«Të barabartë midis të barabartëve»
Në përkujdesjet ditore janë të mirëpritur fëmijët e familjeve në nevojë si: familjet me të ardhura të pakta, familjet me prindër të divorcuar, familjet me një prind (jetimët), familjet ku nënat janë me nivel të ulët edukimi, familjet me prindër emigrantë ku fëmijët jetojnë me gjyshërit dhe familjet e nënave në punë.
Hapja e Përkujdesjes së parë në Tiranë u pasua nga hapja e dy përkujdesjeve të tjera në Durrës dhe Korçë, përkatësisht më 5 Dhjetor 1994 dhe 14 Qershor 1995. Aktualisht funksionojnë 21 Përkudjesje Ditore në qytetet: Tiranë(2), Durrës, Korçë, Kavajë, Cërrik, Lushnjë, Vlorë, Gjirokastër(2), Sarandë, Dervician, Elbasan(2), Gramsh, Pogradec, Shkodër(2), Përmet, Tepelenë dhe Berat.
Gjatë këtyre viteve programi ka qenë i suksesshëm dhe ka një përvojë të mirë. Një nga elementët që e provon këtë është edhe kërkesa e madhe për të regjistruar fëmijët në kopshtet tona. Suksesi i programit është evidentuar gjithashtu edhe në rezultatet e larta në klasën e parë të fëmijëve që kanë frekuentuar përkujdesjet tona. Po kështu, mësueset e klasave të para shkojnë në kopshtet tona dhe zgjedhin fëmijët që do të shkojnë në klasën e parë për t’i regjistruar në klasën e tyre.
Një eveniment shumë i rëndësishëm është festimi i 10-vjetorit të hapjes së Përkujdesjeve Ditore në Tiranë, Durrës, por sidomos në Korçë. Në Korçë ky përvjetor u festua me madhështi ku morën pjesë personalitete të rëndësishme të Kishës, Drejtorisë Arsimore, të përfaqësive Diplomatike të qytetit dhe personalitete të shquara. Po kështu ishin ftuar fëmijë të talentuar që kishin frekuentuar përkujdesjen gjatë këtyre 10 vjetëve. Kjo festë i dha një pamje tjetër programit të përkujdesjeve në qytetin e Korçës, dhe ishte një përvojë mjaft e mirë edhe për të tjerët.
Programi i Përkujdesjeve Ditore, që prej vitit 2002 është pjesë e Fondacionit “Frymë Dashurie”. Shumica e përkujdesjeve janë ngritur pranë ambienteve të kishave orthodhokse. Aktiviteti i tyre mbështetet financiarisht nga:
-
Fondacioni “Frymë Dashurie”;
-
Programi i Tryezës së Rrumbullakët të Këshillit Botëror të Kishave, nëpërmjet zyrës Diakonia Agapes;
-
Kontributi i prindërve.
Gjatë këtyre viteve Përkujdesjet i kanë ofruar shërbim rreth 8100 fëmijëve të moshave 4–6 vjeç, nga të cilët rreth 65% u përkasin familjeve më të ardhura të pakta, 2.5% familjeve me prindër të divorcuar, 2.7% jetimë, 4.5% me prindër emigrantë që jetojnë me gjyshërit dhe rreth 45.5% nënave që punojnë.
Përkujdesjet tona janë të licensuara nga Ministria e Arsimit. Ato vizitohen rregullisht nga Drejtoritë Arsimore të rretheve përkatëse, të cilat i kanë vlerësuar si për programin ashtu edhe për ambientin dhe materialet edukuese dhe didaktike që disponojnë. Fëmijët e përkujdesjeve tona kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara nga Drejtoritë Arsimore si: konkurse, festivale, shfaqje etj., ku janë nderuar edhe me çmime.
Reputacioni i Përkujdesjeve Ditore të Kishës Orthodhokse ka bërë që ato të zgjidhen nga Drejtoritë Arsimore si qendra kualifikimi dhe praktike për studentët e Degës së Arsimit Parashkollor në Universitet dhe për stafin mësimdhënës të kopshteve të tjera publike të qytetit. Gjatë viteve të fundit edukatoret janë atestuar nga Drejtoritë Arsimore dhe kanë fituar shkallët e kualifikimit sipas legjislacionit në fuqi.
Në të gjitha përkujdesjet punon një staf i kualifikuar prej afro 60 vetësh, i përbërë nga edukatore, ndihmës-edukatore dhe kuzhiniere. Përveç kësaj, secila përkudjesje ka mjekun pediatër, i cili viziton fëmijët rregullisht dhe kujdeset për shëndetin e tyre. Secili fëmijë ka kartelën e tij shëndetësore që plotësohet nga mjeku i përkujdesjes. Mjekët zhvillojnë me fëmijët biseda rreth higjenës, rëndësisë së ushqimeve, përkujdesjes ndaj vetes etj., ndërsa në bashkëpunim edhe me Zyrën Koordinuese mjekët përgatisin tema shëndetësore në lidhje më sëmundjet e moshës parashkollore, shkaqet, parandalimin dhe mjekimin e tyre. Këto tema të përgatitura prej mjekëve, shtypen dhe shpërndahen nga Zyra Koordinuese në të gjitha kopshtet dhe u jepen të gjithë prindërve. Ato tema janë informacion i rëndësishëm për prindërit në rastet kur fëmija i tyre sëmuret. Po kështu ka patur raste që mjekët e përkujdesjeve kanë zbuluar tek fëmijët probleme shëndetësore të trashëguara që nga lindja dhe që prindërit nuk ishin në dijeni.
Prandaj edhe kopshtet tona quhen përkujdesje ditore sepse përmbajnë përkujdesje në të gjitha aspektet: mësimdhënie, kujdes shëndetësor, përmirësim ambientesh dhe ushqim cilësor.
Shumica e kopshteve ndodhen pranë kishave të qyteteve përkatëse. Ambientet e tyre janë bashkëkohore dhe të pajisura me të gjitha kushtet. Kushtet e mira në to janë një arsye më tepër për t’i bërë të kërkuara nga të gjithë.
Në fillimet e saj zyra drejtohej nga Motër Filothei, e cila ishte iniciatorja dhe organizatorja e hapjes së përkujdesjeve ditore të para në Tiranë, Durrës, Korçë dhe Kavajë. Më pas zyra u drejtua nga Motër Galini.Aktualisht zyra drejtohet nga znj. Nafsika Melo, drejtoreshë e të gjitha përkujdesjeve ditore. Znj. Melo ka një përvojë të gjatë në fushën e arsimit si mësuese dhe ka asistuar në hapjen e përkujdesjeve që në fillimet e tyre. Zyra e Përkujdesjeve Ditore përbëhet edhe nga 2 pjesëtare të tjera, znj. Merijada (Urani) Dusha dhe znj. Marjeta Gorreja. Në sajë të përkushtimit në punë të stafit të Zyrës, përkujdesjet ditore janë të suksesshme.
Zyra e Koordinimit si organizatore e gjithe aktivitetit, gjithë organizimi i punës në të gjitha përkujdesjet bëhet i mundur nga Zyra e Koordinimit të Përkujdesjeve Ditore në Tiranë.
Disa nga aktivitetet e Zyrës Koordinuese janë:
-
Kualifikimi i stafit mësimdhenës
-
Përgatitja e programeve mësimore edukative
-
Organizimi i punës në të gjitha përkujdesjet
-
Përgatitja dhe botimi i librave te fëmijëve
-
Blerja dhe furnizimi me materiale edukuese dhe didaktike
-
Hartimi i projekteve për financimin e mëtejshëm të programit të përkujdesjeve ditore
-
Hartimi i progres raporteve për zyrën Dikonia Agapes dhe donatorët e tryezës së Rrumbullakët të Këshillit botëror të Kishave (WCC)
-
Shkrimi përgatitja dhe shpërndarja e temave të shëndetit për të gjitha kopshtet
-
Përgatitja maksimale në njohjen e shkronjave dhe matematikës për fëmijët që shkojnë në klasën e parë
-
Organizimi i shkëmbimit të eksperiencës me kopshtet simotra në Greqi
-
Organizimin e ekspozitave me punime të fëmijëve
Seminare.
Një nga aktivitetet më të rëndësishme të Zyrës së Koordinimit është kualifikimi i stafit mësimdhënës. Që në vitet e para të veprimtarisë së përkujdesjeve ditore zyra ka organizuar seminare kualifikuese për stafin. Natyra dhe forma e organizimit të seminareve kualifikuese ka evoluar nga viti në vit.
Seminaret e kualifikimit organizohen duke marrë në konsideratë kërkesat dhe nevojat e stafit mësimdhënës. . Në këto seminare edukatoret njihen me metodat më bashkëkohore të mësimdhënies si dhe me teoritë e ndryshme për mirërritjen e fëmijëve. Seminaret janë mbajtur nga psikologë dhe specialistët më të njohur vendas dhe të huaj për problemet e mirërritjes dhe edukimit të fëmijëve..
Trajnime.
Një forme e re e kualifikimit të stafit mësimdhënës janë edhe trajnimet. Zyra ka organizuar cdo vit workshope në lidhje me organizimin e punës në kopshte dhe me shkëmbimin e eksperiencës midis tyre. Trajnimet janë organizuar në bazë të dioqezave për arsye të shpërndarjes gjeografike. Që prej vitit 2004 trajnimet janë organizuar në formën e mësimeve të hapura nëpër kopshte me qëllim shkëmbimin e eksperiencës. Pas mësimit të hapur është bërë analiza ku janë diskutuar pikat e forta dhe të dobta të organizimit dhe janë trajtuar edhe probleme të ndryshme që ka patur secili kopësht. Zyra ka patur bashkëpunim shumë të mirë me zyrën Diakonia Agapes, anëtarë të të cilës kanë drejtuar disa trajnime për stafin mësimdhënës.
Shkëmbim eksperience me kopshte greke.
Që nga viti 2001 ekziston një bashkëpunim midis zyrës sonë dhe disa kopshteve greke. Ky bashkëpunim bëhet i mundur nëpërmjet znj. Papavasiliu. Çdo vit 3 edukatore dhe një anëtar i Zyrës së Koordinimit shkojnë në Greqi ku marrin eksperiencë për një periudhë 2 javore. Kjo eksperiencë u shpërndahet stafit mësimdhënës të të gjitha kopshteve tona nëpër seminare dhe workshope. Kryesisht shkëmbimi i eksperiencës ne Greqi bëhet me kopshtet “Αρσακειο”, “Ελλινικη Παιδεια”, kopshtin e Mitropolisë së Pireut dhe kopshtin “Η ζωη του παιδιου”.
Përgatitje programesh mësimore edukative.
Që në fillimet e saj zyra ka përgatitur programet me të cilat do të funksiononin kopshtet. U përkthyen dhe u përshtatën programe nga Greqia dhe Amerika duke u bazuar në programin tradicional shtetëror të edukimit parashkollor. Çdo vit është punuar për gjetjen e metodave të reja të mësimdhënies.
Zyra ka përgatitur dhe publikuar librat mësimorë të fëmijëve. Në fillim programi ishte konceptuar vetëm për moshat parashkollore. Duke parë që numri i kërkesave për frekuentimin e kopshteve të Kishës rritej, u pa e domosdoshme që të mos fokusoheshim vetëm në moshën parashkollore, por programi të shtrihej edhe për grupin e dytë. Kështu, në disa workshope që u bënë për vlerësimin e programit u bë një analizë dhe një ndarje e tij sipas grupmoshave. Aktualisht fëmijët kanë në dorë nga 6 libra personale.
Pas seminarit në dhjetor 2006 zyra po bën përshtatjen e programeve sipas standarteve shtetërore.
Kopshtet tona janë vlerësuar si kopshtet që kanë materiale didaktike nga më të bollshmet, duke filluar që nga librat e deri te mjetet konkretizuese didaktike.
Një punë e mirë është bërë për përgatitjen e fëmijëve për në klasën e parë. Janë blerë libra për mësimin e shkronjave për secilin fëmijë. Edhe në matematikë po punohet me metodat më bashkëkkohore për njohjen, kuptimin e numrave dhe shkrimin e tyre.
Ka tashmë tre vjet që Zyra e Koordinimit të përkujdesjeve ditore ka publikuar kalendarin e kopshteve. Në këtë kalendar pasqyrohen të dhëna për kopshtet, për fëmijët dhe punën që bëhet në to. Kalendari i jepet çdo fëmije në secilin kopësht, pasi çdo fëmijë gjen veten e tij në të.
******
Dioqeza e Tiranës.
Përkujdesja ditore – Tiranë.
Përkujdesja ditore – Durrës.
Përkujdesja ditore – Kavajë.
Përkujdesja ditore – Shkodër.
Përkujdesja ditore – Elbasan.
******
Dioqeza e Beratit.
Përkujdesja ditore – Lushnjë.
Përkujdesja ditore – Vlorë.
Përkujdesja ditore – Berat.