Ne besimtarët e dioqezës së Beratit jemi të indinjuar dhe ofenduar për akuzat që z. Kristo Frashëri drejton kundër Mitropolitit të Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë. Ato nuk kanë asnjë bazë të vërtetë, por shprehin mllefin personal që ka autori ndaj Kishës dhe Mitropolitit. Sipas përgënjeshtrimit, në “Gazeta Shqiptare” të datës 18.10.2010, del qartë se Hirësia e tij nuk ka dhënë asnjë intervistë për shtyp dhe prononcim publik por, ka bërë bisedë të zakonshme me një klerik, të cilin gazeta “Blic” e ka keqinterpretuar. Hirësia është shprehur se: Jam i kënaqur që sapo mbërrita në këtë vend të shenjtë të Patriarkanës suaj të Hirshme”. Ashtu si edhe vetë autori pohon se: “Peja është seli mesjetare e Patriarkanës Ortodokse të Serbisë”, në artikullin e datës 15.10,2010, në “Gazeta Shqiptare”.
    Me tej artikullshkruesi pohon të vërtetën se “në këtë ceremoni morën pjesë 30 përfaqësues të lartë të Kishave Ortodokse të huaja”. Ligjërisht na lind e drejta të pyesim: Përse u mblodhën këta prelatë të Kishave të Shenjta? Kjo pohon katërcipërisht se biseda është bërë në një vend të shenjtë. Hirësia, në të vërtetë, ka thënë: “Jam i gëzuar që ndodhem këtu në një situatë paqeje pas gjithë atyre dhimbjeve që iu shkaktuan njerëzve të pafajshëm në vitin 1999”.
    Na indinjon shprehja e z. Frashëri: “Cili është ai perlat kishtar, i cili nuk e  ngre zërin të mbrojë, ashtu siç mëson Krishti në katër Ungjijtë e vet, jetën e njerëzve të çfarëdo race, kombi dhe gjuhe kur këta përdhunohen, torturohen dhe masakrohen nga kushdoqoftë”. I përgjigjemi me kompetencë dhe përgjegjësi të plotë, si dëshmitarë okularë, se, që me ardhjen e refugjatëve të parë kosovarë në Berat, ishte vetë ky prelat i lartë i Mitropolisë së Hirshme ndër të parët që u ofroi ndihma të shumta e të pakursyera në ushqime, veshmbathje e medikamente dhe u bëri vizita në spitalin rajonal të Beratit. Këto ndihma u dhanë në kampet e refugjatëve kosovarë në Kuçovë e Moravë, duke marrë urimet e përzemërta e të sinqerta të vëllezërve tanë dhe duke zbatuar, një për një, të gjitha mësimet e katër Ungjijve të shenjtë: “Pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë” (Mateu 25:35-36).
    Mitropoliti ynë i nderuar, Imzot Ignati, qysh në ditët e para që shkeli në qytetin tonë të Beratit, më 18 korrik 1998, me përkushtim dhe bujari u dhuroi nxënësve të shkollave të Beratit çanta dhe mjete të tjera shkollore; ndihmoi me bujari familje që u përmbytën nga lumi Osum, pa dallim feje dhe race; u qëndroi afër familjeve të policëve të vrarë, duke i ndihmuar shpirtërisht dhe materialisht; ngushëlloi dhe ndihmoi familjarët e viktimave të mbytura në kanalin e Otrantos; ka bërë dhe vazhdon të bëjë vizita të panumërta tek të sëmurët në spital dhe në familje të ndryshme, duke u ofruar me modesti zarfe me sasi të konsiderueshme të hollash, nën jastëkun e të sëmurit, me udhërrëfyes fjalën e Zotit: “Të mos dijë e majta çfarë bën e djathta”; ka bërë vizita të herëpashershme tek të burgosurit në Kosovë të Lushnjës.
    U ka ofruar vazhdimisht ndihma në ushqime dhe veshmbathje të sëmurëve në “Spitalin Psikiatrik” Vlorë, fëmijëve jetimë në  “Jetimoren” e Vlorës; “Qendrës Rezidenciale të Zhvillimit të Fëmijëve” në Berat e Vlorë; “Qendrës së të Moshuarve” në Fier; “Qendrës së Fëmijëve të Ngujuar nga Gjakmarrja” në Poliçan të Skraparit; “Shoqatës së të Verbërve” në Berat dhe Lushnjë; “Shoqatës së Dhuruesve të Gjakut” Berat; “Shoqatës së Kryqit të Kuq” Berat; ndihma në veshmbathje në kampin e ngritur për familjet e dëmtuara në Gërdec si dhe për familjet e përmbytura para një viti në Lezhë.
    Ka ndihmuar disa familje të varfëra, duke marrë përsipër riparimin e shtëpive të tyre.
    Nuk mund të lëmë pa përmendur ndihmën e vazhdueshme që jep Hirësia e tij për njerëzit e sëmurë, duke i ndihmuar në të holla që të kurohen si në spitalet shqiptare, ashtu edhe jashtë vendit si në Rusi, Turqi, Itali, Greqi. Një kujdes të veçantë dhe dhimbsuri të madhe Hirësia u ka kushtuar njerëzve që lëngojnë nga sëmundje të rënda, duke marrë përsipër shpenzimet e kimioterapisë së tyre.
    I pakursyer është kontributi i dhënies së ndihmave për shkollimin e studentëve jashtë shtetit. Prindërit beratas nuk dinë si ta falënderojnë Hirësinë për ngritjen e kopshtit të fëmijëve, ku edukohen, që prej katër vitesh, dhjetëra  fëmijë, pa dallim feje dhe race.
    Duke qenë vazhdimisht i shqetësuar për të ndihmuar njerëzit në nevojë, ia arriti qëllimit të tij humanitar për hapjen e një mense, ku të ofronte ushqim për njerëzit në nevojë. Dhe kjo u bë e mundur në janar të vitit 2010. Kjo mensë, e quajtur “Shen Joan Përdëllimtari”, ofron ushqim të gatuar, fillimisht dy herë në javë, për 80-100 persona.
    Pyesim z. Kristo Frashëri: “A nuk tregojnë të gjitha këto vepra bamirësie të Imzot Ignatit, si dhe shumë të tjera që nuk po i përmendim, se Hirësia shfaq, pa bujë, zbatimin me devotshmëri të të katër Ungjijve të Shenjtë?!”
    Nuk e kuptojmë se nga i ka marrë të dhënat z. Frashëri, duke u shprehur: “Ai është me origjinë nga Çamëria”, kur vetë Hirësi Ignati ka theksuar se “jam me origjinë shqiptare –arvanitase”.
    Indinjohemi pa masë nga shprehjet dashakeqe, të veshura me një urrejtje patologjike, ndaj figurës së ndritur të Mitropolitit tonë, duke e cilësuar: “Ignati, shovinist i droguar grek”, “agjent grek”, “peshkop i çoroditur”, “Shqipëria nuk ka përse të mbajë në gjirin e vetë një nëpërkë me mantelin e Mitropolitit”.
    Nuk kemi dëgjuar gjatë këtyre 20 vjetëve epitete të tilla fyese për klerikët tanë. Edhe një kriminel ordiner nuk guxon të përdorë fjalë të tilla poshtëruese ndaj çdo armiku të tij.
    Si ka mundësi që një person, i cili pretendon të shkruajë histori të vërtetë, të thotë gjithë këto gjëra të paqena për një klerik të nderuar që meshon çdo të diel e çdo të kremte në të gjitha kishat e dioqezës sonë, kur historiani në fjalë nuk ka shkelur asnjëherë në ndonjë kishë të Mitropolisë sonë dhe nuk ka marrë mundimin më të vogël të takohet me këtë klerik të lartë e të nderuar për ta njohur nga afër, për të kuptuar misionin e tij, për të vlerësuar realisht çdo hollësi të veprimtarisë së tij baritore.
     z. Kristo Frashëri nuk mjaftohet vetëm me kaq, por vazhdon të kalojë deri në marrëzi kur kërkon largimin e Mitropolitit nga Shqipëria, duke e quajtur person “non grata”.
    Ne besimtarët Ortodoksë të Dioqezës së Beratit e kemi ndjekur dhe e ndjekim ditëpërditë gjatë këtyre 12 vjetëve të misionit të tij apostolik dhe, jo vetëm që nuk kemi konstatuar as dyshimin më të vogël lidhur me qëndrimin e tij në krye të Mitropolisë, por jemi dëshmitarë të urtësisë së Tij, të dashamirësisë së Tij, të fisnikërisë së Tij, të bujarisë së Tij, të zemërgjerësisë së Tij, të diturisë së Tij, të mirëkuptimit së Tij, të mirësisë së Tij, të thjeshtësisë së Tij, jo vetëm me besimtarët Ortodoksë, por me të gjithë qytetarët e Mitropolisë sonë, si edhe më gjerë.
    Për të gjitha këto virtyte Imzot Ignati është shpallur “Qytetar Nderi i Beratit” nga këshilli bashkiak dhe “Qytetar Nderi i Selenicës” nga bashkia e këtij qyteti.
   Për këto fakte ne jemi krenarë që e kemi Imzot Ignatin në krye të Mitropolisë sonë të Shenjtë dhe urojmë, me gjithë shpirt, ta kemi sa më gjatë si udhëheqësin dhe bariun tonë shpirtëror.
    Qytetarët Ortodoksë të Beratit: