Botuar në gazetën “Dita” dhe “Sot” dt. 21.04.2015

    Në mënyrë të përsëritur, me qëllime dashakeqe (sepse s’ka si të jetë ndryshe), mbas shumë përgjigjeve të argumentuara madje edhe në mënyrë zyrtare nga KOASH, shtrohet e njëjta pyetje, tashmë e konsumuar dhe e ripërtypur disa herë, mbi gjuhën me të cilën meshon Kryepeshkopi Anastas. Paqartësi kjo që mesa duket nuk do të sqarohet kurrë për ata që nuk duan të sqarohen. Madje kjo është një pyetje që në fund të fundit nuk do përgjigje, sepse flasin vetë faktet.

    Ejani në kishë dhe do të shihni që Kryepeshkopi meshon në shqip.

    Kryepeshkopi Anastas erdhi në Shqipëri në moshën 62 vjeçare, me njohuri të shumë gjuhëve të huaja dhe zotërues i disave prej tyre, por fatkeqësisht ai nuk njihte shqipen. Me gjithë këtë ai duke e ditur mirë se sa i rëndësishëm është përdorimi i gjuhës amtare në lutje është përpjekur që në fillim për të meshuar vetëm në shqip. Madje sjellim ndër mend këtu dhe një shprehje të thënë nga ai, që në ditët e para të ardhjes së tij në vendin tonë: “një gjuhë të huaj mund ta njohësh mirë, por lutjet e zemrës drejtuar Perëndisë bëhen në gjuhën amtare”.

    Momenti i vetëm ku Kryepeshkopi nuk flet në shqip është momenti i predikimit i cili përkthehet në shqip. Dhe është e kuptueshme përse ai nuk predikon në shqip. Fortlumturia e tij Kryepeshkopi Anastas nuk mund të përdorë shqipen të cilën e ka mësuar në një moshë madhore, ku për rrjedhojë mund të bëjë gabime gjuhësore nga të cilat mund të lindin keqkuptime gjë që pozicioni i tij si primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk e lejon.

    Prandaj në momente të tilla, siç është predikimi apo dhënia e mesazheve të gjata dhe me rëndësi, ai preferon të përdorë gjuhë të cilat i zotëron, siç është greqishtja apo anglishtja. Gjithashtu të gjithë e kemi parë Kryepeshkopin Anastas që mesazhet e shkurtra të Pashkës dhe të Krishtlindjes t’i japë në shqip.

    Madje jo vetëm në Liturgjitë Hyjnore në Shqipëri ai meshon në shqip, por edhe kur merr pjesë si primat i KOASH-it në Liturgjitë Hyjnore jashtë Shqipërisë lutjet Kryepeshkopi i thotë në shqip.

    Kështu që mospërdorimi i gjuhës shqipe për kokëfortësi apo si nënvleftësim i saj nuk qëndron. Mund të thonim se argumentet më të mira që ilustrojnë interesimin e tij për shqipen dhe shqipëtarët janë veprat e tij.

    Që prej vitit 1992, funksionon Akademia Theologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, në të cilën nëpërmjet studimeve theologjike në gjuhën shqipe përgatiten klerikë dhe kuadro të rinj për kishën. Sot në Shqipëri shërbejnë mbi 150 klerikë (të të gjitha gradave) të cilët kanë përfunduar studimet në këtë Akademi.

    Përveç Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, janë edhe mbi 30 shkolla të tjera të të gjitha niveleve të cilat funksionojnë në gjuhën shqipe dhe i shërbejnë të gjithë shqiptarëve pa dallim.

    Gjithashtu me iniciativën e tij është ngritur një shtypshkronjë moderne e cila boton libra të ndryshëm liturgjikë, shpirtërorë, shkencorë etj, të gjitha në gjuhën shqipe. Po ashtu në gjuhën shqipe botohen gazeta e përmuajshme “Ngjallja”, revista për fëmijë “Gëzohu!”, revista rinore “Kambanat”, revista periodike “Kërkim”, me artikuj në theologji, shkencë, kulturë, aktualitet etj.

    Nga të gjitha këto sa thamë më sipër është e qartë se çështja e gjuhës shqipe në kishë nuk duhet të jetë aspak një çështje e diskutueshme për median, e cila atë hapësirë mund ta përdorë në mënyrë konstruktive dhe jo duke u marrë me probleme të pa qena të cilat ndodhen vetëm në fantazinë e disave. Sepse në kishat tona meshohet shqip.

 

Violeta Plepi, Vlash Plepi

Teologë