Publikuar në web “Shekulli Online” dt. 18.04.2015
Marr shkas nga kritika e z. Ben Blushi në shtypin shqiptar ndaj kryepeshkopit Anastas për “mospraktikimin e qëllimshëm”-siç e quan ai-të gjuhës shqipe gjatë Pashkës apo dhe ceremonive të tjera fetare. Qëllimi im është kundërargumentimi i shkrimit të lartpërmendur për sa i përket dy aspekteve kryesore që ngre z.Blushi: së pari, aspektit të cilësimit si të papranueshëm të faktit që kryepeshkopi nuk flet vetëm shqip dhe së dyti në lidhjen e këtij “fakti” me ndonjë qëllim gjeopolitik të kishës për ta bërë gjuhën greke superiore mbi atë shqiptare dhe në këtë mënyrë të greqizojë besimtarët ortodoksë shqiptarë.
Paraprakisht, nevojitet të vëzhgohet se shkrimi formulohet nga pozita pothuajse ateiste, ku nuk mjafton që feja të jetë vetëm e ndarë nga ideologjia politike-fenomen që karakterizon shtetet kombëtare-por ku vihet në dyshim vetë ekzistenca e Zotit. Ky aspekt agnostik, pothuajse ateist, kombinohet me aspektin tjetër, atë të mohimit të identitetit kombëtar dhe gjuhës shqipe nga greqishtja, duke u imponuar, për këtë qëllim, kjo e fundit. Ky realitet i paraqitur, të kujton periudhën e rilindjes kombëtare në lidhje me pengesën e zhvillimit të identitetit kombëtar shqiptar nga gjuhët e huaja si dhe nga feja, e cila gjithashtu është paraqitur si një fenomen i huaj. Kjo pasiguri apo kërcënim për identitetin kombëtar ndikoi më vonë te procesi i ateizmit socialist, në përputhje edhe me doktrinën komuniste.
Feja në vetvete përbën një ideologji paranacionale. Nuk ekzistonin kombet në periudhën e lindjes së fesë. Vetë komunitetet fetare ishin heterogjene për sa i përket grupeve apo komuniteteve etnike. Mjafton të përmendet se te perandoria osmane, komuniteti ose mileti ortodoks përmblidhte së bashku grekë, shqiptarë, bullgarë, serbë, armenë etj. Si rrjedhoj, udhëzimet fetare u shkruajtën në një gjuhë të caktuar: testamenti i vjetër në aramaikisht, testamenti i ri në greqisht, kurani në arabisht e kështu me radhë. Formimi i shtetit kombëtar më vonë çoi vetvetiu në shtetëzimin ose kombëtarizimin e institucionit fetar, duke kërcënuar dhe kufizuar aspektin ekumenik që karakterizonte fenë. Pranë flamurit të verdhë me shqiponjën dykrenare të perandorisë bizantine, i cili simbolizonte organizimin e fesë ortodokse, u vendosën flamujt kombëtarë, ndërsa shkrimet fetare u përkthyen në gjuhët kombëtare.
Megjithatë, aspekti nacional nuk mund ta shuajë plotësisht atë ekumenik. Myslimanët e të gjithë botës nevojitet që ti drejtojnë Zotit të paktën disa fjalë në arabisht, ndërsa një herë në jetën e tyre duhet të vizitojnë Mekën dhe Medinën si vende të shenjta. Katolikët ruajnë lidhje hierarkike me Papën dhe Vatikanin, ndërsa te pothuajse të gjitha kishat ortodokse të botës, qoftë dhe në Afrikën që përmend z. Blushi, gjatë ceremonisë së Pashkës dëgjohen fjalët në greqisht “Hristos anesti, alithos anesti”, që do të thotë “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”. Gjithashtu, jam i sigurt se z. Blushi e ka dëgjuar të paktën një herë në jetën e tij hoxhën në mëngjes, i cili citon fjalët në arabisht “Bismillah ir rahman ir rahim”, që në shqip do të thotë “Në emër të Allahut mëshiruesit, mëshirëbërësit”. Prandaj, sado që shteti grek ta përdorë fenë ortodokse për interesat e tij, gjatë predikimeve kudo në botë do të dëgjohet edhe ndonjë fjalë greke.
Për sa i përket kryepeshkopit Anastas, është e ditur tashmë se në kurriz të tij mund të shprehet shumë lehtë delli i akumuluar i anti-greqizmit por edhe i anti-ortodoksisë. Kjo e fundit vihet re te një pjesë e mirë e shqiptarëve të Kosovës dhe të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, të cilët, duke e lidhur ortodoksinë me elementin sllav, ndihen të rezervuar në simpatinë e tyre karshi ortodoksëve shqiptarë. Nëse nacionalistët apo ateistët e Shqipërisë e shohin aspektin ekumenik të ortodoksisë si kërcënim për identitetin kombëtar, pavarësinë dhe sovranitetin, Shqiptarët e mbetur jashtë kufijve i vendosin ortodoksisë etiketën e “kërcënuesit sllavo-ortodoks”. Veprimi i fundit, mund të forcojë gradualisht një lloj identiteti të ri kombëtar, atë mysliman, duke vënë në rrezik ekuilibrat e brishta të identitetit ekzistues, i cili disponon karakter ndërfetar.
Kryepeshkopi meshën e mban në gjuhën shqipe, si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Predikimet e mbajtura nga ai në gjuhën greke nuk e kërcënojnë aspak ortodoksinë dhe as Shqipërinë. Nëse ndonjë fjalim i Anastasit në greqisht fsheh si qëllim kryesor kthimin e ortodoksëve shqiptarë në grekë, atëherë përse ai nuk ja ka arritur qëllimit, edhe pse është njeri i mirëshkolluar? Meqënëse Anastasi e paska kthyer greqishten në gjuhë superiore dhe shqipen në gjuhë inferiore në aspektin kishtar, atëherë përse pjesa dërmuese e ortodoksëve shqiptarë nuk dinë pothuajse asnjë fjalë greqisht, edhe pse kryepeshkopi disponon eksperience akademike? Në qoftë se ky kryepeshkop e mohon me vetëdije dhe kokëfortësi gjuhën shqipe në kishë dhe si pasojë autoqefalinë e vetë kishës, atëherë përse në intervistat e tij publike në Greqi ka dënuar ashpër racizmin, diskriminimin dhe ka bërë thirrje për barazi dhe vëllazërim midis grekëve dhe shqiptarëve?
Kërkesa që kryepeshkopi të flasë vetëm shqip përbën shprehje të vendosjes së fesë nën kontrollin e plotë të shtetit apo ideologjisë kombëtare, të kufizimit të çdo lloj ekumenizmi fetar, edhe pse ekumenizmin e kërkojmë çdo ditë te vlerat e përbashkëta të BE-së apo te ato euro-atlantike. Gjithashtu, ti mohosh një kleriku të huaj gjuhën e tij të origjinës, tregon mungesë tolerance, fetare por edhe më gjerë, fenomen që karakterizon klasën politike por edhe shoqërinë shqiptare më përgjithësi.
Në vazhdim, z. Blushi e lidh sjelljen e kryepeshkopit me forcimin e dallimeve dhe stereotipeve ekzistuese ndaj ortodoksëve korçarë si grekë. Mirëpo ndarjet përbëjnë një fenomen që ekziston disa dhjetëvjeçarë deri në shekuj përpara se të lindte Anastasi. Forcimi i identitetit kolektiv kombëtar nuk e ka zhdukur plotësisht, akoma edhe sot, heterogjenitetin historik të shoqërisë shqiptare. Kur një udhëtar i huaj shkoi në veri të Shqipërisë së sotme gjatë fundit të shekullit të 19 dhe pyeti një banor se çfarë mendimi kishte për ortodoksët apo toskët, banori iu përgjigj se ata nuk ishin shqiptarë por grekë. Gjithashtu, vetë arvanitasit i konsideronin myslimanët shqiptarë si turq dhe u ndeshën me ta në luftë gjatë revolucionit grek. Prandaj, identitetet parakombëtare ekzistonin kohë më parë dhe nuk i solli Anastasi.
Ato mund të minimalizohen vetëm me anën e të paktës një mekanizmi dhe të një metode: forcimin e identitetit kombëtar dhe rritjes së mirëqenies ekonomike dhe sociale të shoqërisë. Duhet të dihet se shumë emigrantë shqiptarë në Greqi, jo vetëm që flasin e merren vesh në greqisht, siç përmend z. Blushi, por kalojnë deri në mohimin e origjinës së së vendlindjes së tyre. Personalisht kam ndeshur disa raste të tilla. Dhe fajin për këtë, nuk e ka fjalimi në greqisht nga Anastasi te predikimet fetare, por imoraliteti i klasës politike shqiptare, intoleranca dhe dështimi ekonomikosocial. Në qoftë se në Shqipëri vrihet e prihet çdo ditë, nëse populli s’ka të hajë bukë ndërsa një oligarki e vogël mbytet në pasuri dhe kontrollon në mënyrë të pistë vendin, kjo është ajo që dobëson identitetin kombëtar dhe jo ortodoksia apo Anastasi. Varfëria, kriminaliteti, korrupsioni janë kërcënimet e mëdha të cilat duhet të na shqetësojnë të gjithëve.
Jordan Jorgji