnë një situatë njëngjyrëshe në gjirin e kishës Orthodhokse në vend përbejnë një injorim naiv të realitetit për sa i përket përbërjen e grigjës të kësaj kishe dhe aventurizëm për nga pasojat e tyre.
Trajtimi i çështjeve të kësaj natyre nga ana e Kryepiskopit Anastas, kanë garantuar një klimë të paprecedentë uniteti në gjirin e kishës, duke ruajtur konfigurimin e saj kompleks dhe respektuar njëherësh përkatësinë nacionale dhe veçoritë gjuhësore të besimtarëve të saj. E kundërta do të kishte për pasojë përçarjen dhe instalimin e rrymave kishtare të cilat do të prishnin përfundimisht koherencën e saj.
Duke shprehur këto shqetësime u drejtohemi të gjithëve për më shumë seriozitet dhe vetëpërmbajte në trajtimin e çeshtjeve të kësaj natyre, informim real dhe kompetent të opinionit dhe jo shpifje dhe gënjeshtra. Shërbimi më i mirë që mund ti bëjmë simbiozës harmonike ndër-fetare është respektimi i pavarësisë së komuniteteve fetare, siç ajo sanksionohet në kushtetutë.
Tiranë, 17 Prill 2015
“Një rol thelbësor pozitiv ka Imzot Anastasi, gjë që askush nuk mund ta mohojë”
Nga Tritan Shehu (marre nga profili në FB)
Të tërheq vemendjen një “fushate” e rifilluar artificialisht nga disa burime kundër Sh.T. Imzot Janullatos.
Megjithëse kjo kërkon të serviret nëpërmjet sloganeve “patriotike”, më tingëllon krejt e “stonuar” dhe atavike në formën, paraqitjen e thelbin e saj.
Diçka duhet të kemi thellësisht në konsiderate, në shoqërinë tonë tokësore asgjë nuk është e përsosur. Kjo edhe sepse gjithsekush nga ne mund të ketë këndvështrime të ndryshme në perceptimin e te “përsosurës”.
Megjithatë, kjo nuk ia jep askujt te drejtën të kërkojë të cenojë vlerat e gjithsekujt, atë që individë apo grupime me shumë mund, sakrifica, dije të thella e vizion kanë ndërtuar e ndërtojnë në vendin tonë.
Veçanërisht kjo është e vërtetë për të gjitha kultet tona fetare, që u rilinden mbas ndryshimeve demokratike.
Meqenëse sot po flasim për emra konkretë, dëshiroj të shpreh respektin, konsideratën e vlerësimin tim për zhvillimet e Kishës sonë Ortodokse, kontributin e madh të saj në stabilitetin, përsosjen, rrugën evropiane të vendit tonë.
Dhe për ketë një rol thelbësor pozitiv ka Imzot Anastasi, gjë që askush nuk mund ta mohojë.
Nqs. dikush do të pyesë se mbi çfarë atribute unë marr përsipër të bëj një afirmim të tillë, do t’i përgjigjesha se është më mirë qe kjo pyetje t’u drejtohej atyre që shpërthejnë të tilla “stuhira”.
“I është përkushtuar besimtarëve të krishterë, Shqipërisë dhe Kishës”
Nard Ndoka gazeta “Sot”, e diel, 19 prill 2015.
Kreu i Partisë Kristian Demokaratike, Nard Ndoka, i ka cilësuar nacionalizma periferikë reagimet kundër Kryepeshkopit. Ai vlerësoi se Kryepeshkopi Anastas ka dhënë një kontribut të madh në besimin e krishterë dhe gjatë gjithë jetës i është përkushtuar Kishës Ortodokse.
“Nuk ka rëndësi gjuha, por mesazhi që i drejtohet Zotit. Janullatosi i është përkushtuar besimtarëve të krishterë, Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqiptare. Të gjitha çka thuhen për Janullatosin, janë nacionalizma që merren me gjëra periferike” u shprehë Ndoka.